ATSH, trajnim dyditor për mjetet e verifikimit të përmbajtjeve dezinformuese

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Gazetarët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare patën mundësi të ishin pjesë e një trajnimi dyditor në lidhje me dezinformimin dhe mënyrat për ta shmangur atë gjatë punës së tyre të përditshme.
Trajnimi që u zhvillua në dhomën e lajmeve të ATSH-së kishte në fokus “dezinformimin në kohë lufte dhe mjetet për verifikimin e përmbajtjeve”.
Bëhet fjalë për një cikël trajnimesh me gazetarë në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit organizuar nga “Faktoje” në bashkëpunim me Autoritetin e Medias Audiovizive.
Gazetarët u njohën me të dhëna dhe informacione interesante dhe të vlefshme që u paraqitën nga Jona Plumbi, gazetare me 12 vjet eksperiencë në medie të ndryshme të vendit e cila prej 3 vitesh është fokusuar tek gazetaria fact-cheking dhe krijimi i përmbajtjeve me qëllim edukimin mediatik të lexuesve.
Dezinformimi si fenomen nuk është i ri, por së fundmi, sidomos me mjetet e reja teknologjike që kanë gjetur zhvillim dhe përdorim në media, po përhapet për të ndikuar opinionin, politikat e vendimmarrjet e deri tek ndërhyrje në proceset zgjedhore.
Dezinformimi përcjell në mënyrë të qëllimshme mesazhe, përmbajtje të shkruara apo video sikundër narrativa që nuk i përgjigjen së vërtetës, dhe verifikimi i fakteve merr rëndësi në media për të shmangur sa më shumë ndikime të tilla.
Raportimi i paanshëm është themeli i punës së përditshme në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si burim zyrtar për publikun shqiptar por edhe atë ndërkombëtar.
Si agjenci zyrtare lajmesh, ATSH vendos të parin verifikimin e lajmeve si pjesë e punës së përditshme të stafit të saj, ndërsa bashkëpunon me organizatat e tjera të lajmeve dhe agjencitë ndërkombëtare për të luftuar dezinformimin në shkallë globale.
Organizata “Faktoje” nga e cila u krye trajnimi është organizata e parë dhe vetme e verifikimit të fakteve në Shqipëri. Puna e saj fokusohet kryesisht tek verifikimi i deklaratave dhe premtimeve të politikanëve si dhe tek verifikimi apo përgënjeshtrimi i narrativave dezinformuese në vend dhe rajon. Po ashtu, “Faktoje” fokusohet edhe në çështje globale që kanë interes publik të gjerë si psh lufta në Ukrainë, në Gaza etj.
Trajnim në ATSH kundër dezinformimit, foto: Florian Abazaj 1 nga 23