E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e autorit , Institucionet shtetërore flenë para piraterisë

Masat e marra nuk kanë dhënë rezultat në mbrojtjen e pronësisë intelektuale
Pirateria tashmë është quajtur si gangrena e pronës intelektuale në vendin tonë, por edhe pse është folur dhe debatuar për muaj të tërë në tregun shqiptar vazhdon të jetë po e njëjta situatë, ku asgjë nuk ka ndryshuar. Ligji mbi të drejtën e autorit është vënë me kohë, por si gjithmonë jo të gjitha ligjet arrijnë të zbatohen në vendin tonë. Si në shumicën e vendeve të Evropës edhe në vendin tonë nivelet e piraterisë janë mjaft të larta dhe një nga arsyet e kësaj gjendjeje është se, megjithëse ne kemi një ligj të plotë për pronësinë intelektuale ai nuk gjen zbatim. Është folur shumë për pronën intelektuale dhe fenomenin e piraterisë në vendin tonë, por duket se për të parandaluar këtë fenomen ende nga institucionet përkatëse masat e marra nuk janë të vlefshme për të dhënë sadopak rezultate ndaj këtij fenomeni. Ka botime që janë pirate, të cilat sundojnë tregun, por ka dhe CD dhe DVD që janë pirate, të cilat tregtohen në mënyrë të pakontrolluar.Asgjë për sa i përket mbrojtjes së pronës intelektuale në vendin tonë nuk është mbrojtur. Në tregun shqiptar këto prodhime pirate vazhdojnë të shiten, duke mos u marrë asnjë masë parandaluese ndaj tyre. Janë të shumta ankesat që janë bërë për fenomenin e piraterisë nga njerëzit e fushës së artit në vendin tonë, por ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA), është institucioni i cili duhet të marrë masa ndaj këtij fenomeni, por duket se deri tani këto masa nuk kanë dhënë efektin e duhur, pasi situata në tregun shqiptar vazhdon të mbetet e njëjtë. Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se çfarë funksioni kryen (nëse e kryen), ky institucion, kjo pasi e drejta e autorit në Shqipëri shkelet aq herë sa ditë ka viti dhe nuk kemi parë ndonjë reagim nga ky institucion. E drejta e autorit rezulton si një nga problemet më serioze të jetës kulturore-artistike dhe të botimeve të vendit tonë pas viteve 90, e cila vazhdon edhe sot. Për vite me radhë u vodhën të drejtat e autorëve të huaj dhe u cënuan dhe nuk u paguan të drejtat e disa autorëve shqiptarë. Ndërkohë që legjislatori nuk bën asnjë përpjekje për ta përsosur më tej këtë fushë të ligjit, i cili duhet ti përshtatet kohës dhe të ketë modifikime, të cilat mund të shërbejnë që ai të ketë më shumë rezultate në respektimin së drejtës së autorit. Pirateria është konsideruar si një fenomen që prish imazhin e autorëve, artistëve interpretues dhe ekzekutues. Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit në vendin tonë ka marrë disa masa dhe ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të agjencive të ndryshme, që operojnë në vendin tonë, por duket se deri tani këto takime nuk kanë bërë asgjë për të reduktuar këtë fenomen. Për të kufizuar këtë pirateri sipas drejtuesve të agjencive të ndryshme që merren me të drejtat e autorit duhet që organet shtetërore që kanë interes që prona intelektuale të mbrohet, të bashkërendojnë punën e tyre me policë tatimore. Edhe nëse pohohet se është bërë kjo gjë, situata në tregun shqiptar nuk ka ndryshuar, pasi tashmë pirateria është një sëmundje që ligji nuk po e mposht dot

Last Updated on Sunday, 19 April 2009 07:23

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›