E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shprehet i sigurt për një reformim të thellë, të plotë e të shpejtë të shëndetësisë në mandatin e dytë qeverisës

Kryeministri Berisha priti sot në takim Znj. Marion Caspers-Merk, Sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale të Shëndetësisë së RFGJ. 

Znj. Marion Caspers-Merk e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu vlerësime mjaft pozitive për takimet dhe vizitat e kryera, duke u shprehur e impresionuar për zhvillimin dhe shndërrimin e Shqipërisë.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë në këto 20 vite demokraci në qindra e qindra projekte në fusha të ndryshme, mjaft të rëndësishme për mirëqenien e shqiptarëve.

Znj. Marion Caspers-Merk e njohu Kryeministrin Berisha  me reformat e ndërmarra  në sistemin e tyre shëndetësor dhe u shpreh se nënshkrimi  Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim në Fushën e Shëndetësisë midis 2 vendeve është shprehje e dëshirës për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gatishmërisë së tyre për të nxitur bashkëveprimin konkret në këtë sektor.

Kryeministri Berisha u shpreh se nënshkrimi i kësaj Deklarate bashkëpunimi është një lajm tejet i mirë për shqiptarët dhe është një ogur i mirë që tregon se reformimi dhe modernizimi e krejt sistemit shëndetësor do të jetë në krye të axhendës së qeverisë së re. Kryeministri theksoi se duke pasur si model sistemin gjerman, si një nga modelet më të mira, synohet që reforma në këtë sektor kaq delikat dhe të ndjeshëm për popullatën të jetë e thellë, e plotë, e gjithanshme dhe e shpejtë.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se, në mënyrë që sistemi ynë shëndetësor të jetë sa më efektiv, të sigurojë dhe përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme kujdesin për popullatën, është e rëndësishme të kemi asistencën gjermane në fusha si: menaxhimi, sistemi i financimit dhe siguracioneve shëndetësore, trajnimet dhe formimi profesional, zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit, partneriteti ndërmjet institucioneve tona shëndetësore dhe atyre gjermane, partneriteti publik-privat, hartimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta, kërkimet shkencore, sektori farmaceutik etj..

Kryeministri e siguroi Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Shëndetësisë të RFGJ se do të ketë një angazhim maksimal dhe mbështetje të  plotë nga qeveria shqiptare, me të gjithë fondet e nevojshme, për ta intensifikuar e konkretizuar bashkëpunimin me palën gjermane në fushën e shëndetësisë.


02/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›