E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Gjuraj, ambasadori i duhur në vendin e duhur

Jo të gjitha kabllogramet e ambasadorit Withers për Departamentin e Shtetit kanë qenë të bezdishme për klasën politike shqiptare. Përvec ‘personazheve negativë’ në fluksin e korrespondencës mund të gjesh edhe ‘personazhe pozitivë’. Një i tillë është ambasadori shqiptar në Izrael, Tonin Gjuraj të cilin diplomati amerikan, duke iu referuar Ismail Kadaresë, e konsideron “personin e duhur në kohën e duhur”. Withers e sheh ambasadorin shqiptar në Tel Aviv, si një të ri të talentuar dhe një diplomat të aftë. Gjuraj, vazhdon kabllogrami i Withers, së fundmi u ka paraqitur izraelitëve cështjen e pavarësisë së Kosovës duke shpjeguar se kosovarët duan të themelojnë një shtet të pavarur dhe jo një shtet-komb mysliman, sic besojnë disa gazetarë rajon. Telegrami flet më tej për një artikull të Gjurajt në gazetën Jerusalem, post ku ai shkruan se “është një gabim thelbësor të barazosh fenë me etninë”. Sipas fjalëve të Withers, ambasadori shqiptar argumenton se shqiptarët e Kosovës janë më shumë europianë se secili prej fqinjve të tyre në Ballkan dhe pavarësia e tyre s’ka të bëjë aspak me islamizmin. Më tej, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers shkruan se shkrimtari shqiptar, ikonik e nganjëherë ironik, Ismail Kadare deklaroi se “është gjë e rrallë në diplomacinë shqiptare që ambasadori i duhur gjendet në vendin e duhur”. Withers e përmbyll konsideratën e tij për Tonin Gjurajn me fjalët “emërime të tilla duhet të shtohen teksa gjenerata tjetër rritet e mencurohet”. Tonin Gjuraj, ish-ambasador i Shqipërisë në Izrael u tërhoq nga shërbimi diplomatik në vitin 2009. Që prej asaj kohe, ai i është rikthyer fushës akademike dhe aktualisht është Prorektor i Universitetit Europian të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›