APP publikon procedurat e pezullimit të tenderëve
Agjencia e Prokurimeve Publike ka nxjerrë dy udhëzime, më të cilat u drejtohet të interesuarve për dy raste specifike kur pezullohen tenderët. Udhëzimi i parë, bllokon tenderët për mungesë të fondeve publike, sipas një vendimi që qeveria mori për këtë qëllim, fill pas shkurtimit të Buxhetit 2011, me 18 miliardë lekë. Ndërsa udhëzimi i dytë, bllokon proçedurat në raste ankesash. “Të gjitha fondet që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik deri me datë 1 gusht të këtij viti qe rezultojnë të pa prokuruar, të bllokohen”, thuhet në udhëzimin e APP-së. Kështu, në kuptim të këtij vendimi, fonde të pa prokuruar do të vlerësohen ato fonde, për të cilat deri me datë 1 gusht, nuk është lidhur asnjë kontratë. Përjashtohen nga ky rregull, fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi shpenzuese në të cilat ekziston ky shërbim. Gjithashtu, nuk bllokohen nga proçedurat e prokurimit fondet për shpenzime kapitale, të cilat nuk janë objekt prokurimi, financimet e huaja dhe fondet përkatëse për kosto lokale dhe detyrime tatimore, sqaron APP-ja. Mirëpo ministri i Financave mund të lejojë angazhimin e procedurave të prokurimit vetëm për raste specifike dhe tepër emergjente. APP njofton se publikimi i njoftimeve në buletinin e njoftimeve nga APP, pas datës 1 gusht, nuk shkarkon nga përgjegjësia autoritetet kontraktuese, të cilat vazhdojnë veprimet e mëtejshme në kushtet kur fondet për prokurimin janë të bllokuara. APP, vijon duke thënë se, procedurat vijojnë vetëm për prokurime që lejon Ministria e Financave. Udhëzimi i dytë i APP-së për pezullimin e prokurimeve ka të bëjë me arsye të tjera që nuk kanë lidhje me mungesën e fondeve. APP sqaron se, duke u nisur nga praktikat e deritanishme, ku është vënë re se, autoritetet kontraktuese nuk bëjnë pezullimin e procedurave të prokurimit në sistem, në rastet kur ka ankesa nga operatorë ekonomik. Nisur nga kjo situatë, Agjencia e Prokurimit Publik, mbështetur në ligjin “Për prokurimin publik”, udhëzon të gjitha autoritetet kontraktuese që të respektojnë nenin 63 të ligjit, duke pezulluar procedurën e prokurimit në sistem. Teknikisht, procesi i pezullimit eshte si vijon. Për secilin autoritet kontraktues, është dërguar llogaria e përdoruesit në rolin e Administratorit të Sistemit të Prokurimit Elektronik, i cili ndër të tjera, shërben për të bërë të mundur edhe pezullimin në sistem të një procedure prokurimi. Për të kryer pezullimin e një procedure, Administratori i Autoritetit Kontraktues hyn në llogarinë e tij, shkon tek dosja “Shpalljet e pa pezulluara” , kërkon tenderin që duhet të pezullojë dhe klikon mbi butonin “Suspend”. Në dritaren që vijon, do të jepen arsyet e këtij pezullimi dhe do të shtypet butoni “Tjetër”. Pasi të jetë kryer ky veprim, procedura e prokurimit do të kalojë në dosjen “Shpalljet e pezulluara”. Për ta nxjerrë këtë procedurë nga pezullimi, administratori duhet të përzgjedhë procedurën përkatëse në dosjen “Shpalljet e pezulluara”, dhe të shtypni butonin “Un-Suspend”. Në dritaren që vijon, duhet të vendosen arsyet e heqjes së këtij pezullimi për këtë procedurë. Në të njëjtën
mënyrë veprohet edhe për procedurat me lote.