Heqja e vizave, rrit sigurimet nga kartoni jeshil
Shqiptarët kanë dalë më shumë jashtë Shqipërisë gjatë këtij viti, menjëherë sapo u lejua lëvizja e lirë në Evropë. Të dhënat që vijnë nga burime të ndryshme, tregojnë se ka pasur shtim të lëvizjeve me automjete. Kështu, kompanitë e sigurimeve raportojnë për shtim më shumë se 50 për qind të shitjeve të kartonëve jeshilë, që janë sigurimet e automjeteve për lëvizjet jashtë Shqipërisë. Në vlerë, nga janari deri në fund të muajit korrik, janë shitur më shumë se 755 milionë lekë kartonë jeshilë, ndërsa një vit më parë, vlera e këtij lloji të sigurimit ishte rreth 500 milion lekë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sqaron se rritja është me rreth 52 për qind, çka tregon qartë se sa është shtimi i lëvizjeve. Ndërkohë, si numër kontratash shtimi është në mbi 40 për qind. Në tregun e sigurimeve operojnë 8 kompani, ku 7 prej tyre kanë shitur karton jeshil. Të ardhurat në total në tregun e sigurimeve për këtë vit janë rreth 5.2 miliardë lekë, ose gati 8 për qind më shumë se janar korriku i vitit të shkuar.