E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abas në OKB: Palestina po rilind!

Abas theksoi se është i gatshëm të rikthehet në negociata, duke nënvizuar faktin se ai nuk kërkon as de-legjitimimin e as izolimin e Izraelit.

“Deklaroj se Organizata për Çlirimin e Palestinës është e gatshme të rikthehet menjëherë në tryezën e bisedimeve mbi bazat e kufijve të vitit 1967 dhe me ngrirjen e plotë të ndërtimit të vendbanimeve”, theksoi ai në Asamblenë e Përgjithshme.
   
Duke folur pas dorëzimit të kërkesës për njohjen dhe anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB, Abas u kërkoi izraelitëve “të vijnë tek paqja”. “Ne i kemi zgjatur dorën qeverisë izraelite dhe popullit izraelit për paqe”, theksoi Abas gjatë fjalimit që herë pas here ndërpritej nga duartrokitjet e të pranishmëve.

“Populli ynë do të vijojë rezistencën paqësore”, deklaroi Abas duke shtuar se “politika izraelite (e ndërtimeve) do të shkatërrojë shanset për një zgjidhje me dy shtete… rrezikon minimin e strukturës së Autoritetit Kombëtar të Palestinës, madje edhe ekzistencën e tij”.

Palestinezët anekënd Bregut Perëndimor festuan dorëzimin zyrtar të kërkesës për njohje dhe anëtarësim të Palestinës pavarësisht kundërshtimit të SHBA-ve dhe Izraelit.

Korrespondentët ndërkombëtare theksojnë se kurrë më parë nuk kanë shikuar një entuziazëm të tillë në Palestinë.

Afër selisë së Mahmud Abasit në Mukata, flamujt e më shumë se 125 shteteve që e kanë njohur tashmë Palestinën valëviten në krah ta flamurit palestinez.

Por, si për të treguar se tensioni në rajon ka shënuar rritje, një palestinez është vrarë sot pas përleshjeve me trupat izraelite në Nablus.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-09-23 18:59
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›