AUSTRI – Gjykata shqyrton burgosjen e ish-ministrit të Financave të akuzuar për korrupsion

VJENË, 20 mars /ATSH-DPA/- Gjykata e Lartë e Austrisë po shqyrton nëse do të burgosë ish-ministrin e Financave, Karl-Heinz Grasser për korrupsion në një gjyq apeli që filloi sot.
Grasser u shpall fajtor në vitin 2020 për përvetësim, pranim dhuratash dhe falsifikimin e provave në lidhje me shitjen e rreth 60,000 apartamenteve në pronësi të shtetit.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë tha se sipas gjykatës më të ulët, një total ryshfetesh prej 9,6 milion euro (10,4 milion dollarë) i ishin paguar Grasser dhe të pandehurve të tjerë të dënuar gjatë privatizimit të pronave, që përbën rreth 1% të të ardhurave nga shitja.
Sipas vendimit, Grasser kishte informuar një blerës për shumën e nevojshme për të blerë pronat.
“Grasser u zbulua se ishte një “autor i drejtpërdrejtë”, tha gjyqtari i Gjykatës së Lartë.
Ish-ministri i Financave u dënua edhe për pagesat në lidhje me një kontratë qiraje nga organet tatimore në Linz.
Grasser shërbeu si ministër i Financave nga viti 2000-2007. Ai ishte anëtar i Partisë së Lirisë, por u largua nga lëvizja e ekstremit të djathtë në 2003.
Dikur një politikan popullor, ai shihej si i mbrojturi politik i populistit të ekstremit të djathtë Jorg Haider, i cili vdiq në vitin 2008.
Grasser i ka mohuar gjithmonë akuzat. Ai nuk bëri asnjë koment për gazetarët e pranishëm përpara seancës së Gjykatës së Lartë. Avokati i tij tha se akuzat ishin “të motivuara plotësisht politikisht”.
Gjykata e Lartë pritet të vendosë për ankesat e Grasser dhe gjashtë të dënuarve të tjerë deri të martën.
Gjyqtarët mund të lënë në fuqi vendimin origjinal ose ta rrëzojnë atë pjesërisht ose plotësisht. Gjykata ka gjithashtu kompetencë për të ulur dënimet e caktuara. //a.i/