E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRJET E INVESTIMEVE KOLEKTIVE” Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave V

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SIPËRMARRJET E INVESTIMEVE KOLEKTIVE”


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Propozimin e projektligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Vendimi nr.602, datë 6.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për propozimin e projektligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive””, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

P R O J E K T L I GJ

PËR

SIPËRMARRJET E INVESTIMEVE KOLEKTIVE

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

SEKSIONI 1

OBJEKTI DHE ZBATIMI:

Neni 1

Objekti

1. Ky ligj ka për qëllim të rregullojë:

a) kushtet dhe kriteret për themelimin, regjistrimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, si dhe të shoqërive administruese, stukturat e fondeve me pjesemarrje të hapur e pjesëmarrje të mbyllur që ofrohen dhe shiten;

b)  emetimin dhe shitjen e kuotave dhe të aksioneve;

c)   shlyerjen e kuotave;

ç)   promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive;

d) veprimtaritë e kryera nga palët e treta për llogari të sipërmarrjeve të investimeve  kolektive;

dh) realizimin e mbikëqyrjes, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të  veprimtarisë së sipërmarrjeve të investimeve kolektive të shoqërive administruese, depozitarëve dhe të personave të përfshirë në shitjen e kuotave e të aksioneve, që,  duhet të mbikeqyren sipas këtij ligji;

e)  veprimtarinë e sipërmarrjeve të huaja të investimeve kolektive dhe të shoqërive administruese të huaja në Republikën e Shqipërisë;

ë) të vendosë rregulla, që sigurojnë funksionimin e drejtë të tregut të kapitaleve dhe nxitjen e lëvizjes së lirë të tyre.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji me termat e mëposhtme nënkuptohen :

1.“Sipërmarrje investimesh kolektive” personi juridik ose bashkimi i posaçëm i aseteve të investitorëve, themelimi dhe organizimi i së cilit përcaktohet në këtë ligj. Kjo sipërmarrje funksionon ne njërin nga format e mëposhtme:

a) si “Fond investimi”, që është sipërmarrja me pjesëmarrje të hapur, e krijuar në bazë të një kontrate, nëpërmjet ofertës publike të kuotave, në përputhje me konceptin e përshkruar në nenin 54 dhe dispozitat e tjera të këtij ligji. 
b) si "Shoqëri investimi", që është sipërmarrja me pjesëmarrje të mbyllur, e themeluar si shoqëri aksionare në bazë të legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë, e cila mund të jetë me ofertë publikë ose me ofertë private dhe veprimi i vetëm tregtar i së cilës është kryerja e investimeve në përputhje me konceptin e përshkruar në nenin 58 dhe në dispozitat e tjera këtij ligji.   

2.“Aksionar ndikues”, personi, që ushtron të drejta ose ka kontroll efektiv mbi aksionet, të cilat përfaqësojnë dhjetë (10) për qind ose më shumë të kapitalit themeltar të shoqërise ose që do t’i jepnin atij dhjetë (10) për qind ose më shumë të numrit të përgjithshëm të aksioneve, me të drejtë vote në shoqëri;

3.“AMF” ose “Autoriteti”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i krijuar në përputhje me ligjin nr. 9572, date 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”;

4.“Asete”, titujt, instrumentet e tregut të parasë, instrumentet derivate, para dhe pasuri të tjera, në pronësi të sipërmarrjes së investimeve kolektive, të shoqërisë administruese apo depozitarit në përputhje me dispozitat e këtij ligji;

5.“Bursë Titujsh”, një bursë titujsh e licensuar nga AMF-ja;

6."Depozitar", një bankë shqiptare e licencuar e nivelit të dytë, e caktuar nga shoqëria administruese, e cila në bazë të një marrëveshjeje me shoqërinë administruese dhe me porosi të saj, kryen veprimtarinë si depozitar në mënyrën e parashikuar nga ky ligj. Për qëllime të këtij ligji, depozitari është i barazohet me kujdestarin e pëcaktuar në ligjin nr. 9879, datë 21.2.2008, “Për titujt”.

7.“Fond Furnizues”, fondi që investon vetëm nëpërmjet një fondi tjetër, që është fondi kryesor. Kuotat shiten tek investitorët, nëpërmjet një fondi furnizues, por investohen nëpërmjet fondit kryesor.

8."Fond Ombrellë", fondi i investimeve kolektive, që ka në pronësi portofole të veçanta asetesh, përfshirë nënfonde ose seri të ndara.

9.“Institucione financiare”, shoqëritë e administrimit të portofolit dhe shoqëritë e sigurimit të jetës.

10."Investitor", subjekti qe ka ne pronesi kuota në një fond investimi ose aksione në një shoqëri investimesh.

11.“Këshilli i administrimit”, duke iu referuar themelimit dhe funksionimit të shoqërive administruese, këshilli administrativ i shoqërisë së organizuar si shoqëri tregtare me një nivel, sipas ligjit për shoqëritë tregtar.

12."Këshilltar investimi", subjekti i licencuar për të kryer veprimtarinë e këshilltarit të investimit në përputhje me ligjin nr.9879, datë 21.2.2008,  “Për titujt” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

13."Kontrollues kryesor", çdo person, që ushtron ndikim mbi të licencuarin, drejtëpërdrejt ose nëpërmjet një pale të tretë. Këtu përfshihet, pa kufizim, çdo person, që përcakton veprimet e drejtorëve te shoqërisë se rregulluar, mendimet e të cilëve ndikojnë në procesin vendimor të të licencuarit.

14."Kuota", të drejtat ose interesat e investitorëve në një fond investimi.

15.“Kuota akumulimi”, kuotat e një fondi, për të cilat të ardhurat nga investimi ri-investohen automatikisht dhe përfitimi tek investitorët vjen prej akumulimit te vlerës së këtyre kuotave.

16.“Kuota të ardhurash”, kuotat e një fondi, për të cilat të ardhurat nga investimi u shpërndahen periodikisht pronarëve të kuotave.

17.“Ligji për shoqëritë tregtare”, ligji nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

18."Marketimi", përfshin çdo formë marketimi, si nëpermjet publikimeve me shkrim ashtu dhe me anë të nxjerrjes së njoftimeve, fletushkave apo formave të tjera të shkruara, shfaqjes së fotografive ose filmave kinematografikë, videove, nëpërmjet transmetimit radiofonik, televizionit, shpërndarjes së regjistrimeve ose në çdo lloj tjetër mënyre, përfshirë dhe komunikimin nepermjet telefonit, internetit, si dhe postës elektronike;

19. “Ofertë private”, emetimi i kuotave dhe ftesa për t’i nënshkruar ato, që u drejtohet vetëm investitorëve institucionalë, aksionarëve ose punonjësve të një shoqërie, por jo më shumë se 100 investitorëve të jashtëm, të cilët janë kontaktuar  drejtpërdrejt nga emetuesi. “Termat investitorët institucionalë” dhe “investitorët e jashtëm” do të kenë kuptimin e përcaktuar në ligjin        nr. 9879, datë 21.2.2008, “Për titujt”.

 20.“Ofertë publike”, ftesa për të nënshkruar tituj, e cila i drejtohet një numri të papërcaktuar personash nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv.

 21.“Palë e lidhur”, individi ose personi juridik, që është i lidhur me shoqërinë administruese apo shoqërinë e investimit në rrethanat, kur ai është:

a) anëtar i këshillit të mbikëqyrjes, i këshillit të administrimit ose punonjës i shoqërisë;
b) anëtar i komitetit të kontrollit të shoqërisë;
c) aksionar ndikues i shoqërisë;
ç) bashkëshort ose i afërm deri në shkallën e tretë të lidhjes së gjakut, i një anëtari të këshillit të mbikëqyrjes apo administrimit ose komitetit të kontrollit, punonjës i shoqërisë, aksionar ndikues i shoqërisë, kontrollues kryesor i shoqërisë;
d) Person, i cili ka të drejtë të marrë vendime ose të ndikojë në vendimet e shoqërisë, në bazë të një kontrate ndërmjet palëve ose për çfarëdolloj arsye tjetër.

22."Promovim", marketimi në publik, nëpërmjet dhënies së ofertave, shpërndarjes së formularëve të aplikimit apo fletushkave ose përdorimi i materialeve të tjera promocionale, në mënyrën e përshkruar në këtë ligj.

23."Prospekt", dokumenti i bërë publik, që përmban informacionin për sipërmarrjen e investimeve kolektive, nëpërmjet të cilit ftohet publiku për të nënshkruar ose blerë kuotat në sipërmarrjen përkatëse të investimeve kolektive.

24.“Rregullat e fondit”, dokumentet kryesore, që rregullojnë krijimin e fondit të investimeve, ku përfshihen dhe marrëveshja e administrimit  dhe a marrëveshja me depozitarin, dhe, në rastin e shoqërisë së investimit, nënkuptojnë statutin e shoqërisë së investimit.

25."Shoqëri administruese", një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, veprimtaria tregtare e vetme dhe e vazhdueshme e së cilës është themelimi dhe/ose administrimi i fondeve të investimit dhe shoqërive të investimit në përputhje me këtë ligj.

26.“SNRF”,“Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar”.

27.“Shoqëria prind”, shoqëria tregtare që ka në pronësi ose nën kontroll një apo disa shoqëri të tjera tregtare.

28.“Tituj” ose “letra me vlerë”, titujt sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9879, datë 21.2.2008, “Për titujt”.

29.“Treg i Rregulluar”, çdo bursë, treg mbi banak, ose çdo treg tjetër i organizuar i titujve, që vepron rregullisht, është i hapur për publikun dhe është i njohur zyrtarisht nga AMF;

30.“Vend i Bashkimi Evropian”, një vend i Bashkimit Evropian.

31.“Vend i lejuar”, një vend, përveç Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian, që ofron kushte dhe regjim të ngjashëm për mbikëqyrjen e sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe që është i njohur si i tillë nga    AMF-ja.

32.“Vlera neto e aseteve”, vlera neto e pasurive të sipërmarrjes së investimeve kolektive pas zbritjes së:

a) çdo detyrimi të papaguar, qoftë ose jo menjëherë i ripagueshëm;
b) çdo shume të papaguar të kredive të garantuara  me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme.

Neni 3

Sipërmarrjet e investimeve kolektive

1. Në kuptim të këtij ligji, çdo person juridik, shoqëri ose bashkim asetesh konsiderohet sipërmarrje investimesh kolektive, pavarësisht formës ligjore, kur pjesëmarrja nëpërmjet aksioneve, kuotave ose të drejtave të tjera ofrohet për qëllime të rritjes së pjesëmarrjes në para dhe, në mënyrë të shprehur, synon të investojë mbi 60 % të kësaj pjesëmarrjeje në portofol titujsh, depozita dhe në të gjitha llojet e tjera të aseteve, ku investitorët nuk mbikëqyrin përditë marrjen e vendimeve për investimet dhe ku objektiv parësor është nxjerra e përfitimeve për investitorët nga investimet e tyre, si në formë fitimi ashtu edhe në ndonjë formë tjetër.

2. Nuk janë sipërmarrje investimesh kolektive, sipas këtij ligji:

a) bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e veprimtarisë përkatëse në Republikën e Shqipërisë;
b) fondet e pensionit, të licencuara nga AMF-ja, për kryerjen e veprimtarisë përkatëse në Republikën e Shqipërisë;
c) shoqëritë e sigurimit të licencuara nga AMF-ja, për kryerjen e veprimtarisë përkatëse në Republikën e Shqipërisë; 
ç)  personat juridikë, që investojnë fondet e veta;
d) pjesëtarët e familjes, që bëjnë investime të përbashkëta, jo të tilla që kanë lidhje me  këtë ligj;
dh) Personat e tjerë të përjashtuar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë ose marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

3. Përcaktimet e dhëna në pikën 2  nuk prekin të drejtat, që  kanë fituar ose fitojnë sipas ligjeve, rregulloreve ose marrëveshjeve ndërkombëtare të tjera, personat e përmendur në po këtë pikë.


Neni 4

Ndalimi i ofertimit, administrimit dhe tregtimit pa atorizimin e   AMF-së

1. Asnjë subjekt i themeluar për të kryer veprimtaritë, që parashikohen nga ky ligj, nuk mund t’i kryejë ato pa autorizimin përkatës të AMF-së.

2. Kryerja e veprimtarisë se themelimit dhe/ose administrimit të sipërmarrjes së investimeve kolektive, që parashikohet në nenin 3, të këtij ligji, pa miratimin paraprak të AMF-së ose kryerja e shërbimeve të ndërmjetësimit në tregtimin e kuotave apo të aksioneve, të sipërmarrjes së investimeve kolektive, në a prej territorit të Republikës së Shqipërisë, përbën vepër penale dhe dënohet sipas dispozitave të neneve 131 e 132, të këtij ligji.     

Neni 5

Regjimi fiskal për fondin e investimit

1. Administrata tatimore në Republikën e Shqipërisë, me kërkesë të shoqërisë administruese, dhe për qëllime tatimi, lëshon çertifikatë, që vërteton klasifikimin tatimor për sipërmarrjen e investimeve kolektive në Republikën e Shqipërisë.

2. Përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga legjislacioni tatimor, sipërmarrja e investimeve kolektive, për qëllime tatimi, konsiderohet si pronari i titujve ose i të gjitha aseteve të fondit, si dhe personi i fundit, që përfiton prej saj.

Neni 6
Ligji i zbatueshëm
1. Funksionimi i shoqërive administruese dhe veprimtaria e administrimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive u nënshtrohen dispozitave të ligjit nr.9879, datë 21.2.2008, “Për titujt”, si dhe dispozitave të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj ose akte nënligjore, të miratuara në përputhje me të.

2. Në rast konflikti të ligjeve për çështjet e mësipërme, dispozitat e këtij ligji kanë epërsi ndaj dispozitave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

SEKSIONI 2

REGJISTRI I SIPËRMARRJEVE TË INVESTIMEVE KOLEKTIVE

Neni 7

Regjistri i fondeve

1. Sipërmarrjet e investimeve kolektive regjistrohen në regjistrin e fondeve të Republikës së Shqipërisë.

2. Regjistri i Fondeve mbahet nga AMF-ja dhe është i hapur për publikun. 

3. Regjistri i Fondeve duhet të përmbajë informacion të përditësuar, sidomos për llojin e sipërmarrjes së investimeve kolektive, objektin e saj, qëllimin e investimit, strukturën e saj organizative dhe çdo ndryshim të strukturës së saj ligjore dhe/ose organizative. Kërkesat specifike për përmbajtjen përcaktohen me rregullore të AMF-së.

4. AMF-ja mban dhe përditëson Regjistrin e Fondeve në përputhje me rregulloret përkatëse të tij, duke siguruar uniformitetin e informacionit dhe duke marrë parasysh faktet dhe legjislacionin në fuqi.
Neni 8
Regjistrimi në Regjistrin e Fondeve
1. Regjistrimi i sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Regjistrin e Fondeve bëhet vetëm pas dhënies së licencës nga AMF-ja për themelimin dhe funksionimin e sipërmarrjes.

2. Në çastin e dhënies së licencës nga AMF-ja dhe të regjistrimit në Regjistrin e Fondeve, i cili është uniform, i pandryshueshëm dhe unik, çdo sipërmarrjeje të investimeve kolektive i jepet një numër identifikimi

Neni 9

Njoftimi i regjistrimit

Vendimi për regjistrimin në Regjistrin e Fondeve botohet në buletinin zyrtar të AMF-së.

KREU II

SHOQËRITË ADMINISTRUESE

SEKSIONI 1

KRIJIMI DHE FUNKSIONIMI

Neni 10

Objekti i shoqërisë administruese

1. Shoqëria administruese është shoqëri aksionare, me afat të pacaktuar, në të cilën 51 % të aksioneve ose të së drejtës se votës janë në pronësi të bankave apo të institucioneve financiare. Shoqëria administruese regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me objekt  kryesor  veprimtarinë e themelimit dhe/ose administrimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe veprimtari të tjera, që parashikohen në këtë ligj. 

2. Organizimi i shoqërisë administruese bëhet sipas modelit me një nivel drejtimi.

Neni 11

Emërtimi i shoqërisë administruese

1. Termat “shoqëri e administrimit të fondit”, “shoqëri investimi”, “këshilli i administrimit të fondit”, “investitor”, “investim” ose “për të investuar”, veçmas ose së bashku me termat e tjerë, mund të përdoren në emërtimin e shoqërisë ose në shtojcën e emërtimit të saj vetëm nga shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive për paraqitjen e objektit të veprimtarisë tregtare të shoqërisë dhe për qëllime marketimi.

2. Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet për shoqëritë, që përdorin termat “administrim fondesh”, “investim”, “investitor”, ose “për të investuar” në një kontekst që nuk nënkupton se objekti i veprimtarise tregtare të shoqërisë është themelimi dhe/ose administrimi i sipërmarrjeve kolektive të investimeve, që do të thotë investimi i aseteve në emër dhe për llogari të pronarëve të kuotave në një fond investimi, ose në emër dhe për llogari të aksionarëve të shoqërisë së investimit.

Neni 12

Kapitali i regjistruar  i shoqërisë administruese dhe burimet e tij

1. Vlera minimale e kapitalit themeltar të regjistruar të shoqërisë administruese është  15 625 000 lekë. Në rast se vlera neto e aseteve tejkalon ekuivalentin prej 31 250 000 000 lekë, kapitali themeltar i regjistruar i shoqërisë administruese do të zmadhohet me të paktën     0.02 % të shumës me të cilën vlera neto e aseteve të fondeve të administruara, ku do të përfshihen të gjitha asetet mbi të cilat shoqëria administruese ka autoritet për të administruar, tejkalon pragun e përmendur në këtë paragraf, deri në shumën maksimale 125 000 000 lekë të kapitalit themeltar regjistruar.

2. Kapitali themeltar i pjesëmarrjes për themelimin e shoqërisë administruese nuk mund të jetë hua, kredi ose paradhënie nga persona të tretë.  

3. Forma, llogaritja dhe shuma e kapitalit themeltar të regjistruar, që duhet të kenë detyrim shoqëritë administruese, përcaktohen me rregullore të AMF-së. 

Neni 13

Objekti i veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese

1. Shoqëritë administruese mund të kryejnë kryesisht  veprimtari për themelimin dhe/ose administrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, përveç rasteve kur AMF-ja jep licencën ose autorizimin me shkrim për kryerjen edhe të ndonjë veprimtarie tjetër. Objekti përfshin:

a) administrimin e aseteve të sipërmarrjes së investimeve kolektive,
b) promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe shitjen e kuotave në fondet e investimit ose të aksioneve në shoqëritë e investimit,
c) kryerjen e detyrave administrative, që përfshijnë, ndër të tjera,:

i. mbajtjen e librave të llogarive kontabël dhe përgatitjen e raporteve financiare;
ii. përcaktimin e vlerës neto të aseteve dhe llogaritjen e çmimit të kuotave ose të aksioneve;
iii. harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë administruese me ligjet dhe rregulloret përkatëse; 
iv. publikimet dhe raportimet tek aksionarët dhe pronarët e kuotave;
v. pagesat për aksionarët ose pronarët e kuotave nga asetet ose fitimi i fondit;
vi. shlyerjen e kuotave në një fond investimi dhe shlyerjen e aksioneve në shoqëritë e investimit me ofertë publike; 
vii. mbajtjen e regjistrit të pronarëve të kuotave ose të aksionareve;
viii. mbajtjen e të dhënave në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
ix. detyra të tjera të natyrës administrative, të miratuara nga    AMF-ja.

2. Shoqëritë administruese nuk mund të licencohen nga AMF-ja për të kryer vetëm shërbimet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” pa qenë të licencuara edhe për shërbimin e parashikuar në shkronjën “a”.

3. Shoqëritë administruese mund të licencohen nga AMF-ja për të kryer, përveç administrimit të aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, edhe administrimin e fondeve të pensioneve, apo të portofoleve individuale. Në këto raste AMF-ja ka të drejtë të vendosë kushte shtesë për shoqëritë administruese, që duan të administrojnë këto veprimtari të tjera.


Neni 14

Zhvillimi i veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese

1. Shoqëria administruese:

a) gjatë kryerjes së veprimtarisë të saj tregtare vepron me ndershmëri dhe paanësi, në interesin më të mirë të investitorëve dhe të integritetit të tregut;  
b) gjatë kryerjes së detyrave si shoqëri administruese do të veprojë me aftësinë dhe kujdesin e duhur, duke zbatuar rregullat profesionale, zakonin e mirë tregtar dhe aktet ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë,
c) duhet të jetë në gjendje të shlyejë në kohën e duhur dhe në mënyrë të vazhdueshme të gjitha detyrimet monetare, në përputhje me këtë Ligj dhe ligjin për shoqëritë tregtare; 
ç) duhet të jetë përgjegjëse për ushtrimin e duhur, në kohë, dhe efiçent të të gjitha të  drejtave dhe të detyrimeve të parashikuara në këtë ligj, në prospektin dhe/ose rregullat e fondit, pavarësisht nëse ndonjëra prej tyre i është deleguar palëve të treta;
d) garanton ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave të shoqërisë administruese për aksionarët, pronarët e kuotave, gjendjen e kuotave të fondit, shlyerjet dhe riblerjet, të dhëna të cilat mund të jepen vetëm në bazë të një vendimi ose urdhri të gjykatës, të një marrëveshjeje mirëkuptimi për shkëmbim informacioni, që garanton ruajtjen e ndërsjellë të sekretit, kërkesës  individuale të një pronari kuotash ose aksionari, si dhe të depozitarit; 
dh) garanton se të gjitha dokumentet, komunikimet dhe njoftimet promocionale, që u  bëhen aksionarëve ose pronarëve të kuotave, qoftë të adresuara drejtpërdrejt ose të publikuara në shtyp apo nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit publik, janë të qarta, të sakta, jomashtruese dhe në përputhje me ligjin dhe kërkesat e      AMF-së;
e) organizon shitjen e kuotave të fondeve të investimit ose të aksioneve të shoqërisë së investimit vetëm nëpërmjet personave të parashikuar në nenin 92, të këtij ligji;
ë) blen asetet për fondin e investimit vetëm, në emër dhe për llogari të fondit të investimit, domethënë të mbajtësve të kuotave të fondit që ajo administron, dhe në emër dhe për llogari të shoqërisë së investimit, duke i depozituar asetet te një depozitar, në përputhje me rregulloret e përcaktuara nga AMF-ja;    
f) i dërgon depozitarit një kopje të të gjitha dokumenteve origjinale për transanksionet, që përfshijnë asetet e fondeve të investimit dhe/ose të shoqërisë së investimit, menjëherë pas përgatitjes së këtyre dokumenteve ose pas marrjes së tyre;
g) ruan të dhënat e transanksioneve, që lidhen me asetet e fondeve ose të shoqërive të investimit, veçmas nga llogaritë e veta dhe dokumentet e evidencave, që lidhen me fonde të tjera, dhe i pasqyron ato në periudha të rregullta kohore, në llogaritë e depozitarit, 
gj) raporton për fondet dhe shoqëritë e investimit, që ajo administron, si dhe lidhur për vetë shoqërinë administruese në përputhje me ligjin dhe rregulloret e AMF-së; 
h) depoziton në AMF raporte periodike siç është parashikuar në këtë ligj dhe rregulloret e AMF-së; 
i) mban marrëdhënie të ndershme dhe të drejta me AMF-në;
j) i raporton AMF-së çdo ndryshim për anëtarët e këshillit të administrimit, anëtarët e komitetit të kontrollit, strukturën e aksionarëve dhe kapitalin e regjistruar, si dhe çdo ndryshim tjetër për kushtet e miratuara më parë nga AMF-ja;
k) lejon AMF-në të inspektojë të dhënat e ruajtura nga shoqëria administruese dhe i bën ato të disponueshme në kohën e duhur, si dhe lejon takime dhe intervista me çdo person, që kryen një veprimtari të caktuar në shoqërinë administruese;  
l) nuk lidh kontrata me qëllim kufizimin ose ndryshimin e përgjegjësive dhe të detyrimeve të parashikuara në këtë ligj. Çdo marrëveshje e tillë do të konsiderohet e pavlefshme;
ll) siguron që punonjësit e saj dhe çdo subjekt tjetër, me të cilin është lidhur një kontratë për shitjen e aksioneve të shoqërisë së investimit ose kuotat e fondit të investimit, veprojnë në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret përkatëse në fuqi;
m) cakton të paktën dy anëtarë joekzekutivë të këshillit të administrimit në komitetin e kontrollit, për të garantuar përputhshmërinë e veprimeve të shoqërisë administruese me dispozitat e këtij ligji dhe çdo rregullore tjetër, si dhe për mbajtjen e kontakteve të rregullta me AMF-në;
n) administron fondet në përputhje me objektivat e investimit të çdo fondi apo shoqërie investimi, që ka nen administrim;
nj) nxjerr urëdhra të qartë dhe të kuptueshëm për depozitarin, në mënyrë që ai të ushtrojë të drejtat, që lidhen me  asetet e fondit;
o) garanton që llogaritja e vlerës së fondeve është e saktë dhe se çmimi i kuotës ose i aksionit është përcaktuar si duhet. 

2. AMF-ja miraton rregullore të veçantë për mënyrat e sjelljes, e cila është e detyrueshme për t’u zbatuar në çdo kohë nga shoqëria administruese kanë detyrimin t’i zbatojnë në çdo kohë.

Neni 15

Delegimi i funksioneve

1. Shoqëria administruese, në bazë të një marrëveshjeje me shkrim, mund t’ia delegojë, administrimin e një pjese të portofolit të fondit të investimit, me qëllim kryerjen më efikase të veprimtarise të saj, një subjekti, që kryen veprimtari, si shoqëri komisionere, por vetëm pas miratimit të shprehur me shkrim të AMF-ja. AMF-ja miraton kushtet dhe kriteret e kësaj marrëveshjeje dhe drejtorët ekzekutivë të shoqërisë administruese duhet të jenë në gjendje të monitorojnë efektivisht në çdo kohë veprimtarinë e sipërmarrjes, për të cilën u është dhënë mandati.   

2. Shoqëria administruese nuk mund ta delegojë administrimin e shoqërisë.  

3. Lidhja e marrëveshjeve të parashikuara në këtë nen nga shoqëria administruese nuk e çliron ate nga përgjegjësia e përcaktuar në nenin 34 të këtij ligji, kundrejt pronarëve të kuotave ose të aksionarëve të shoqërisë investuese. 

4. Shoqëria administruese është përgjegjëse kundrejt pronareve të kuotave ose aksionareve të një shoqërie investimi për çdo mospërmbushje ose përmbushje të parregullt të marrëveshjeve të specifikuara në paragrafin (i) të këtij neni, bashkërisht ose veçmas me subjektin me të cilin janë lidhur këto marrëveshje, përveç nëse dëmi vjen si pasojë e rrethanave, për të cilat ky subjekt nuk është përgjegjës. Në çdo rast shoqëria administruese mbetet gjithmonë përgjegjëse kryesore ndaj pronarëve të kuotave ose të aksionarëve të shoqërisë investuese. 

5. Shoqëria administruese nuk duhet t’i delegojë administrimin e një portofoli fondi investimesh ose të një shoqërie investimi a të një pjesë të tij, një depozitari të fondeve dhe/ose shoqërisë së investimit apo ndonjë subjekti tjetër, interesat e të cilit mund të bien ndesh me ato të shoqërisë administruese, pronarëve të kuotave  ose aksionarëve të shoqërisë investuese.

Neni 16

Licencimi i  shoqërisë administruese

1. Shoqëria administruese nuk mund të kryejë promovimin, marketimin, tregtimin, si dhe nuk mund të bëjë ofertë për shitjen e ndonjë kuotë apo aksioni të një sipërmarrjeje investimi kolektiv pa qenë e licencuar nga AMF-ja.

2. Kërkesa për t’u pajisur me licencë për kryerjen e veprimtarisë së administrimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive do të shoqërohet me:

a) Dokumente, që vërtetojnë se subjekti, është shoqëri aksionare e themeluar dhe e regjistruar në përputhje me ligjin Për shoqëritë tregtare, përfshirë aktin e themelimit, dokumente, që provojnë se kapitali themeltar i shoqërisë është shlyer plotësisht, dhe dokumente, që vërtetojnë burimin e tij, dokumente, të cilat duhet të provojnë se themeluesi ose bleresi e ka paguar kapitalin themeltar ose atë për blerjen e aksioneve me të ardhura të ligjshme; 
b) dokumente, që vërtetojnë se aksionarët ndikues të shoqërisë, anëtarët e këshillit të administrimit, drejtuesit ekzekutivë dhe kontrollori i brendshëm  janë, si veçmas ashtu edhe bashkërisht, subjekte të përshtatshëm dhe të duhur për të drejtuar veprimtari tregtare. Dokumentet, që nevojiten për të përcaktuar nëse këta persona plotësojnë kërkesën për të qenë ‘të përshtatshëm dhe të duhur’, siç parashikohet në nenin 18 të këtij ligji, përfshijnë diplomat, certifikatat dhe dokumentet e tjera përkatëse që vërtetojnë formimin profesional, japin biografi të plota të personave, të renditur në këtë paragraf,  paraqesin përvojën e tyre profesionale dhe përmbajnë, gjithashtu emrat dhe të dhënat e kontaktit të personave, që mund të vërtetojnë saktësinë e të dhënave biografike, një deklaratë të nënshkruar dhe të noterizuar nga secili person nëse është në proces hetimi për kryrjen e veprave penale;
c) planin e biznesit për shoqërinë administruese, i planifikuar për një minimum prej tri vjetësh, ku jepet një  një përshkrim i veprimtarisë tregtare që subjekti ka qëllim të kryejë, mënyra e përmbushjes së kërkesave për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe perspektivat e zhvillimit të projektit. Plani i biznesit do të përmbajë përshkrime të hollësishme : 

i. mënyrën e organizimit të shoqërisë, përfshirë informacionin për madhësinë e parashikuar të fondeve, që ka qëllim të ofrojë shoqëria administruese;
ii. planin e marketingut të shoqërisë;
iii. planin operacional të shoqërisë, përfshirë dhe mënyrën e raportimit si, së brendshmi, tek administrimi i saj ashtu dhe, së jashtmi, tek AMF-ja;
iv. planin financiar, përfshirë dhe përshkrimin se si do të mbulohet kostoja e fillimit të veprimtarisë dhe si do të respektohet kërkesa për mjaftueshmërinë e kapitalit; 
v. analizimin e risqeve,  përfshirë dhe një përshkrim se si aplikanti do të adresojë riskun operacional, riskun e kreditit, riskun e përputhshmërisë me bazën ligjore  dhe riskun e reputacionit.  

   ç)  një përshkrim të strukturës organizative, ku jepen: 

i. funksioni i kontrollit të brendshëm, përfshirë dhe emrat e personave përgjegjës për këtë funksion;
ii. funksioni i administrimit të riskut, përfshirë dhe emrat e personave përgjegjës për këtë funksion;  
iii. informacioni për sistemet teknologjike, që do të përdoren,  përfshirë një deklaratë nga eksperti kontabël i jashtëm, që vërteton se sistemi i informimit të shoqërisë administruese është i përshtatshëm për të siguruar informacionin e kërkuar sipas këtij ligji.

d) marrëveshjen paraprake ndërmjet shoqërisë administruese dhe një depozitari, që vërteton se depozitari do të ofrojë shërbime kujdestarie për shoqërinë administruese;
dh) listën e  aksionarëve të shoqërisë administruese, emrat dhe mbiemrat e tyre, adresën ose emrin e shoqërisë aksionare dhe selinë e regjistruar, vlerën nominale të aksioneve, dhe përqindjen e aksioneve të mbajtura nga çdo aksionar;
e) listën e personave të lidhur me shoqërinë administruese, nese ka;
ë) dokumentet, që vërtetojnë përmbushjen e kërkesës ‘i duhur dhe i përshtatshëm’ ashtu siç është parashikuar në nenin 18të këtij ligji;
f) kontratën e punës/shërbimit me këshilltar/ë investimi, nëse ka;
g) kontratat e delegimit, nëse ka;
 gj)  rregulla për parandalimin dhe menaxhimin e çdo konflikti interesash;
h) rregulla për ndarjen e administrimit të fondit të investimit nga të gjitha veprimtaritë e tjera, në të cilat është angazhuar shoqëria administruese e fondit të investimit;
i) rregulla për ndarjen e funksioneve të brendshme në veprimtarinë e shoqërisë, sipas strukturës së saj;
j) rregulla për përgjegjësitë e vendimmarrjes;
k) rregulla për konfidencialitetin;
ll) rregulla për mënyrat e komunikimit, në bazë të së cilave investitorët  kontaktojnë shoqërinë administruese të fondit të investimit.

3. AMF-ja mund t’i kërkojë aplikantit të paraqesë informacione dhe dokumente shtesë, ose të kërkojë verifikimin e këtij informacioni, siç e konsideron të nevojshme. AMF miraton një rregullore me kërkesa shtesë, si dhe lidhur me përmbajtjen dhe formën e aplikimit për marrjen e autorizimit.  

4.  AMF-ja do ta shqyrtojë aplikimin brenda nëntëdhjetë ditëve kalendarike nga data që  konfirmon marrjen e aplikimit të plotë. Nëse AMF-ja nuk jep një përgjigje brenda kufirit kohor të caktuar atëherë licenca do të konsiderohet se është dhënë. Në rast se aplikimi refuzohet, duhet të jepen shkaqet e këtij refuzimi, në përputhje me kërkesat procedurale administrative.

Neni 17

Kualifikimet

1. Të paktën dy anëtarë ekzekutivë të këshillit të administrimit të shoqërisë administruese duhet të kenë njohurinë profesionale dhe  për administrimin e veprimtarive të shoqërisë administruese. Në përgjithësi, këta anëtarë duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: 

a) Të kenë zotësi të plotë juridike për të kryer transanksione me efekt ligjor;
b) Të mos jenë shpallur fajtor per kryerje veprash penale;
c) Të jenë personat e duhur dhe të përshtatshëm për këtë pozicion;
ç) Të kenë të paktën tre vjet përvojë pune në një pozicion, profesional, drejtues ose të pavarur në një institucion financiar, si dhe të kenë qenë anëtarë të organeve drejtuese të këtyre institucioneve ose të jenë të licencuar apo miratuar nga AMF-ja për të ushtruar profesionin e këshilltarit të investimit në Republikën e Shqipërisë;
d) Të kenë kualifikime dhe certifikata në programe të njohura nga AMF-ja, që të vërtetojnë aftësinë profesionale në fushën e administrimit të fondeve të investimeve dhe të portofoleve;
dh) T’i nënshtrohen testimit për njohuritë e fushës dhe legjislacionit, sipas rregullave të përcaktuara nga AMF-ja.
e) Çdo anëtar tjetër i këshillit të administrimit të një shoqërie administruese duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në shkronjat “a” deri “c”, të pikës 1, të këtij neni.

Neni  18

Kërkesa për të qenë i duhur dhe i përshtatshëm

1. Çdo person, i cili është ose do të bëhet aksionar ndikues, anëtar i këshillit të administrimit ose kontrollit në një shoqëri administruese, duhet të jetë i duhur dhe i përshtatshëm për të mbajtur këtë pozicion të caktuar.  

2. Për të përcaktuar nëse një person është i duhur dhe i përshtatshëm për të mbajtur një pozicion të caktuar do të merren parasysh:

a) integriteti, ndershmëria, kujdesi dhe përkushtimi për të përmbushur përgjegjësitë, që lidhen me atë pozicion;
b) kompetenca, aftësitë profesionale dhe logjika e gjykimit, për përmbushjen e përgjegjësive, që lidhen me atë pozicion; 
c) fakti nëse interesat e klientëve të subjektit të licencuar ose të subjektit të propozuar për t’u licencuar, mund të cenoheshin nga një konflikt interesi, që buron nga personi, i cili mban atë pozicion.
 

3. Përveç dispozitave të sipërpërmendura, në përgjithësi, do të vlerësohen   gjithashtu, edhe sjelljet dhe veprimtaritë e mëparshme në biznes ose çështje financiare të personit në fjalë, dhe, në veçanti, duhet të kryhen hetime të posaçme, nëse ekziston ndonjë provë që personi ka qenë: 

a) i dënuar për një vepër penale;
b) i përfshirë ose i lidhur me një humbje financiare, që ka ndodhur për shkak të pandershmërisë, paaftësisë ose praktikës jo të mirë në sigurimin e shërbimeve financiare apo në administrimin e shoqërive të tjera; 
c) i përfshirë në ndonjë praktikë biznesi,  përfshirë dhe evazionin fiskal, që autoriteti e konsideron si vepër mashtruese apo të rëndë, ose, në përgjithësi, e vlerëson si një vepër të parregullt, qoftë ose jo e ligjshme, ose si ndonjë vepër e cila vë në dyshim përqasjen e kryerjes së shërbimeve financiare apo të veprimtarive të tjera tregtare nga ky person. 

4. Personat, që janë shpallur fajtorë për kryerjen e një vepre penale, nuk mund të mbajnë ose të jenë faktorë ndikues të një pakete kontrolluese, të jenë administratorë ose të mbajnë një pozicion drejtues në shoqërinë administruese. “Paketë kontrolluese”, për qëllime të kësaj pike, është:  

a) pronësia e mbi 50 për qind të një klase titujsh me të drejtë vote;
b) mundesia për të zgjedhur shumicën e administratorëve të këshillit, ose administratorët e çdo organi politikë-bërës; ose  
c) ushtrimi i një ndikimi kontrollues mbi administrimin ose politikat e një shoqërie administruese. 

5.  Një aksionar ndikues, drejtor, drejtues ekzekutiv ose administrator i një shoqërie administruese nuk mund të jetë aksionar ndikues, drejtor, drejtues ekzekutiv ose administrator i një depozitari, që do të ruajë asetet e fondit të pensioneve të shoqërisë administruese, ose të një personi te lidhur me depozitarin.

6.  AMF-ja miraton një rregullore për të përshkruar me hollësi përkufizimin e kërkesës për të qenë i duhur dhe i përshtatshëm.

Neni 19

Funksioni i kontrollit të brendshëm dhe i administrimit të riskut

1. Shoqëria administruese do të ketë një funksion të kontrollit të brendshëm financiar dhe një funksion të administrimit të riskut, me madhësi dhe kapacitet të përshtatshëm për veprimtarinë tregtare të kryer nga shoqëria administruese.

2. Personat, që kryejnë funksionin e kontrollit të brendshëm financiar dhe të administrimit të riskut, janë të pavarur dhe i raportojnë drejtpërdrejt këshillit të administrimit të shoqërisë administruese.

3. Kontrolli i brendshëm ka këto funksione:

a) Kontrollon nëse shoqëria administruese është e organizuar në mënyrë të tillë që të nxisë, administrimin efektiv dhe të kujdesshëm të biznesit, si dhe monitoron këshillin për përmbushjen e kësaj cilësie administrimi;
b) Kontrollon zbatimin e parimeve e të qeverisjes së shoqërive, përcaktimin e politikave dhe të strategjive për respektimin e këtyre parimeve, si dhe mat çdo vit zbatimin e këtyre politikave e strategjive. Parimet e qeverisjes së shoqërive duhet të përfshijnë standarde të sjelljes gjatë kryerjes së veprimtarisë tregtare dhe të sjelljes etike të drejtorëve, administratorëve dhe të çdo punonjësi tjetër, politika për transanksionet personale, dhe praktika të tjera transanksionesh me një natyrë, që i përmbahet parimit të trajtimit të njëjtë pa kushte favorizuese; 
c) Mbikëqyr veprimtarinë e shoqërisë administruese dhe jep orientime të përditshme, për të garantuar se ai subjekt përputhet me objektivat dhe politikat e miratuara nga këshilli i administrimit, si dhe me legjislacionin përkatës; 
ç) I bën rekomandime këshillit të administrimit për shqyrtim dhe miratim prej tij, për objektivat, strategjinë, planet e biznesit dhe politikat kryesore, që rregullojnë veprimtarinë e institucionit;
d) I jep këshillit informacionin e nevojshëm e të hollësishëm, për t’i mundësuar shqyrtimin e objektivave, të strategjisë dhe të politikave të biznesit, si dhe mbajtjen nga administratorët të përgjegjësisë për veprimtarinë e shoqërisë.  

4. Funksioni i administrimit të riskut ka këto përgjegjësi:

a) Krijimin dhe sugjerimin te këshilli i administrimit të miratimit të një sistemi për administrimin e riskut në sipërmarrjen e investimeve kolektive, që përfshin monitorimin e politikave të vendosura, në mënyrë që të identifikohen, maten, monitorohen dhe kontrollohen, në mënyrë të vazhdueshme, të gjitha rreziqet kryesore;
b) Krijimin e sistemit të administrimit të riskut, që monitoron rreziqet që i kanosen shoqërisë, përfshirë rrezikun e tregut, të kreditit, operacional, të emrit të mirë, ligjor dhe atë që lidhet me veprimet e administratorëve në kundërshtim me interesat e pronarëve të kuotave dhe të aksionarëve; 
c) Mbikëqyrjen e veprimtarisë së shoqërisë administruese dhe mënyrën e saj administrimit e të sipërmarrjes së investimeve kolektive, si dhe dhënien e orientimeve të përditshme për të garantuar se kjo shoqëri individualisht dhe gjatë administrimit të sipërmarrjes së investimeve kolektive, vepron brenda kufijve të risqeve, të përcaktuara nga këshilli i administrimit, të parashikuara në prospektin dhe rregullat e fondit;
ç) Përcaktimin e saktë dhe të pavarur të vlerës së derivateve financiare, të tregtuara në tregje të tjera të rregulluara. Shoqëria administruese, në përputhje me rregullat e përshkruara nga AMF-ja, do t’i raportojë kësaj të fundit, për çdo sipërmarrje individuale të investimeve kolektive, në lidhje me llojet e derivativeve financiare në portofolin e sipërmarrjes së investimeve kolektive, risqet që lidhen me to, kufijtë sasiorë dhe metodologjinë e zbatuar për matjen e risqeve të rrjedhura nga pozicionet dhe transanksionet, që përfshijnë këto derivative. Kur titujt ose instrumentet e tregut të parasë kanë derivate të lidhura me to, këto duhet të merren parasysh kur të llogaritet ekspozimi ndaj rrezikut të  sipërmarrjes së investimeve kolektive, që parashikohet në këtë nen.

Neni 20

Kërkesat për kontabilitetin dhe kontrollin e jashtëm financiar

1. Shoqëria administruese duhet:

a) t’i nënshtrohet kontrollit financiar nga një ekspert kontabël i autorizuar i jashtëm, çdo vit. AMF-ja ka të drejtë të kryejë kontroll financiar në çdo periudhë të vitit, që e gjykon të nevojshme, shpenzimet e të cilit përballohen nga vetë AMF-ja. Eksperti kontabël i autorizuar duhet të kryejë kontrollin financiar në përputhje me standardet ndërkombëtare; 
b) të mbajë vazhdimisht regjistra kontabël, të plotë dhe të rregullt, të përditësuara çdo muaj;
c) të përgatisë çdo vit pasqyrat financiare për vitin financiar të shoqërisë administruese, në përputhje me standardet e pranuara të SNRF (Standartet Ndërkombëtare të Raportimeve Financiare), që pasqyrojnë, me hollësi, pozicionin financiar të biznesit në ditën e fundit të vitit financiar, rezultatin financiar të veprimtarisë dhe pasqyrën e rrjedhës së parasë për atë periudhë. Pasqyrat financiare duhet të paraqesin si duhet situatën e veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese e duhet të trajtojnë çdo çështje, e cila ka ndikuar ose ka mundësi të ndikojë në situatën financiare të shoqërisë; 
ç) të paraqesë kur është shoqëri e kontrolluar, të dyja grupet e pasqyrave financiare vjetore, të kontrolluara, atë individuale dhe atë të konsoliduar.  
2. Shoqëria administruese duhet të bëjë të mundur që pasqyrat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, të kontrollohen  çdo vit nga një ekspert kontabël i jashtëm, i caktuar nga shoqëria administruese, në mënyrë që të përgatitet një:

a) bilanc i audituar, përfshirë edhe shënimet, komentet, mendimet dhe dokumentet bashkëngjitur;
b) pasqyrë e audituar të ardhurash dhe shpenzimesh, përfshirë edhe shënimet, komentet, opinionet dhe dokumentet bashkëngjitur;
c) pasqyrë e audituar për rrjedhjen e parave.

Neni 21

Regjistrimet kontabël

1. Shoqëria administruese duhet të mbajë në çdo kohë regjistrimet kontabël, që nevojiten për të paraqitur qartë dhe saktë gjendjen e veprimtarise tregtare, për të shpjeguar transanksionet dhe pozicionin financiar dhe për të bërë të mundur që AMF-ja të përcaktojë nëse ajo ka vepruar në përputhje me dispozitat e ligjit.

2. Regjistrimet kontabël të përcaktuara në pikën 1, duhet të ruhen për të paktën pesë vjet. 

3. Regjistrimet kontabël duhet të jenë të tilla që të mund të riprodhohen në formë të lexueshme sa herë që kjo gjë kërkohet.

Neni 22

Ekspertët kontabël të jashtëm

1. Jo më vonë se dy muaj pas licencimit sipas këtij ligji, shoqëria administruese duhet të caktojë një ekspert kontabël të jashtëm, për të audituar pasqyrat e saj financiare.

2. AMF-ja mund të miratojë kritere shtesë për ekspertët kontabël të autorizuar, të  cilët mund të certifikohen brenda fondeve të investimit.

3. Shoqëria administruese nuk mund të emërojë si ekspert të saj kontabël subjektin, ku njëri nga drejtorët, administratorët, ortakët ose zyrtarët e lartë të saj ka një interes financiar në shoqërinë administruese dhe në ndonjë nga veprimtaritë e veta tregtare. Për qëllime të këtij neni, pronari i kuotave dhe/ose aksionari në një sipërmarrje të investimeve kolektive nuk do të konsiderohet se ka interes financiar në shoqërinë administruese.
4. Nëse emërimi i një eksperti kontabël të jashtëm përfundon për çfarëdo lloj arsye, ai do t’i paraqesë AMF-së një deklaratë, ku të shpjegohen se cilat janë shkaqet që ai mendon se kanë shkaktuar këtë përfundim dhe do të informojë AMF-ja me shkrim, për çdo çështje lidhur me veprimtaritë e shoqërisë administruese, për të cilat eksperti kontabël i autorizuar është vënë në dijeni gjatë përmbushjes së funksionit të tij dhe që, sipas mendimit të ekspertit kontabël të autorizuar, mund të dëmtojnë aftësinë e shoqërisë administruese për të zbatuar kërkesat e këtij ligji.  

Neni 23

Ndryshimi i kontrollit

1. Aksionar ndikues i  shoqërisë administruese nuk do të bëhet asnjë person nëse:

a) ai nuk ka njoftuar më parë me shkrim autoritetin për qëllimin e tij; 
b) autoriteti nuk e ka njoftuar atë me shk

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›