Shigjeta thyen akullin

Më në fund, edhe një federatë sportive e Kosovës u ndërkombëtarizua me të drejta të plota. Të premten në Torino të Italisë, Kongresi i 48-të i Federatës Ndërkombëtare të Shigjetarisë (FITA) ka votuar pro pranimit me të drejta të plota të Federatës së Shigjetarisë së Kosovës (FSHK).
Lajmin e ka konfirmuar për Express kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, i cili ishte prezent në Kongresin e FITA-s, bashkë me krerët e FSHK-së.
Njëherësh, FSHK-ja është federata e tretë kosovare e ndërkombëtarizuar me të drejta të plota, pasi më herët ishin ndërkombëtarizuar edhe Federata e pingpongut dhe ajo e Peshëngritjes.
“Kongresi i FITA-s me shumicë absolute të votave e ka pranuar FSHK-në me të drejta të plota. Vetëm një votë ishte kundër, nga përfaqësuesit serbë. Sigurisht se kjo është një ditë e mirë për FSHK-në, por edhe për gjithë sportin e Kosovës”, deklaroi Hasani për Express.
FSHK-ja në vitin 2009 ishte pranuar si anëtare e përkohshme e FITA-s. FSHK-ja është njëra prej federatave më të reja sportive në vendin tonë. Si federatë e re, ka vështirësi të mëdha të funksionojë si duhet. Madje, FSHK-ja ende nuk ka zyra të saj. Mirëpo, udhëheqësit e saj pohojnë se interesimi i kosovarëve për t’u marr me këtë sport olimpik është mjaft i madh.
Por, pranimi i saj me të drejta të plota në (FITA) e ka zhbllokuar procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, i cili nga vitit 2008 jo vetëm që ka ngecur, por faktikisht edhe ka ecur prapa.
Kosova tani ka tri federata plotësisht të ndërkombëtarizuara. Para FSHK-së, Federata e Pingpongut qe pranuar në vitin 2003, derisa Federata e Peshëngritjes në vitin 2008.
Po atë vit, plotësisht qe pranuar edhe Federata e Softbollit. Por, kjo e fundit u përjashtua gjatë vitit të kaluar, pasi ishte joaktive në Kosovë. Ndërkohë, Federata e Mundjes para pak kohësh në ueb faqen zyrtare të Federatës Botërore figuronte si anëtare e plotë. Por, pak kohë më vonë, statusi iu ndërrua sërish, duke e kthyer në anëtare të kushtëzuar.
Sidoqoftë, inkuadrimi i FSHK-së në FITA do të ndikojë pozitivisht në rrugën e KOK-ut drejt inkuadrimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kosova duhet ta përmbushë një kusht teknik për t’u anëtarësuar në KON.
Pra, pesë federata të saj olimpike duhet të jenë të ndërkombëtarizuara, në mënyrë që KOK-u të mund të aplikojë për pranim në KON, sepse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së për t’u ndërkombëtarizuar përnjëherë.
“Besoj që deri në fund të këtij viti, edhe dy federata të tjera do të ndërkombëtarizohen, në mënyrë që ta plotësojmë kushtin teknik që KOK-u të aplikojë për pranim në KON”, tha Hasani.
Ai planifikon që me ndihmën e Ministrisë së Sportit t’i themelojë edhe disa federata të tjera, të atilla që në Kosovë nuk ekzistojnë, pasi ato do ta kishin më lehtë të ndërkombëtarizohen dhe kështu KOK-ut do t’i hapej një rrugë e gjerë për t’u anëtarësuar në KON.
Edhe katër federata të tjera kosovare janë të ndërkombëtarizuara, por me kufizime. Ato janë Federata e Hendbollit, Xhudos, Mundjes dhe Skijimit.