ATK ka shkelur ligjin

Ekipi i ekspertëve të ndërmarrjes “Trepça” kanë kritikuar vendimin e drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, për bllokimin e xhirollogarive të kësaj ndërmarrje. Ata deklarojnë që kjo ndërmarrje që funksionon në pjesën jugore të Mitrovicës nuk i ka borxh ATK-së, por sipas tyre pjesa që është në anën veriore ka borxhe.
Ata gjatë një konference të mbajtur të shtunën, kanë sqaruar për opinionin për këtë situatë të krijuar, ndërsa për drejtorin e ATK-së thonë që ka shkelur ligjin e institucionit që e drejton.
Riza Musliu, përfaqësues ligjor në “Trepçë”, ka thënë se xhirollogaritë e “Trepçës” janë të bllokuara më një vendim arbitrar dhe të paligjshëm. Sipas tij, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore pa kurrfarë paralajmërimi me shkrim dhe konform të dispozitave të ligjit mbi ATK-në dhe të procedurave neni 22, ndërhynë në bankat në të cilat gjenden llogaritë rrjedhëse dhe bllokon ato.
Sipas Musliu fatkeqësisht, “Trepça” me aktvendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme vepron si e ndarë në dy etnitete, në pjesën jugore dhe atë veriore, për atë ka aktvendim të Gjykatës Supreme, përkatësisht Dhomës se Posaçme.
“Me këtë vendim ATK-ja shkeli ligjin 03 L-222 për Administratën Tatimore dhe procedurat, neni 22, i cili taksativisht informimin për veprimet që do t’i ndërmerr, e ka formën, e ka përmbajtjen, do të thotë është një veprim juridik konsensual, forma e së cilës është e përcaktuar me ligj. Prandaj shpjegimet se iu kemi informuar përmes procesverbaleve në forma të qëndrueshme, nuk është i qëndrueshëm dhe i ligjshëm”, ka deklaruar Musliu.
“Trepça” ka status të veçantë juridik, dhe është nën administrim të AKP-së, ndërsa sipas Musliut drejtori i ATK-së thirret se ka vepruar konform ligjit dhe e dezinformon opinionin në neni 33 pika 11 nën pika 1 decidivisht, ku thotë se ATK-ja ka obligim vetëm të regjistrojë llojet dhe sasinë e tatimeve dhe t’i konstatoj ato. Ndërkaq nuk ka të drejt të ndërmerr kurrfarë veprime përmbaruese ose ekzekutive.
Nga ana tjetër, Elmi Haxha, ekspert në këtë ndërmarrje, thotë që pjesa e “Trepçës” jugore nuk ka asnjë borxh ndaj ATK-së.
“Pjesa e Trepçës jugore absolutisht nuk i ka borxh, sepse në vitin 2008 ne i kemi bërë procedurat e ATK-së dhe kemi bërë rimburësim, krejt çka ajo ka pretenduar se i kemi borxh”, ka thënë Haxha.
Ai ka shtuar se i është kërkuar ATK-së të bëjë një kontroll dhe të konstatojë gjendjen, po që se “Trepça” në pjesën jugore ka obligime tatimore do të përgjigjet, ndërsa në qoftë se nuk ka, është e padrejtë të bllokohen llogaritë dhe të pamundësojë punën.
Ndryshe bëhet fjalë për një bllokim prej 2.3 milionë eurove nga burimet vetjake në bankën “NLB”. Zyrtarët e ATK-së deklarojnë që nuk ka konfiskim të parave, por vetëm bllokim, për shkak se siç thonë ata “Trepça” nuk i ka përmbushur obligimet ndaj ATK-së. (KP)