Kompanitë e cigareve u thonë sërish jo pullave fiskale
Edhe pse e kanë kundërshtuar pajisjen me pulla fiskale, të gjitha kompanitë e cigareve në vend, kanë dalë edhe njëherë kundër ligjit të miratuar nga qeveria. Disa kompani të importimit të duhanit kanë kritikuar qeverinë për mungesë transparence në koncesionin për prodhimin e pullave fiskale. Ato i kanë sugjeruar asaj përmes Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë (AMCHAM) të hyjë në konsulta për të gjetur një zgjidhje më të mirë për këtë çështje, bëhet e ditur
nga Dhoma Shqiptaro-Amerikane ne publikimin e saj zyrtar Advantage. Përfaqësues të industrisë së duhanit kanë ngritur problemin e pullës së akcizës, e cila, për shkak të shtypjes në kushte më të larta sigurie, u rrit atyre koston, thuhet në buletinin zyrtar të AMCHAM. Qeveria shqiptare mori këtë vit një propozim për koncesion të pa kërkuar dhe hapi procedurat për të lejuar prodhimin privat të pullave të mallrave të akcizës nën argumentimin se një sistem i tille do të shmangë prodhimin e pullave të falsifikuara. Por prodhuesit e duhanit dhe pijeve alkoolike, të cilët i blejnë këto pulla dhe i vendosin në produktet e tyre para se ti hedhin në treg, mendojnë se skema do të rrisë kostot e pullave dhe rrjedhimisht, edhe çmimet e këtyre mallrave në treg.