E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GAZË – Të paktën 91 të vrarë ndërsa Izraeli braktis armëpushimin, urdhëron evakuimin

GAZË, 20 mars /ATSH-DPA/-  Të paktën 91 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën sot në sulmet ajrore izraelite në të gjithë Gazën – pasi Izraeli rifilloi fushatën e bombardimeve dhe operacionet tokësore në territor, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, sipas “The Guardian”.

Një ditë pasi nisi fushatën e re tokësore në qendër të Gazës, ushtria izraelite tha se kishte filluar të kryente operacione tokësore në veri të territorit, përgjatë rrugës bregdetare në zonën e Beit Lahia.

Ushtria izraelite paralajmëroi banorët e qytetit jugor të Gazës, Bani Suheila, që të evakuonin shtëpitë e tyre menjëherë përpara sulmit.

Hamasi, i cili ende nuk ishte kundërpërgjigjur gjatë 48 orëve të para të sulmit të ripërtërirë izraelit, tha se krahu i tij i armatosur kishte gjuajtur me raketa ndaj Izraelit.

Grupi tha se sulmi ishte në përgjigje të “masakrave sioniste kundër civilëve”.

“U identifikuan tre predha duke kaluar nga Gaza jugore në Izrael”, tha ushtria izraelite.

“IAF kapi me sukses një predhë dhe dy predha të tjera ranë në një zonë të hapur”, shtoi ushtria.

Izraeli tha sot se forcat e tij ishin angazhuar për 24 orët e fundit në atë që ai e përshkroi si një operacion tokësor të synuar për të zgjeruar një zonë tampon që ndan gjysmën veriore dhe jugore të Gazës, i njohur si korridori Netzarim.

Izraeli urdhëroi banorët të qëndronin larg rrugës Salahuddin, rruga kryesore veri-jug, dhe tha se në vend të kësaj ata duhej të udhëtonin përgjatë bregdetit.

Hamasi tha se operacioni tokësor izraelit dhe inkursioni në korridorin Netzarim ishin një “shkelje e re dhe e rrezikshme” e marrëveshjes dymujore të armëpushimit.

Në një deklaratë, Hamasi ripohoi angazhimin e tij ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe u bëri thirrje ndërmjetësve që të “marrin përgjegjësitë e tyre”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›