E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Bode: 80% e investimeve përfundojnë në qershor

Buxheti 2009 është miratuar tërësisht dje në Kuvend me 76 vota pro, 34 kundër dhe vetëm 4 abstenime, duke bërë të mundur hapjen e fondeve që në muajin janar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se ky buxhet do të bëjë të mundur që në gjashtë muajt e parë të vitit 2009 të përfundojnë 80 për qind e investimeve publike. “Të gjithë tenderat e rrugëve që do të ketë MPPTT-ja janë çelur. Ajo listë objektesh tashmë ose është tenderuar, ose në proces tenderimi, çka do të thotë që brenda muajit dhjetor të gjitha kontratat e investimeve për infrastrukturën rrugore do të jenë të lidhura”, - tha Bode. Numri i investimeve publike gjatë vitit të ardhshëm, që do të jetë një numër i konsiderueshëm, do të ndërtohen me fondet e buxhetit. Kryeministri Sali Berisha, i cili mori fjalën në fund të seancës, në një kundëreagim ndaj opozitës tha se gjatë vitit tjetër pritet të përfundojnë 200 rrugë së ndërtuari. Berisha tha se buxheti 2009 do të bëjë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve. “Le të gjejë një qeveri të vetme dhe të thotë se ka parashikuar për vitin 2009 këtë rritje pensionesh që ka parashikuar qeveria ime apo se pensionistët i duan për vota dhe jo për pensionet. Le të gjejë një qeveri që të ketë ulur sigurimet shoqërore në këto vlera, nga data 1 maj në 5%. Le të gjejë një qeveri e cila nis tani 200 projekte në rrugë, fshatra dhe komuna të Shqipërisë, një qeveri që po 2-fishon buxhetin për arsimin”, - iu drejtua Berisha opozitës.

Propozimet e opozitës

Por gjatë seancës, opozita bëri një sërë kërkesash për të ndryshuar buxhetin e vitit tjetër. “Nga këto, 2 .5 miliardë lekë mbi shifrat e buxhetit aktual të shkojnë për një buxhet social, për shtresat më të varfra, 9.3 miliardë lekë të shkojnë për investime. Kjo shifër është rreth 12% më e madhe se investimet aktuale në buxhet. Burimet potenciale për të mbështetur këtë siguri të ekonomisë shqiptare duhet të vijnë nga shkurtimet e shpenzimeve operative dhe rritje e shpenzimeve për investime dhe të ardhurat nga privatizimi të mos ndahen më 50% për investimet dhe 50% për borxhin, por për këtë vit të rritet pjesa e të ardhurave që duhet për investime nga 50 në 60 deri 75%”, - propozoi deputeti i PS-së, Arben Malaj. Por ministri i Financave, Bode, tha se thelbi i këtyre propozimeve ka gjetur mbështetje në buxhet. “Ne kemi deklaruar në vitin 2009 rritje të pagave dhe pensioneve në të njëjtin trend dhe më të lartë se në vitin 2008 dhe jo vetëm kaq, por nga fakti se rritja fillon nga 1 maji, që do të thotë se ne kemi rritur faturën sociale me 15% nga 1 vit normal", - tha Bode. Opozita kërkoi që fondi i kontigjencës të ulet më tej në mënyrë që të destinohen paratë për përballimin e krizës e ekonomike, por Bode u kundërpërgjigj duke thënë se kriza globale do të sjellë ulje të çmimeve në tregjet globale në vitin që vjen, ndërsa inflacioni do të jetë konstant në vend, e shoqëruar kjo njëkohësisht me një rritje të kërkesës konsumatore për shkak të politikave sociale. Por opozita këmbënguli në idenë se kriza ekonomike po afron. “E fundit e theksuar dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare është që kjo krizë po shndërrohet edhe në krizë psikologjike. Njerëzit kanë reduktuar konsumin dhe investimin, prandaj qeveria duhet ta stimulojë. Efekti i fundit është që kriza psikologjike në momente fushatash elektorale dhe vitesh zgjedhore është akoma më e madhe”, - tha Malaj. Opozita në fund të seancës kërkoi nga qeveria që kartat e identitetit të jepen falas për qytetarët.

Energjia, qeveria, 8 miliardë lekë shtesë KESH-it për të blerë energji

Qeveria do të vërë në dispozicion të KESH-it një shumë prej 8 miliardë lekësh, e cila do të mund të përdoret për të blerë të gjithë energjinë e nevojshme që duhet për vendin. Një fakt të tillë e konfirmoi dje në Kuvend edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha më tej se KESH-i do të mbështetet me fonde shtesë. “Që tani kemi marrë masat që deri në fund të muajit janar të vitit 2009 të kemi të prokuruara tërësisht blerjet dhe importet e energjisë", - deklaroi ministri Bode. Ai nënvizoi se krahas një fondi qeveritar prej 4 miliardë lekësh nga qeveria, përsëri i është dhënë garanci për kredi tregtare KESH-it edhe 4 miliardë lekë të tjera për blerje energjie. Bode tha se kjo shumë do të jetë e mjaftueshme, por përsëri do të ketë mundësi shtesë financimi për energjinë. “Do të jenë mbi 8 miliardë lekë që do të mbështesin përmirësimin e situatës financiare të KESH-it, në mënyrë që energjia të mos mungojë. Në vitin 2009 kemi programuar arkëtimin e parave nga privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe shuma do të vihet në dispozicion të përmirësimit të situatës në KESH dhe jo për zëra të tjerë", - shtoi ministri i Financave. Bode përmendi edhe investimet në pushtetin lokal dhe u shpreh optimist për realizimin e plotë të tyre. “Investimet lokale kanë filluar procesin e tenderimit dhe në javën që vjen do të çelen fondet për investime në infrastrukturën rrugore. Deri në muajin maj ne kemi programuar që rreth 7.5 miliardë lekë të reja të investohen në infrastrukturën rrugore të bashkive dhe komunave”, - deklaroi Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›