ASHAM shkarkon redaksinë e enciklopedisë
Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë mbrëmjen e vonë të së enjtes ka miratuar vendimin e Këshillit të Akademisë për shpërndarjen e redaksisë së enciklopedisë të udhëhequr nga Akademiku, Bllazhe Ristovski. Vendimi është mbështetur nga 45 akademikë, një ka votuar kundër, ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Akademia ka vendosur që nëafat prej një muaji të formohet një redaksi e re e cila më pas do të vendosë nëse do të përdoren tekstet e enciklopedisë kontestuese apo nëse do të botohet një enciklopedi krejtësisht e re. Ky vendim u ndërmorr nga Akademia pas kritikave të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit për shkak të përmbajtjes fyese dhe të pavërtetave të mëdha për shqiptaret dhe historinë e tyre. Në enciklopedi thuhej se "shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria dhe se me force i kanë debuar maqedonasit nga vendbanimet e tyre".