Eventet italiane, mbërrin Rigoleto

Tiranë, 19 mars, NOA - Në kuadër të sezonit të eventeve Italia dhe Shqipëria 2010 dy Popuj, një Det, një Miqësi, nesër në orën 19:00, do të shfaqet premiera e operas Rigoletto të Giuseppe Verdit, i cili do të çelë kalendarin e veprimtarive të organizuara nga ambasada italiane pranë Teatrit te Operas dhe Baletit.
Premiera Rigoletto u mbajt në 11 mars 1851 në teatrin La Fenice të Venecias dhe së bashku me Trovatore (1853) dhe Traviata (1853) është pjesë e së ashtuquajturës trilogji popullore e Verdit.
Me regji të Nicola Zorzi, skenografi dhe kostume mbresëlënëse të Manuela Gasperoni dhe nën dirigjimin e Vittorio Parisi, do të shfaqet një nga veprat më të fuqishme të Giuseppe Verdit.
Duka i Mantovës me arien e famshme La donna è mobile, do te interpretohet nga tenori i njohur Armaldo Kllogjeri, Rigoletto nga baritoni Ylber Gjini dhe Gilda nga sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani.
Ndërkaq, bëhet me dijeni se programi koncertor i sezonit Italia dhe Shqipëria 2010 dy Popuj, një Det, një Miqësi do të vazhdojë pranë Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë me shfaqjet e dy emrave të shquar të muzikës klasike italiane: më 25 mars në orën 19.00 do të jetë radha e Maestro Campanella dhe më 8 prill në të njëjtën orë kjo sallë do të mirëpresë maestro Uto Ughi.
n.e/NOA