E Shtunë, 31 Tetor 2026

ASHR, kontroll klinikave private të ngritura në pallate



Emanuela Sako

Strukturat e shëndetësisë kanë filluar kontrollet për klinikat private dhe qendrat mjekësore, që ushtrojnë aktivitetet e tyre në kate të ndryshme, te pallateve në Tiranë. Shpeshherë klinikat private të ngritura në katet e pallateve janë bërë problem për kushtet e tyre higjienike dhe pajisjen me licencë, për katin se ato janë të padukshme. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj shprehet se kontrolli ka filluar mëngjesin e ditës së djeshme dhe do të vazhdojë në muajt në vazhdim. Në fillim do të verifikohet i gjithë dokumentacioni, nga licencimi e deri tek kontrollet për rrezatimet. “Së pari ne do të verifikojmë të gjithë dokumentacionin e tyre, i cili është në përputhje të plotë me legjislacionin, me kriteret dhe me standardet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Së dyti, do verifikojmë të gjitha këto klinika private, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme, sidomos ato në fushën e imazherisë, duhet të përmbushin standardet përsa i përket problemit të rrezatimit”,- u shpreh Mhill Gecaj.
Kontrolli
Drejtori i ASHR-së sqaroi se në Tiranë ka klinika të cilat për vite me radhë kanë ushtruar aktivitet pa licencë. Nga kontrollet pritet që të vendosen jo vetëm sanksione, për klinikat që nuk plotësojnë kushtet, por do të kalohet dhe në masën tjetër, atë të mbylljes së tyre. Pak ditë më parë inspektorët sanitarë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës kanë deklaruar mbylljen e 8 klinikave dentare private. Shkak për këtë u bë se stomatologët ushtronin profesionin pa licencën përkatëse për zhvillimin e aktivitetit. Ushtrimi i aktivitetit të dentistit pa licencë është një problem shqetësues për qytetarët dhe Ministrinë e Shëndetësisë, pasi aktiviteti i tyre nuk është i regjistruar dhe nuk mund të kontrollohej nga specialistët e shëndetësisë. Ndërsa për qytetarët, problem janë kushtet në të cilat punojnë dentistët e palicencuar.
Kushtet
Shpeshherë klinikat dentare janë bërë objekt i ankesave të qytetarëve për kushtet higjienike dhe për mënyrën a marrjes së mjekimit. Por tepër shqetësues mbetet problemi i rrezatimeve, të cilat janë tepër problematike për shëndetin e personave në rast se ato teprohen nga ana e mjekëve. Po kështu edhe për rastet kur mjekët nuk përdorin masat mbrojtëse gjatë ekzaminimit. Urdhri i Mjekut publikoi pak ditë më parë raportin e një studimi të kryer në klinikat dentare të qarkut të Tiranës, sipas të cilit problem kryesor mbetet licencimi i këtyre subjekteve, kushtet higjieno-sanitare, si dhe mungesa e energjisë elektrike që ndërpritet edhe gjatë mjekimit. Shoqata e Stomatologëve ngre një tjetër shqetësim për klinikat dentare. Duke iu referuar të njëjtit studim del se në mbi 60 kabinete dentare, 1/3 janë të palicencuara. Pavarësisht këtij studimi, i cili përfshin vetëm një hapësirë të kufizuar ku zhvillojnë aktivitetin klinikat dentare, në rang vendi nuk dihet zyrtarisht se sa është numri i klinikave të licencuara dhe atyre të palicencuara.

Farmacitë nuk respektojnë distancën

Farmacitë në kryeqytet nuk respektojnë distancën e përcaktuar me ligj, për largësinë që duhet të ruajnë nga njëra-tjetra. Një farmaci duhet të jetë larg një farmacie tjetër të paktën 150 metra. Ky është një nga kriteret e përcaktuara me ligj për licencimin e tyre. Por në një pjesë të madhe të rasteve ligji nuk respektohet dhe farmacitë janë pranë njëra-tjetrës, ku nuk është marrë parasysh edhe kriteri për numër popullsie. Autoriteti Shëndetësor Rajonal, ka kaluar në sitë të gjitha farmacitë që operojnë në Tiranë. Ato janë kontrolluar jo vetëm për distancat që ka në mes tyre por edhe për dokumentacionin nga ku ka rezultuar se prej tyre punojnë pa licencë. Një tjetër problem shqetësues mbeten farmacitë e shërbimit të natës. Aktualisht në Tiranë ekziston vetëm një e tillë, në Bulevardin “Zogu i Parë”. Ndërkohë që farmacitë që duhet të qëndrojnë hapur natën vendosen në bazë të një rregulloreje nga Ministria e Shëndetësisë. Në të gjithë Tiranë duhet të jenë shumë pak farmaci hapur dhe të përcaktuara në zona të ndryshme.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›