Universitetet, rritet konkurrenca, fluks kërkesash nga maturantët e vjetër
Gara për të fituar një të drejtë studimi, këtë vit, pritet të jetë e ashpër. Kjo për vetë faktin se në këtë garë përveç maturantëve, që dalin këtë vit nga bankat e shkollës së mesme, do të përfshihen edhe mjaft maturantë të vjetër. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj, bën të ditur se nga të dhënat paraprake që janë nxjerrë nga formularët A1, ka shumë të rinj, që hyjnë në garë me pikët e vitit të shkuar. Megjithëse, ende s’janë detajuar të dhënat se sa maturantë të rinj dhe të vjetër, do t’i nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës, drejtuesit e AVA-s kanë evidentuar se kërkesat e maturantëve të maturave të mëparshme janë të shumta. Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj, para pak ditësh, bëri të ditur se janë rreth 47 mijë maturantë, që kanë plotësuar formularin A1, që përmban të dhënat e nxënësit dhe kërkesat e tij për provimet me zgjedhje.
Gjuhët e Huaja, më 23 prill Konferencë Ndërkombëtare për gjuhën frënge
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, do të zhvillojë më datën 23 prill, Konferencën Ndërkombëtare “Langues, éducation et interculturalité” (Gjuha, edukimi dhe kultura ndërkombëtare). Nëpërmjet kësaj konference, që realizohet me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe Aleancës Franceze në Tiranë, synohet sjellja e stafeve të specializuara franceze në vend për të dhënë përvojat e duhura në zhvillimin e departamentit të Gjuhës Frënge, i cili gjithnjë e më tepër ka shfaqur interesim nga studentët shqiptarë. Mësimi i gjuhëve të huaja nga studentët shqiptarë në arsimin e lartë publik do të mbështetet edhe nga institucioneve ndërkombëtare, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave mësimore.
22 Prill 2009