E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia ofron për të rinjtë shqiptarë 12 të drejta studimi



Polonia ofron për të rinjtë shqiptarë 12 të drejta studimi universitare dhe pasuniversitare, për vitin akademik 2009-2010. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se studimet universitare dhe pasuniversitare do të ndiqen në universitetet publike të Polonisë. Aplikantët, për të përfituar nga mundësia e studimit jashtë vendit, duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dokumentet e mëposhtme. Për studime universitare, kandidatët duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit katër dokumente: Dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës; Kërkesën për studime, ku të specifikohen tri degë në të cilat aplikanti dëshiron të studiojë; Raportin mjekësor për aftësi për studime; Certifikatën e lindjes me fotografi. Ndërsa për studime pasuniversitare, dosja e aplikantit duhet të përmbajë këto dokumente: Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën dëshiron të studiojë; Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar; Listën e notave, fotokopjen e noterizuar; Dy rekomandime; Programin e studimit; Raportin mjekësor për aftësi studimesh; Certifikatën e lindjes me fotografi; Tre fotografi. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 08 maj 2009. Të gjithë fituesit e të drejtave të studimit për studime universitare në shtetin polak, do t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës polake, i cili fillon në shtator 2009. Ndërsa kandidatët për studime pasuniversitare, duhet ta njohin gjuhën polake. Pala polake merr përsipër arsimimin falas dhe mundësinë për akomodimin dhe ushqimin me pagesë në konviktet e mensat e studentëve. Të interesuarit duhet të mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit për në Poloni, si dhe shpenzimet e ushqimit dhe të akomodimit, të cilat shkojnë afërsisht 300 euro në muaj. Për çdo informacion tjetër, personat e interesuar mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 223059 ose 230197.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›