ASHAK: Raporti i Martyt me gënjeshtra të porositura

Akademia e Shkencave dhe e Arteve te Kosovës ka reaguar ndaj raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës Dik Martyt.
Në një deklaratë për media, ASHAK-u shpreh shqetësimin rreth deklarimit shpërfillës të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të disa udhëheqësve të saj nga eurodeputeti Dick Marty.
“Akuzat e shpallura në dokumentin e paraqitur nga zoti Marty ndaj vlerave për liri njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve dhe të të tjerëve që jetojnë në Kosovën e pavarur dhe sovrane janë të paargumentuara dhe i dëmtojnë jo vetëm synimet tona për paqe e demokraci midis popujve të Europës, por godasin rëndë raportet ndërmjet qytetarëve të kombësive të ndryshme të Kosovës”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.
“Duke pasur parasysh proçesin e emancipimit shtetndërtues të Kosovës demokratike kërkojmë nga instancat ndërkombëtare rishqyrtimin e dokumentit të eurodeputetit Dick Marty, të cilin e konsiderojmë tërësisht të pavërtetë, dashakeqës, me gënjeshtra të porositura dhe me pasoja të rënda për mirëqenien e popujve të rajonit dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e ASHAK-ut.