Abas: Fatahu dhe Hamasi kthejnë faqen e ndarjes

Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, deklaroi sot se Fatahu dhe Hamasi kanë vendosur të kthejnë faqen e zezë të ndarjes përgjithmonë.
Këto komente ai i bëri në Kajro të Egjiptit, në ceremoninë e formalizimit të marrëveshjes për pajtim ndërmjet dy grupeve më të mëdha palestineze, Fatah dhe Hamas.
Kjo marrëveshje, që është ndërmjetësuar nga Egjipti, e mbyll ndarjen katërvjeçare të këtyre dy grupeve.
Agjensitë e lajmeve raportojnë se presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, njëherësh, lider i Fatahut, dhe lideri i Hamasit, Khaled Meshaal, i kanë shtërnguar duart njëri tjetrit.
Gjatë ceremonisë, Khaled Meshal tha se lëvizja Hamas është e gatshme të paguaj çfarëdo çmimi për pajtim dhe theksoi se "lufta jonë e vetme është ajo me Izraelin”.
Izraeli e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu, tha se Fatahu duhet të zgjedhë nëse do të bëjë marrëveshje me Hamasin apo me Izraelin.
Mahmud Abasi tha sot se Netanjahu “duhet të zgjedhë ndërmjet ndërtimit të vendbanimeve hebreje dhe paqes” me palestinezët.