Arritje të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar
Duke qenë një nga recensentët e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botimi i dytë (FESH 2) po shpreh dy fjalë për këtë vepër madhore të Akademisë së Shkencave.
I konceptuar si një fjalor enciklopedie kombëtar (jouniversal), FESH 2 pasqyron ato ngjarje, specialitete, shkenca apo degë të tyre, si dhe përshkruan institucione shqiptare që janë të pranishme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, në Malin e Zi, te arbëreshët e Italisë e në diasporë në përgjithësi.
I njëjti kriter është zbatuar edhe për ato personalitete shqiptare apo të huaja, që kanë pasur apo kanë lidhje të drejtpërdrejta me shkencën e me kulturën shqiptare.
Që kanë qenë nismëtarë e organizatorë të krijimit e të zhvillimit të institucioneve kombëtare të ekonomisë, të arsimit, të shkencës, të kulturës etj. Më i spikatur ky kriter është në fushën e gjeologjisë, të ekonomisë, të mjekësisë, të arsimit, të historisë, arkeologjisë, gjeografisë, sporteve etj.
Duke u caktuar më shumë vend personaliteteve, FESH 2 u është afruar parametrave të enciklopedive, në përgjithësi, ku figurat gjejnë një pasqyrim të konsiderueshëm.
Rreshtimi i këtyre personaliteteve në rendin kronologjik, përbën jo vetëm një vlerë të FESH 2, por shërben si pikë referimi për ata lexues që janë të interesuar të thellojnë e të zgjerojnë dijet e tyre për probleme të caktuara. Sepse, shumica e këtyre personaliteteve janë autorë tekstesh e monografish, apo titullarë me emër në fushat ku kanë punuar apo punojnë e hulumtojnë.
Rritja e numrit të zërave duhet vlerësuar realisht më e madhe, sepse në FESH 2 janë shmangur shumë nga zërat me karakter politik, të periudhës së Luftës e të socializmit, që e shtonin në mënyrë artificiale vëllimin e FESH 1985.
Për rëndësinë e veçantë që paraqesin, një përmirësim i dukshëm është arritur në zërat e mëdhenj "Shqipëria" dhe "Kosova". Jo vetëm që ato vijnë me një informacion më të gjerë e të përditësuar, por edhe me një trajtim të ri, objektiv e të papolitizuar. Vështrimi historik në këto dy zëra është trajtuar më me hollësi e objektivitet, duke sjellë edhe ngjarje e personazhe të papërmendura, të keqinterpretuara, apo të denigruara në botimin e vitit 1985.
Është një punë e lavdërueshme e personelit të Qendrës Enciklopedike Shqiptare, që edhe pse në një numër shumë të kufizuar punonjësish, i është dashur të kryente, njëkohësisht, dy detyra komplekse: nga njëra anë të mbante lidhje me redaksitë dhe të nxiste autorët për realizimin e zërave, nga ana tjetër të redaktonte zërat e dorëzuar në Qendër, të plotësonte mangësitë e tyre, për t'i bërë të përshtatshëm për botim.
Si rezultat i kësaj pune skrupuloze, Fjalori vjen me një gjuhë të pastër shqipe, pa fjalë të tepërta e të huaja e me një stil të përmbledhur, por të qartë. Do kishim dashur që të kishim një bashkëpunim më të mirë me kolegët nga Kosova.
Duke e mbyllur, dua të përmend thënien e profesorit dhe përkthyesit të ndritur, Vedat Kokona: "Fjalorët janë si sahatet. Edhe më i miri, kurrë nuk do të jetë krejt i përpiktë".
Hartuesit e FESH 2 i kanë sjellë një kontribut të çmuar kulturës shqiptare. Ata që vijnë më pas urojmë ta bëjnë më të mirë.