E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO "këput" shiritat e tatimorëve

Një ditë pas vendosjes së shiritit tatimor në dy uzinat e përpunimit të naftës në Fier e Ballsh, të cilat që prej tetorit të kaluar varen nga kompania "Taçi Oil", situata është tensionuar. Ndërsa në UPN-në e Fierit mesditën e së hënës është shpërfillur shiriti tatimor dhe ka nisur transporti i bitumit nga magazinat drejt pikës së shitjes në Vlorë, në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) në Ballsh, punëtorët kanë dalë në protesta kundër vendimit të tatimeve.
Punonjësit e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier kanë shkuar të hënën pranë vendit të tyre të punës. Drejtuesit i kanë udhëhequr dhe i kanë orientuar që të qëndrojnë në pritje të një vendimi. Në mesditë, në UPN-në e Fierit shiriti i bllokimit i vendosur nga inspektorët tatimorë të dielën është këputur dhe brenda mjediseve të saj kanë hyrë autobotet e transportit të bitumit. "Kjo bëhet për arsye, sepse bitumi është një produkt që humb aftësinë e tij nëse qëndron për më tepër se 24 orë në temperaturë normale. Transporti drejt pikës së shitjes ka nisur me qëllim që ai të mos ngrijë në magazinat dhe kullat e UPN-së", ka thënë një prej drejtuesve të autoboteve që janë furnizuar të hënën pas "thyerjes" së shiritit dhe vendimit tatimor.
Mësohet se ka qenë një vendim i marrë nga krerët e vet subjektit privat, ai që ka sjellë rinisjen e procesit të punës në Uzinën e Përpunimit të Naftës Fier. Drejtori i KPTHN-së Ballsh dhe njëkohësisht drejtor i UPN-së Fier, Bledar Myftari, ka pohuar se "janë detyruar që të rifillojnë punën e përkohshme deri në largimin e bitumit nga kullat, pasi qëndrimi i tij në kulla do të sillte dëm financiar jo vetëm nga humbja e bitumit, por dhe kullat nuk do të jenë më në eficencë, gjë që do të sillte shkatërrim të tyre".
E ndërsa në UPN-në e Fierit ka nisur puna e autoboteve të interesuar për bitum, në KPTHN-në e Ballshit janë regjistruar protesta. Me dhjetëra punonjës të këtij kombinati kanë protestuar përpara sheshit kryesor të saj, duke mos lejuar asnjë agjent të inspektoratit tatimor, që të hyjë në mjediset e brendshme të tij.
Punonjësit e Naftës në Ballsh shprehen se i kanë nisur protestat kundër vendimit të Policisë Tatimore për bllokimin e punës në pikat e kompanisë ARMO. Sipas punonjësve, vendimi është i padrejtë, ndërkohë që nënvizojnë faktin se me këtë veprim shteti po lë pa punë mijëra qytetarë.
Situata është tensionuar së tepërmi në mbrëmje në Fier, kur pranë hyrjes së Uzinës së Përpunimit të Naftës kanë shkuar edhe forca të Policisë së Rendit, që mbështesnin inspektorët e tatimeve. Edhe në prani të uniformave blu, punonjësit e UPN-së nuk e kanë liruar hyrjen e uzinës, ndërkohë që disa autobote kanë dalë të ngarkuar nga uzina dhe kanë injoruar thirrjet për të ndaluar.
Kujtojmë se kompania ARMO sh.a., varet direkt nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe se është klasifikuar në subjektet private VIP. Urdhëresa e lëshuar nga Ministria e Financave mban datën 23 tetor, ndërsa mbërritja te vartësit në degën e Tatimeve Fier mban datën 24 tetor, që ka sjellë dhe ekzekutimin një ditë më pas. Ndërkaq, përfaqësuesit e ARMO-s kanë këmbëngulur për një mllef personal të ministrit Ritvan Bode dhe vazhdojnë të trumbetojnë nëpër media se ARMO i ka paguar të gjitha detyrimet dhe se është një tatim-paguese e rregullt dhe se autorizimi i akcizës për magazinat tatimore është penguar nga strukturat shtetërore që e kanë vonuar nxjerrjen e saj dhe jo prej subjektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›