Jovanoviç: Plani Ahtisari, bazë për zgjidhjen e problemeve
Udhëheqësi i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, tha se presidenti serb, Boris Tadiç, ka humbur rastin të promovojë një politikë të re të vendit, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
I njëjti ka thënë se Plani i Ahtisarit duhet të merret si bazë për zgjidhjen e problemeve në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
"Ata që thonë se nuk është e mundur një gjë e tillë, ose gënjejnë hapur, ose fshehin paaftësinë e tyre", ka thënë Jovanoviç para gazetarëve në Beograd.
"Nëse tani humbasim rastin, do të mbesim edhe pa ato mekanizma të atij dokumenti që mbështesin të drejtat e serbëve në Kosovë. A do të vazhdojmë të luftojmë për atë që nuk ekziston, e kjo është shteti serb në Kosovë, apo do të fillojmë të mendojmë për serbët që jetojnë në Kosovë", është shprehur Jovanoviç.