E Diel, 1 Nëntor 2026

ASHR kontroll farmacive, 4 pa licencë, vetëm 2 me shërbim 24 orë

Në zbatim të pikës a të nenit 57 si dhe nenit 58 të ligjit nr.9323, datë 25.11.2004, Për Barnat dhe Shërbimin  Farmaceutik, i ndryshuar, Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë, me urdhrin nr. 212 prot. datë 31.03.2009 ka ngritur grupin e punës për verifikimin e licencave të farmacive, i cili menjëherë ka marrë masa për zbatimin e këtij urdhri. Nga data 01-10.04.2009 janë kontrolluar gjithsej 80 farmaci, nga të cilat rezultojnë:
4 farmaci janë pa licencë dhe asnjë dokumentacion për të cilat do të merret masa konform ligjeve në fuqi deri në mbyllje të aktivitetit. 4 farmacive u mungonte drejtuesi teknik. Në shumicën e subjekteve të kontrolluara mungonte leja higjieno-sanitare. Për të gjitha këto mangësi të konstatuara, u lanë procesverbale me afate të përcaktuara deri në 30 ditë kohë sipas ligjit. Në rast moszbatimi të detyrave të lëna do të merren masa konform ligjit. Problem tjetër është vënë re në kërkesën për ndryshim të drejtuesit teknik, subjekti është i licencuar dhe licenca është brenda afatit kohor të dhënë nga komisioni i licencimit në ministrinë e Shëndetësisë, brenda distancave të përcaktuara në ligj nga 100-150 metra nga njëra tjetra ndodhet një farmaci tjetër e licencuar po nga komisioni i licencimit në MSH. Ligji nuk shprehet ndaj ne kërkojmë interpretim të ligjit me qëllim zbatimin sa më rigoroz të tij. Problem tjetër i konstatuar gjatë kontrolleve ishte shërbimi farmaci roje nate që aktualisht mbulohet vetëm nga dy farmaci që nuk mund të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për këtë shërbim. ASHR i bën thirrje subjekteve farmaceutike që duan të ofrojnë këtë shërbim, se pranë saj do të gjejnë gjithë konsulencën dhe lehtësirat e duhura me qëllim që të shtohet numri i farmacive që punojnë natën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›