ARMO, një pjesë e fitimit për investime në rrugën Durrës-Kukës
50 përqind e fitimit nga shitja e kompanisë ARMO do të përdoren për investime në rrugë, ndërsa gjysma tjetër për uljen e deficitit buxhetor. Këtë ka deklaruar zv/ministri i Fnancave Sheferedin Shehu. Në fakt paratë e privatizimit të kësaj kompanie do të përfshihen në buxhetin suplementar që do t’i paraqitet për miratim parlamentit në fund të muajit qershor. Shehu u shpreh se: “Buxheti shtesë parashikohet të ketë një vlerë prej 25 miliardë lekësh, nga të cilat 15 miliardë do të jenë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa pjesa tjetër nga privatizimi i ARMO-s”. Prioritet me 90 përqind të shumës është rruga Durrës-Kukës. Pak ditë më parë FMN-ja deklaroi se qeveria shqiptare duhet të tregojë kujdes për mos tejkalimin e kostove të kësaj rruge, pasi në të kundërt, pasojat do të ndiheshin në ekonomi.