E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulçerat, si të kufizojmë rrezikun e përsëritjes



Ulçera gastroduodenale është një plagë që dëmton mukozën e stomakut në nivelin e duodenit ose të vetë stomakut. Dihet që 70 për qind e ulçerave kanë si shkak bakteret Helicobacter Pylori. Përsëritja e ulçerës varet nga prania ose jo e këtij bakteri. Kur ulçera lidhet me praninë e këtij bakteri dhe kur ky bakter është eliminuar nga trajtimi mjekësor, mundësia e përsëritjes është tepër e vogël: 5 për qind në 10 vjet. Megjithatë, 1 ndër 3 raste, trajtimi nuk arrin të zhduk plotësisht bakterin, pasi ai është rezistent ndaj antibiotikëve. Prandaj 30-40 për qind e ulçerave përsëriten në vit. Ka raste kur ulçera është shkaktuar jo nga ky bakter, por si shkak i përdorimit të aspirinës apo ilaçeve antiinflamatore. Për të shmangur këtë, mjeku mund të rekomandojë një trajtim mbrojtës afatgjatë që të pakësojë sekrecionet gastrike. Përqindja e përsëritjes së ulçerave është shumë e ulët (6 për qind), por është e rëndësishme të ndiqen në mënyrë rigoroze këshillat e mjekut për të mos penguar procesin e shërimit të plagës, duke shmangur kështu alkoolin dhe duhanin. Këshilla të veçanta duhet të jepen për përdorimin e aspirinës dhe të antiinflamatorëve. Përdorimi i tyre duhet të kufizohet në periudha të shkurtra. Në trajtimin e ulçerës kirurgjia ndërhyn vetëm kur sëmundja nuk shërohet përmes ilaçeve, kur mendohet se është kanceroze dhe në disa raste urgjente (hemoragji, çarje, etj). Sëmundja e ulçerës, nga e cila dikur njerëzit vuanin gjatë gjithë jetës, sot mund të shërohet shumë shpejt. Më problematike është ulçera që krijohet nga konsumi i madh i ilaçeve, fenomen ky që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.
Ulçera
Ulçera është një lloj plage e lokalizuar në stomak (ulçera gastrike) ose në duoden (fillimi i zorrës së trashë). Këto dy lloj ulçerash karakterizohen nga prekja e faqes së stomakut dhe të duodenit. Kjo “gropë” fillestare, më pas zgjerohet nga inflamacioni, që shpesh është i dhimbshëm. Në formën klasike (30 për qind e rasteve) pikasin një dhimbje që i ngjan djegies në bark, e cila e rrezaton këtë dhimbje edhe anash apo në kurriz. Dhimbja ka ritmin e vakteve të ngrënies dhe shfaqet një çerek ore pas ngrënies. Pra, pacienti vuan pas çdo ngrënie dhe dhimbja zgjat 2-3 javë dhe më pas zhduket pas disa javësh apo muajsh. Por ajo mund të shfaqet në mënyrë ciklike (pranverë, vjeshtë) ose sipas rrethanave të veçanta (stres psikologjik, marrje ilaçesh, etj). Fatkeqësisht në mbi 50 për qind të rasteve, diagnostikimi mund të jetë i vështirë, pasi nuk ndeshet as referenca sipas ciklit e periodicitetit, dhe as dhimbja tipike. Në disa raste të rralla, ulçera zhvillohet pa shqetësime tipike dhe pikaset vetëm në momentet më të rënda.
Shkaqet
Kusht i parë i zhvillimit të ulçerës ka të bëjë gjithnjë me një prishje të ekuilibrit midis një sekretimi acid dhe agresiv dhe rezistencës më të pakët të barrierës së mukozës. Kushti i dytë, në shumicën e rasteve, është prania e bakterit Helicobacter Pylori. Ky bakter merr pjesë në 90 për qind të rasteve të ulçerës së duodenit dhe në 70 për qind të ulçerave gastrike. Fillimisht ky bakter shkakton një inflamacion kronik dhe më pas ulçerën. Kur bakteri H. Pylori nuk është shkaktar, ulçera mund të shkaktohet (ose rëndohet) gjatë marrjes për një kohë të gjatë të aspirinës apo të ilaçeve antiinflamatore jo steroidiene, si dhe nga konsumimi i alkoolit dhe i duhanit. Edhe stresi, siç dihet (emocionet, etj) shkakton një skuqje të dukshme të mukozës gastrike, e cila mund të shkaktojë dëmtime të ndryshme dhe shpesh hemoragji. Në ulçerat e duodenit njihet një lloj ndjeshmërie familjare, veçanërisht pas moshës 60-vjeçare. Mukozat “mplaken” dhe bëhen vatra të gastritit kronik. Ky rrezik bëhet më i madh me marrjen e ilaçeve antiinflamatore, ndër të cilat është dhe aspirina.
Komplikacionet
Nëse kjo sëmundje nuk trajtohet siç duhet edhe në kohë mund të shfaq disa komplikacione. Ndër komplikacionet më të shpeshta përmenden: Hemoragjia ulçeroze: shfaqet me daljen e gjakut përmes të vjellave ose me jashtëqitje me ngjyrë të zezë. Kjo humbje gjaku mund të jetë shkak edhe i një anemie si pasojë e mungesës në hekur; Çarje ose peritonit: kjo karakterizohet me dhimbje të forta barku, të cilat mund të kërkojnë ndihmën dhe ndërhyrjen urgjente kirurgjikale për të parandaluar përhapjen e infeksionit; Një zhvillim kanceroz: veçanërisht për ulçerat gastrike në 2-3 për qind të rasteve. Endoskopia është një nga kontrollet e nevojshme që duhet bërë për diagnostikimin e ulçerës.
Endoskopia bëhet përmes një tubi optik, që mundëson të shohësh nga brenda stomakut. Kjo metodë të lejon të saktësosh natyrën e dëmtimeve, numrin e tyre, përmasat. Rregulli është se duhen bërë biopsi (marrje e indeve) për rrezikun e ndonjë kanceri (në rast të ulçerës gastrike) dhe për t’u siguruar për praninë e H.Pylori. Nëse H.Pylori është identifikuar, trajtimi bëhet brenda shtatë ditëve përmes një antibio-terapie të dyfishtë për ta zhdukur H. Pylori. Trajtimi frenues i sekrecioneve acide zakonisht zgjat 4-5 javë më shumë (me doza normale) për të lejuar një rigjenerim të zonave të dëmtuara. Për ulçerat gastrike duhet bërë një endoskopi gjashtë javë pas trajtimit mjekësor për të shmangur mundësinë e një përsëritjeje.

Bimët që mund të përdoren
Fitoterapia (nëpërmjet bimëve mjekësore) shërben shumë si plotësues i trajtimit mjekësor. Për trajtimin e ulçerës veçohen pesë bimë, mes të cilave:
Banania jo e pjekur. Ajo favorizon shërimin e ulçerës gastroduodenale të lehtë
Zhenzhambre, që është një stimulues i tretjes gastrike dhe i mbrojtjes së faqeve të tubit tretës
Matriker, i njohur si antiinflamator për pjesën e sipërme të tubit tretës
Jamballi, i njohur për efektet e tij antiulçeroze dhe kundër disa baktereve si H.Pylori
Bar i bletës, i njohur për efektin e tij antistres

Masat që duhen marrë
Të ndiqet kura e mjekut gjatë gjithë afatit të përcaktuar edhe nëse simptomat janë zhdukur
Të ndiqet një ushqim i ekuilibruar, i pasur në zarzavate dhe fruta që të kenë vitamina C, e njohur kjo për mbrojtjen e mukozës së stomakut
Duhen kufizuar proteinat shtazore dhe dhjamrat. Mishi, peshku ose veza duhen marrë vetëm një herë në ditë

Kujdes!
Marrja e aspirinës dhe e antiinflamatoreve (jo steroidiene) është shkak i përsëritjes së ulçerës
Duhani është faktor i përsëritjes së ulçerave gastroduodenale
Alkooli duhet përdorur në mënyrë të kufizuar
Mos përdorni stimulantë si kafeina, etj, në sasi të mëdha

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›