E Shtunë, 31 Tetor 2026

"MARGIN: 0in 0in 10pt">PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” Në mbështetj

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” , për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

*** P R O J E K T L I G J

 

PËR

PROFESIONET  E  RREGULLUARA  NË  REPUBLIKËN  E  SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2

Qëllimi i ligjit

Qëllimi i këtij ligji është :

a) përcaktimi i kritereve për ushtrimin e disa profesioneve të rëndësishme, të cilat lidhen me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionistëve;

b) mbrojtja dhe garantimi i standardeve për disa profesione të rëndësishme, në mënyrë që ushtrimi i tyre të bëhet prej personave të kualifikuar, të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga ky ligj apo ligje të tjera.

 

Neni 3

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për çdo person, i cili kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj nuk zbatohet:

a)   për veprimtaritë e ushtruara në profesionin e rregulluar, që lidhen me kryerjen e funksioneve në autoritetet gjyqësore.

b)   për profesionet, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, kanë kërkesa të veçanta, por jo domosdoshmërisht të karakterit të formimit apo kualifikimit të kërkuar për profesionet e rregulluara.

Neni 4

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme nënkuptohen:

a)     “Profesion i rregulluar”, një veprimtari apo grup veprimtarish profesionale, e drejta e ushtrimit të të cilave ose njëra nga format e ushtrimit rregullohet me ligj a akte nënligjore dhe kushtëzohet me një nivel të caktuar formimi ose me zotërimin e kualifikimeve profesionale të veçanta.

b)    ”Kualifikime profesionale”, kualifikimet e certifikuara me një titull studimi, një dëshmi aftësie ose një përvojë profesionale;

c)     “Dokument zyrtar i formimit apo kualifikimit profesional”, diploma, certifikata ose dëftesa, lëshuar nga autoriteti kompetent, në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, që certifikon përfundimin e suksesshëm të një formimi apo kualifikimi profesional, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

ç) “Autoriteti kompetent”, çdo autoritet, i ngarkuar me akt, ligjor apo nënligjor, si përgjegjës e rregullator për një apo më shumë profesione të rregulluara, për njohjen e së drejtës së ushtrimit të tyre, për pranimin e aplikimeve, të deklarimeve dhe marrjen e vendimeve;

d)     “Formim i rregulluar”, formimi i orientuar drejt ushtrimit të një profesioni të caktuar dhe që i referohet një programi studimi, pas shkollës së mesme, një formimi profesional shtesë apo një praktike profesionale, struktura dhe niveli i të cilit përcaktohen me ligj ose akt nënligjor dhe mbikëqyren e miratohen nga autoritetet e caktuara për këtë qëllim;

dh) “Përvojë profesionale”, ushtrimi i ligjshëm i një profesioni, për një periudhë të caktuar kohe, të parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, me ligj apo akt nënligjor;

e)     “Praktika profesionale”, ushtrimi i një profesioni të rregulluar për një periudhë të caktuar kohe nga ana e praktikantit, në drejtimin e përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar, që mund të shoqërohet me një formim shtesë, sipas mënyrës së përcaktuar nga autoriteti kompetent, në bashkëpunim me urdhrin profesional përkatës;

ë) “Provimi i shtetit për formim profesional”, kontrolli vetëm për njohuritë profesionale të kandidatit, që organizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky provim kryhet sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë ligj dhe vlerëson njohuritë dhe aftësitë e kandidatit për ushtrimin e një profesioni të rregulluar;

f)      “Kandidat”, personi fizik, i cili gëzon një dokument zyrtar të formimit apo kualifikimit profesional dhe që kandidon për të marrë titullin e një profesioni të rregulluar;

g)     “Urdhri profesional”, (më poshtë UP), enti publik kombëtar, jofitimprurës, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të profesioneve në një fushë të caktuar dhe rregullon marrëdheniet ndërmjet tyre, në funksion të publikut.

Neni 5

Profesionet e rregulluara

1. Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë profesioni i:

a)       mjekut;

b)       mjekut të specializuar;

c)       dentistit;

ç) dentistit të specializuar;

d)       farmacistit;

dh)  infermierit;

e)       mamisë;

ë) veterinerit;

f)        arkitektit;

g)       inxhinierit.

2. Profesione të rregulluara janë edhe profesionet e përcaktuara si të tilla me ligje të tjera, të veçanta.

KREU II

KUSHTET DHE KRITERET PËR USHTRIMIN E PROFESIONIT TË RREGULLUAR

Neni 6

Ushtrimi i profesionit të rregulluar

1.     Të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar e ka çdo shtetas, shqiptar ose i huaj, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj ose në ligje të tjera, të veçanta.

2.     Profesioni ushtrohet si person, fizik ose juridik, me cilësinë e të vetëpunësuarit ose të të punësuarit, sipas kërkesave të përcaktuara nga      UP-ja përkatëse.

3.     Ushtrimi i një profesioni të rregulluar bëhet në përputhje me parimet e mëposhtme:

a)       Liria e konkurrencës së profesionistëve;

b)       Autonomia dhe pavarësia e gjykimit intelektual e teknik e profesionistit;

c)       Korrektësia dhe cilësia e shërbimeve për mbrojtjen e përfituesit të shërbimit e të interesave publike, duke garantuar ushtrimin korrekt e ligjor të profesionit, pavarësisht nga mënyra apo forma e ushtrimit të tij;

ç)  Liria e zgjedhjes nga përfituesi i shërbimit;

d)       Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar pa të drejtë.

Neni 7

Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar

Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit, dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 8

Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar

Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet të:

a)     kryejë provimin e shtetit;

b)    kryejë praktikën profesionale;

c)     regjistrohet në UP-në përkatëse.

Etapat, që ndjek kandidati, për të ushtruar një profesion të rregulluar, përcaktohen nga UP-ja përkatëse, sipas veçantive të çdo profesioni të rregulluar.

 

Neni 9

Provimi i shtetit për formim profesional

1.     Provimi i shtetit për formim profesional:

a)     realizon garancitë publike, për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar.

b)    kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar  uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme, sipas specifikave të çdo profesioni.

2.     Përmbajtja e provimit të shtetit për formim profesional hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale dhe me  programin e studimit.

3.     Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës.

4.     Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit për formimin profesional:

a)     profesionisti, që në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron një profesion të rregulluar;

b)    profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave.

Neni 10

Organizimi i provimit të shtetit për formim profesional

1. Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria, që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me  autoritetin kompetent përkatës.

2. Me urdhër të ministrit, që mbulon fushën e arsimit dhe të autoritetit kompetent përkatës, ngrihet Komisioni Kombëtar i Vlerësimit, (në vijim KOMKOV), me këtë përbërje:

a)      Një përfaqësues i caktuar drejtpërdrejt nga ministri, që mbulon fushën e arsimit ;

b)    Një përfaqësues i autoritetit kompetent;

c)     Një përfaqësues, anëtar i UP-së përkatëse,

ç) Dy përfaqësues nga personeli akademik i universiteteve, të akredituara për programin përkatës të studimit të profesionit të rregulluar, të cilët kanë titullin  shkencor “Profesor” dhe kanë, të paktën, 10 vjet përvojë pune në institucionet e arsimit të lartë.

3. Anëtarët e përcaktuar në shkronjat  “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij neni, emërohen sipas mënyrës së mëposhtme:

a)     UP-ja i propozon autoritetit kompetent të paktën dy kandidatura, prej të cilave zgjidhet përfaqësuesi i përcaktuar në shkronjën “c” , të pikës 2, të këtij neni;

b)    Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës i propozon ministrit, që mbulon fushën e arsimit, të paktën, katër kandidatura, prej të cilave përzgjidhen dy përfaqësuesit e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij neni.  

4. Në rast se përfaqësimi i UP-së në KOMKOV nuk është i mundur, autoriteti kompetent përfaqësohet me një anëtar shtesë.

5.      Kryetari i KOMKOV-it është përfaqësuesi i përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni.

6.      Kriteret për përzgjedhjen e përfaqësuesve të përmendur në shkronjat “a” , “b”, e “c”  të pikës 2, të këtij neni, përcaktohen me urdhër të ministrit, që mbulon fushën e arsimit.

7.      Ministri, që mbulon fushën e arsimit, përcakton rregullat per funksionimin e KOMKOV-it, shpërblimin e anëtarëve të tij, si dhe procedurat dhe mënyren e zhvillimit të provimit të shtetit.

8.      Tematika dhe administrimi, përmes teknologjisë dixhitale, të provimit të shtetit për formim profesional, përcaktohen  me urdhër të ministrit, që mbulon fushën e arsimit, pas këshillimeve me autoritetin kompetent.

Neni 11

Praktika profesionale

1.   Praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit, mënyrat e së cilës përcaktohen nga autoriteti kompetent, me propozimin e UP-së përkatëse.

2.   Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin e një profesionisti, person, fizik apo juridik.

3.   UP-ja përkatëse, nëpërmjet strukturave të veta, siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit.

4.   Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind të rrogës bazë.

5.   Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale.

6.   Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme, në fushën e këtij profesioni.

7.   Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në përkatëse, përcakton kriteret, që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, përmes një vendimi përfundimtar.

Neni 12

Regjistrimi në urdhrin profesional

 

Çdo profesionist, për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar,  regjistrohet në regjistrin e urdhrit profesional përkatës.

KREU III

AUTORITETET PËRGJEGJËSE

Neni 13

Kompetencat e Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave, me propozimin e autoritetit kompetent, përcakton:

a)       Kërkesat minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për profesionet e rregulluara;

b)       Listën e specialiteteve, të nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese, për profesionet e rregulluara.

Neni 14

Autoriteti kompetent

Autoriteti kompetent për profesionet e rregulluara, të fushave të ndryshme, është:

a)       Ministria e Financave, për profesionet e rregulluara brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri;

b)       Ministria, që mbulon fushën e ekonomisë dhe të tregtisë, për profesionet e rregulluara brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri;

c)       Ministria e Drejtësisë, për profesionet në fushën e drejtësisë;

ç) Ministria, që mbulon punët publike, transportet dhe telekomunikacionet, për profesionet e arkitektit, të inxhinierit të ndërtimit, inxhinierit urbanist, gjeometrit, teknikut të ndërtimit dhe profesione të tjera të rregulluara, brenda fushës së veprimtarive,  që mbulon kjo ministri;

d)       Ministria, që mbulon arsimin, për profesionet e mësuesisë;

dh) Ministria, që mbulon punën dhe çështjet sociale, për profesionet e rregulluara në bazë të kualifikimeve profesionale, që nuk janë pjesë e arsimit të lartë, dhe për profesione të tjera të rregulluara, brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri;

e)       Ministria e Shëndetësisë, për profesionet në fushën e shëndetësisë;

ë) Ministria, që mbulon bujqësinë, ushqimin dhe mbrojtjen e konsumatorit, për profesionet në fushën e agronomisë, të ushqimit, veterinarisë dhe profesione të tjera të rregulluara, brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri;

f)        Ministria përgjegjëse për administratën publike, për profesionet e përfshira në shërbimin civil, me përjashtim të atyre të përcaktuara në shkronjat “d” dhe “e”, të këtij neni;

g)       Ministria, që mbulon fushën e kulturës, të turizmit dhe sporteve, për profesionet, që lidhen me restaurimet dhe ruajtjen e vlerave kulturore, me operatorët turistikë, profesionet sportive dhe profesione të tjera të rregulluara, brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri.

gj) Ministria, që mbulon fushën e mjedisit, për profesionet e rregulluara brenda fushës së veprimtarive, që mbulon kjo ministri;

h)       Ministria, që mbulon arsimin dhe shkencën, për çdo rast tjetër, të ndryshëm nga ato të përcaktuara më sipër dhe që lidhet me profesione, të cilat mund të ushtrohen vetëm nga persona, që zotërojnë diplomë të studimeve universitare, të nivelit të parë, të nivelit të dytë apo diplomë të integruar të nivelit të dytë dhe, nëse nevojitet, kanë kryer me sukses, pas diplomimit, një formim profesional shtesë, të kërkuar.

Neni 15

Urdhri profesional

1.       Mision i UP-së është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit të rregulluar, si dhe mbrojtja e publikut nga kequshtrimi i profesionit.

2.       Personat, që ushtrojnë një profesion të rregulluar, organizohen në një UP, për përfaqësim institucional, pa përjashtuar anëtarësimin në sindikata.

3.       Organizimi dhe funksionimi i urdhrit profesional bëhet me ligj të veçantë.

 

KREU IV

PËRGJEGJËSITË E PROFESIONISTIT DHE TË SHOQËRISË PROFESIONALE

Neni 16

Përgjegjësitë e profesionistit

Profesionisti ka detyrime:

a)       Të bëjë të njohur për publikun titullin profesional të tij;

b)       Të kujdeset për përditësimin e aftësive të veta profesionale;

c)       Të vërë në dijeni UP-në përkatëse për situata të mundshme të konfliktit të interesit, lidhur me shërbimin e kërkuar;

ç)  T’i bëjë të ditur përfituesit të shërbimit, në çastin, që pranon detyrën, kufirin e  dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara si pasojë e riskut profesional, rastet dhe kushtet,  të cilat përcaktohen në statutin e         UP-së.

d)    Të verë në dijeni përfituesin e shërbimit për anëtarësinë e tij në UP-në përkatëse dhe të japë të dhëna për përvojën e tij profesionale, si dhe për situatat e mundshme të konfliktit të interesit, lidhur me shërbimin e kërkuar.

Neni 17

Shoqëria profesionale

1.     Shoqëria profesionale është bashkimi i dy ose më shumë profesionistëve, që ushtrojnë të njëjtën profesion.

2.     Kur dy ose më shumë profesionistë dëshirojnë të themelojnë një shoqëri profesionale, ata, fillimisht, dërgojnë aktin e themelimit dhe statutin e saj për shqyrtim e miratim në UP-në përkatëse.

3.     Çdo shoqëri profesionale përdor një emërtim unik, i cili ndiqet nga shtojca “shoqëri profesionale”.

4.     Shoqëria profesionale fiton personalitet juridik dhe e ushtron veprimtarinë, pas regjistrimit në UP-në përkatëse, i cili bëhet vetëm pas regjistrimit të saj në organet e regjistrimit të biznesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5.     Shoqëria profesionale garanton të drejtën e përfituesit të shërbimit për të zgjedhur profesionistin e ngarkuar për ofrimin e shërbimit profesional. Në rastin e mungesës së zgjedhjes së profesionistit,  klientit i komunikohen, para kryerjes së shërbimit, emri dhe të dhënat e profesionistit, të ngarkuar për ofrimin e shërbimit.

6.     Shoqëria profesionale deklaron, në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi, të ardhurat e çdo profesionisti, që përfitohen nga ushtrimi i veprimtarisë profesionale.

7.     Shoqëria profesionale përgjigjet për dëmet, që profesionistët e saj u shkaktojnë të tretëve gjatë ushtrimit të veprimtarive profesionale.

8.     Shoqëria profesionale mban përgjegjësi për shkeljen e detyrimeve të parashikuara shprehimisht për të, në këtë ligj, në ligje të veçanta, që rregullojnë fushën e veprimtarisë së saj apo në kodin etik profesional. Në çdo rast tjetër, përgjegjësia është e profesionistit, që ka kryer shkeljen.

 

Neni 18

Kodi etik profesional

1.     Kodi etik profesional, përmbajtja e të cilit duhet të jetë lehtësisht e kuptueshme  nga të tretët, disiplinon ushtrimin e veprimtarisë profesionale të çdo profesionisti.

2.     Kriteret dhe procedurat e hartimit të kodit etik profesional përcaktohen nga organet kombëtare të UP-së.

3.       Kodi etik profesional udhehiqet nga këto parime:

a)       Mbrojtja e interesave publike, nëpërmjet ushtrimit korrekt të profesionit:

b)      Mbrojtja e besimit dhe e zgjedhjes së lirë nga përfituesi i shërbimit;

c)       Sigurimi i cilësisë së shërbimeve profesionale:

ç)   Sigurimi i të dhënave të duhura për përmbajtjen dhe mënyrat e ushtrimit të shërbimeve profesionale.

4.       Kodi etik publikohet dhe përditësohet periodikisht nga UP-ja përkatëse.

 

Neni 19

Masat disiplinore

 

1.     Profesionisti, që shkel detyrimet e parashikura në këtë ligj, në ligje të veçanta, që rregullojnë fushën e veprimtarisë së tij, apo në kodin etik profesional, ndëshkohet me masë administrative.

2.     Llojet e masave administrative, autoriteti përgjegjës, procedurat e dhënies, të ankimit, parashkrimi apo shuarja e këtyre masave përcaktohen në ligjin për krijimin e UP-së përkatëse.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 20

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI
26/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›