E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet; Universiteti i Tiranës blen 46,000 kuponë për studentët pa pasaportë



Studentët e UT-së do të blejnë kuponin me vetëm 2,000 lekë pranë universitetit. Brenda javës studentët pajisen me karta, për tri ditë u krye identifikimi i atyre që nuk kanë pasaporta

Një nismë të veçantë ka ndërmarrë Universiteti i Tiranës, i cili ka blerë dje 46 mijë kuponë për letërnjoftimet për t’ua shpërndarë studentëve me çmimin minimal, duke mënjanuar rimbursimet. Në një kohë rekord prej tri ditësh u evidentuan 46 mijë studentët që nuk kanë karta identiteti dhe duhet të aplikojnë për këtë dokument. Si pasojë, brenda një jave, të gjithë studentët që nuk kanë pasaporta, do të duhet të blejnë kuponin e më pas të aplikojnë me vetëm 2 mijë lekë.

Procedura e përcaktuar fillimisht parashikonte që studenti të blinte kuponin me çmimin real prej 12 mijë lekësh e pasi të aplikonte e të merrte në dorë letërnjoftimin, do të rimbursohej në universitet. Këtë burokraci e ka shmangur rektorati, duke bërë blerjen e menjëhershme të kuponëve. Ervin Demo, drejtor i Komunikimit në Universitetin e Tiranës shprehet për “standard” se kjo nismë është ndërmarrë për të lehtësuar studentët.

“Ne e dimë që ishte mjaft e ndërlikuar procedura e rimbursimit dhe pas shtysës së Kryeministrit, vendosëm të blejmë kuponët, duke hequr një hallkë. Brenda tri ditëve ne nxorën bazën e të dhënave të studentëve që nuk kanë pasaportë e si pasojë duhet të aplikojnë për letërnjoftimin dhe rezultoi se ata janë 46 mijë. Këta studentë do të mund të blejnë kartat me vetëm 2 mijë lekë pranë universitetit”, – thotë Demo.

Shuma që duhej të paguanin të gjithë shtetasit shqiptarë për të marrë letërnjoftimin elektronik ishte 1200 lekë. Ndërkohë që për t’u ardhur në ndihmë kategorive të caktuara dhe për t’u ndihmuar në procesin e shpejtë të aplikimit, qeveria ka vendosur që të ulen çmimet për letërnjoftimet elektronike.

Kështu, për të gjithë ata pensionistë me pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit që kanë aplikuar apo do të vazhdojnë të aplikojnë deri në datën 1 maj 2009, çmimi do të jetë për kartën 300 lekë. Ndërsa, për të gjithë studentët dhe qytetarët që përfitojnë ndihmën ekonomike për shkak të punësisë, apo për të gjithë ata të cilët deri më 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe që kanë aplikuar deri tani për letërnjoftimin elektronik apo do të aplikojnë, çmimi do të jetë 200 lekë.

Nisma si ajo e Universitetit të Tiranës janë mbështetur nga Kryeministri Berisha, i cili gjatë fjalimeve të fundit u ka bërë thirrje të gjithë institucioneve që të mbështesin kategoritë në nevojë. Kjo nismë është e para e llojit të vetë e kryer në një kohë rekord dhe pritet që të pasohet edhe nga institucione të reja. Tashmë, studentët do të mund të mos humbasin kohë dhe të aplikojnë menjëherë për letërnjoftimet me një çmim simbolik që do ta përfitojnë drejtpërdrejt.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›