ATHINË – Mitsotakis paralajmëron qeverinë e re në Shkup të mos përdorë emrin e vjetër të vendit

ATHINË, 26 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar lidershipin politik të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin nacionalist të krahut të djathtë Hristijan Mickoski të mos përdorë emrin e vjetër të vendit – Republika e Maqedonisë.
Në një fjalim në parlament, Mitsotakis tha se qeveria e re në Shkup “nuk kishte shfaqur një fillim të mirë” dhe kishte shkelur detyrimet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në lidhje me aspiratën e Maqedonisë së Veriut për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord që BE-ja të pranojë një anëtar të ri”, theksoi ai.
Partia nacionaliste VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut në maj dhe formoi një qeveri të re së bashku me partitë më të vogla në fund të qershorit.
Nacionalistët i dhanë fund një periudhe shtatëvjeçare pushteti të ushtruar nga socialdemokratët.
Ky i fundit kishte nënshkruar një marrëveshje në vitin 2018 së bashku me qeverinë e atëhershme në Athinë dhe me ndërmjetësimin e OKB-së, e cila u vlerësua se i kishte dhënë fund mosmarrëveshjes për emrin.
Vendi i vogël ballkanik më pas ndryshoi emrin e tij nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut.
Në këmbim, Athina pranoi se ekziston një gjuhë dhe komb maqedonas.
Kjo i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2020. Athina e kishte mohuar emrin e vjetër të vendit pasi provinca e saj veriore ka të njëjtin emër.
Që nga marrja e detyrës së kryeministrit Mickoski, emri i vjetër i vendit është përdorur disa herë në nivelin më të lartë.
Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kishte përdorur gjithashtu në mënyrë demonstrative emrin e vjetër të vendit në inaugurimin e saj muajin e kaluar – duke shkaktuar një grindje diplomatike.
Zhvillimet shkaktuan shqetësim edhe në BE, pasi mendohej se mosmarrëveshja e emrit ishte zgjidhur. //a.i/