E Diel, 1 Nëntor 2026

ARMO, kalon pronësia nga METE tek konsorciumi

Nënshkruhet marrëveshja që kalon pronësinë e 85% të aksioneve të ARMO sh.a te Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas

Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjëtikës, Neritan Alibali, dhe përfaqësuesi i konsorciumit Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas, INC, Rezart Taçi, nënshkruan dje marrëveshjen për kalimin e pronësisë të 85% të aksioneve shtetërore të ARMO sh.a te ky konsorcium.

Zv.ministri Alibali tha se ky kalim pronësie bëhet pas një procesi të gjatë dhe transparent të tenderit ndërkombëtar për shitjen e këtyre aksioneve si dhe pagesës nga ana e konsorciumit të 128,750,000 eurove. Nga ana e tij, përfaqësuesi i konsorciumit, Rezart Taçi, ka garantuar respektimin e biznes-planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej $ 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve. Zbatimi i biznes-planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e ARMO-s të mos shesin aksionet e tij pa miratimin e ministrisë për një periudhë pesëvjeçare. Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës përfiton 100% të dividentit nga ARMO deri në ditën e sotme, kur është bërë efektive kontrata.

Kryqi i Kuq Shqiptar dhe AMC, në mbështetje të të moshuarve

Kryqi i Kuq Shqiptar, mbështetur për të tretin vit radhazi nga kompania e telefonisë celulare AMC, ndërmori një fushatë ndërgjegjësuese në ndihmë të të moshuarve që jetojnë vetëm, nën moton “Mendoni për ata që nuk janë si ju”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është ndihma në favor të kësaj shtrese të shoqërisë, duke kontribuar direkt në mbajtjen dhe përmirësimin e kushteve të qendrave ditore të Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilat frekuentohen nga qindra të moshuar në nevojë. Fushata nisi më 17 tetor në kuadër të “Ditës kundër Urisë” dhe pati një shtrirje të gjerë, në të gjithë vendin, falë ndihmesës së AMC-së, e cila vuri në dispozicion sistemin e saj të SMs-ve, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve. Përveç ndihmesës së vetë kompanisë, një fond i veçantë u mblodh edhe nga qytetarët të cilët kontribuuan duke dërguar SMS, pikërisht në ndihmë të të moshuarve.

Këto fonde do të përdoren për mbarëvajtjen dhe përmirësimin e kushteve në qendrat ditore që Kryqi i Kuq ka ngritur në Tiranë, Gjirokastër, Elbasan dhe Mirditë. Përveç përkrahjes mujore që të moshuarit e këtyre qendrave përfitojnë, u mundësua edhe ngritja e një biblioteke, organizimi i ekskursioneve jashtë qytetit etj. E kthyer në një traditë, këto aktivitete synojnë të promovojnë në publikun e gjerë dhe në mënyrë të veçantë te biznesi vendas dhe te rinia ndjenjën e solidaritetit me ata njerëz të vetmuar e në nevojë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve Kryqi i Kuq përpiqet të ndikojë sadopak në përmirësimin e gjendjes në të cilën të moshuarit ndodhen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›