Abas pritet si hero në Palestinë

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, i cili ditën e premte i paraqiti Kombeve të Bashkuara kërkesën për njohjen ndërkombëtarisht të shtetit palestinez, mbërriti në Ramallah, ku bashkëkombasit i rezervuan një pritje prej heroi.
Me të mbërritur në atdhe, lideri palestinez i Fatah-ut, vizitoi fillimisht varrin e liderit historik të palestinezëve, Jaser Arafat e më pas mbajti një fjalim të shkurtër para mbështetësve të grumbulluar për të përshëndetuar ardhjen e tij.
Abas në fjalën e tij tha se kurrë nuk do të rinisin bisedimet për paqe me Izraelin pa ndaljen e ndërtimeve kolone prej shtetit hebre.
Kërkesa e depozituar në duart e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për njohjen e shtetit palestinez, pritet të shqyrtohet ditën e nesërme nga Këshilli i Sigurimit, ndërsa për të marrë një përgjigje duhen pritur javë, e ndoshta muaj. Kërkesa do të kalojë edhe në duart e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.