BE: Kursimet mund të bëhen edhe pa kufizimin e borxheve

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian Herman Van Rompuy ka deklaruar se propozimi i Gjermanisë dhe Francës për futjen e obligimit të kufizimit të borxheve në kushtetutën e vendeve anëtare të BE-së është i mirë, por jo edhe i domosdoshëm. Më e rëndësishmja është që qeveritë të reduktojnë deficitet në buxhet, deklaroi Van Rompuy. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Nicolas Sarkozy në takimin e tyre të zhviluar me 16 gusht në Paris kanë propozuar që kufiri më i lartë i borxheve të futet edhe në kushtetutë. Gjermania e ka bërë këtë në vitin 2009. Ndërkaq Kabineti qeveritar gjerman ka miratuar masat për forcimin e fondit për shpëtimin e euros. Kabineti miratoi në Berlin ndryshimet e ligjit për stabilizim, i cili parashikon të drejta të veçanta për mbështetjen e ombrellës së shpëtimit. Fondi duhet të ketë më shumë para në dispozicion për të ndihmuar vendet e zhytura në borxhe. Pjesa gjermane në këtë fond do të rritet nga 123 në 211 miliardë euro. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka informuar shefat e grupeve parlamentare me këto vendime. Edhe ministri i Financave ka apeluar tek partitë parlamentare që të mos dëmtojnë funksionalitetin e fondit për shpëtimin e euros dhe të votojnë për këto propozime. Socialdemokratët dhe ekologjistët në opozitë kanë sinjalizuar mbështetjen e këtyre planeve. Seanca e parlamentit, ku do të votohet për këto plane, do të mbahet në fund të shtatorit.