APP: Operatorët e përjashtuar nuk mund të nënshkruajnë kontrata publike

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Agjencia e Prokurimit Publik u ka rikujtuar autoriteteve dhe enteve kontraktore detyrimin për të zbatuar me rigorozitet legjislacionin mbi statusin e operatorëve ekonomikë të përjashtuar, duke theksuar se këta subjekte nuk mund të nënshkruajnë kontrata për sa kohë vendimi i përjashtimit është në fuqi.
Përmes një rekomandimi, APP sjell në vëmendje se verifikimi i statusit të operatorëve duhet të kryhet përpara çdo nënshkrimi kontrate, përfshirë edhe rastet e marrëveshjeve kuadër dhe kontratave që rrjedhin prej tyre.
Sipas APP-së, operatorët ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të përfituar kontrata publike, për shkak të keqinformimit apo paraqitjes së të dhënave të rreme, nuk mund të përfshihen në asnjë procedurë kontraktimi gjatë periudhës së ndalimit, e cila varion nga 3 muaj deri në 3 vjet.
Institucioni thekson se ky kufizim ka efekt të drejtpërdrejtë edhe në fazën përfundimtare të procesit të prokurimit, duke e bërë të pavlefshëm çdo nënshkrim kontrate me subjekte që figurojnë në listën e të përjashtuarve.
Në dokumentin rekomandues, APP u kërkon autoriteteve kontraktore të kontrollojnë në mënyrë të përditësuar listën zyrtare të operatorëve të përjashtuar, të publikuar në faqen zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe të verifikojnë vendimet përkatëse në seksionin e transparencës.
APP paralajmëron se mosrespektimi i këtyre procedurave përbën shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe mund të shoqërohet me masa administrative, përfshirë gjobat e parashikuara në legjislacion.
Sipas APP, periudha nga shpallja e fituesit deri në nënshkrimin e kontratës mbetet një fazë kritike, ku duhet të forcohen kontrollet paraprake për të shmangur kontraktimin me operatorë nën masë përjashtimi.
Në këtë kuadër, theksohet se statusi ligjor i operatorit në momentin e nënshkrimit të kontratës është kusht thelbësor për vlefshmërinë e saj, ndërsa operatorët e përjashtuar nuk mund të vijojnë procesin edhe nëse janë shpallur fitues më herët, për sa kohë vendimi ndaj tyre mbetet në fuqi. /j.p/