Abdul Ahad Mohmand
çdo ditë, kozmonauti afgan, Abdul Ahad Mohmand, 51 vjeç, merr autobusin për të shkuar në punë. Por nuk e tregon se çfarë pune bën. Të vetmen gjë që thotë është se në orën katër pasdite kthehet në shtëpi me autobus. Duke qenë se biletat i paguhen shoferit, nuk ka kontrollorë. Pikërisht si në avion. Kur ishte fëmijë, Mohmand mendonte se në çdo avion udhëtonte nga një kontrollor. Të paktën kështu funksiononin gjërat në autobusët që kalonin në lagjen e tij, Sardah, 100 kilometra në jug të kryeqytetit afgan, Kabul. Shpesh i qëllonte të shihte ndonjë avion në qiell të hapur dhe emocionohej nga ideja se atje lart ishte një kontrollor, vendin e të cilit do të donte ta zinte një ditë. Në Sardah banojnë rreth 300 familje dhe ajo e tij ishte një nga më të pasurat. Babai i tij ishte fshatar, i cili, edhe pse nuk kishte bërë asnjë klasë shkollë, dinte të shkruante e të lexonte. Për këtë arsye, fqinjët shkonin tek ai për t’i lexuar letrat apo për t’i shkruar ndonjë. Përkundrazi Abdul Ahad Mohmand pati mundësinë që të studionte. Për tre vjet ndoqi mësimet në xhami, një dhomë e ftohtë në dimër dhe e nxehtë në verë. E teksa tregon për jetën e tij në Afganistan, Mohmand rrëfen: “Jam njeriu më me fat në botë. Jam kozmonaut afgan. Mundësitë janë kaq të vogla sa...”, kërkon të gjejë një fjalë për të bërë krahasimin, por nuk mundet. Historia ka rrjedhur kështu. Në vitin 1978, Mohmand u dërgua në bazën e Krasnodar, në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilot ushtarak. U nis para se trupat sovjetike të pushtonin Afganistanin, kur qeveria e Kabulit drejtohej nga Nur Mohammad Taraki, lideri i Partisë Demokratike të Afganistanit. Taraki i kishte dhënë më shumë të drejta grave dhe punëtorëve dhe Mohmand kishte vendosur të anëtarësohej në partinë e tij.
Brenda një kohe të shkurtër, Mohmand u bë komandanti i një skuadre prej 20 pilotësh afganë në Krasnodar. Pastaj, radioja lajmëroi për pushtimin sovjetik të vendit të tij. Atë ditë, Mohmand hoqi dorë nga të gjitha detyrat e tij. “A u pozicionua kundër pushtimit?”. “Jo, në kazermë nuk mund të shprehja opinione të drejtpërdrejta. Mjaftohesha vetëm duke dërguar disa sinjale të vogla. Pushtimi ishte i papranueshëm. Kështu mendonte edhe pjesa më e madhe e anëtarëve të PDPA. Nuk dëshironim socializmin me çdo kusht, nuk na interesonin teoritë. Donim vetëm pak drejtësi”.
Në Krasnodar, Mohmand ndihej nën presion nga dy fronte. Ishte një aleat i sovjetikëve, pa qenë një mik i sinqertë dhe ishte pjesë e lëvizjes socialiste, pa qenë një mbështetës i zjarrtë. Një herë, pas një pushimi, u kthye në bazë me dy minuta vonesë. Komandanti i kazermës i mblodhi të gjithë në kopsht, duke iu drejtuar Mohmandit me fjalët: “çfarë sjellje është kjo? Ushtarët tanë po vdesin në vendin tënd, kurse ti vjen me vonesë?”. Mohmand iu përgjigj i prerë: “Nuk i çova unë ushtarët e tu. Nuk më bëhet vonë nëse vdesin”. Komandanti nuk foli asnjë fjalë. Pak më vonë erdhën në bazë disa pilotë afganë më të moshuar për të provuar modelet e reja të avionëve. Mohmand i takoi të njëjtët pilotë në bazën ushtarake të Bagramit, afër Kabulit, kur u thirr për misionin e tij të parë të muhaxhedinëve që luftonin kundër ushtrisë sovjetike. Me atë rast, kolegët i dhanë një këshillë tjetër: Kur të thonë të bombardosh një fshat, lëshoji bombat larg objektivit, nxirr justifikime nga më të ndryshmet. Thuaj që shikueshmëria ishte shumë e dobët apo që u sulmove nga armiqtë dhe duhej të mbroheshe. Mohmand nuk donte të bombardonte civilët afganë dhe bëri ashtu siç i patën thënë. Për të shmangur që të jepte përshtypjen e atij që i mungonte saktësia në punë tregonte se muhaxhedinët fshiheshin nëpër male dhe shpella. Nga ana tjetër, pranon Mohmand, “luftëtarët islamikë nuk ishin kaq të mirë”. Në Kabul avionët gjuanin kundër stacioneve të autobusit duke vrarë me dhjetëra të pafajshëm çdo herë”. Pastaj shton: “Perëndimi i përkrahte muhaxhedinët dhe mbyllte gjithmonë sytë përpara masakrave”. Një ditë, Michail Gobaciov u shfaq në televizion për të dhënë lajmin e tërheqjes së Armatës së Kuqe. Por më parë një afgan duhej të dërgohej në hapësirë, si simbol i miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve. Ishte një gjest i pastër propagande, por për Mohmand ishte një fat i madh. Në moshën 29- vjeçare, pas gjashtë muajsh përgatitjesh, u nis për misionin “Soyuz Tm6”. Ishte 29 gushti i vitit 1988. Kur e pyet nëse toka atje lart është aq blu sa duket, Mohmand përgjigjet: “është blu dhe jeshile. Të bën përshtypje sepse gjithçka përreth është e zezë. Por gjëja më e rëndësishme është se e sheh si diçka të tërën. Ndihesh një qenie njerëzore me fat dhe shumë krenar që jeton në Tokë”.
Fund i papriturDërgimi i tij në hapësirë rrezikonte të përfundonte shumë keq. “Po afrohej momenti i kthimit. Unë dhe komandanti Lajchov ishim gati për t’u ulur. Zakonisht në një pikë precize të hapësirës. Në hapësirë, kreu një tjetër veprim të rëndësishëm. Ndërsa në tokë ushtarët sovjetikë u tërhoqën nga vendi i tij, Mohmand dërgoi një mesazh nga hapësira që u transmetua kudo: “Ne afganët nuk kemi nevojë për luftëra të tjera. Le ta ndërtojmë vendin së bashku”. Në fillim të viteve ‘90, kur situata në Afganistan ishte jashtë kontrollit Mohmand, i cili kishte qenë zëvendësministër për aviacionin turistik dhe civil, mori pasaportën diplomatike, një valixhe dhe së bashku Bibigul dhe vajzën Hila shkoi tek i vëllai që studionte në Gjermani. “Ishte një periudhë e tmerrshme për të. atje nuk do të kishte mundur të mbijetonte për shumë kohë”, tregon astronauti gjerman Ernest Messeschmidt.
Ikje pa kthimMohmand, që kishte marrë me vete veç një valixhe, shpresonte se pasi të qetësohej situata, do të kthehej të jetonte sërish në Afganistanin e tij të dashur, ku kishte lënë kursimet dhe kujtimet e udhëtimit në hapësirë. Kishte prerë edhe biletën e kthimit, por situata në Afganistan nuk u normalizua kurrë. Ai ka kërkuar azil politik në Gjermani. Ka marrë një leje qëndrimi të përkohshme, por duhet të respektojë rregulla shumë të qarta, që as ai vet nuk i kupton. “Nëse do të kisha hyrë ilegalisht në Gjermani do ta kuptoja, por unë kam ardhur në mënyrë të rregullt. Historia ime ishte e njohur”. Ndoshta morali i historisë së tij është ky: gjithçka që ndërton nuk shërben për asgjë, nëse nuk je në vendin tënd. Tani nuk e tregon se çfarë pune bën. Ndoshta i vjen turp sepse ai ka qenë dhe mbetet astronauti i vetëm afgan që nuk po e gjen veten jashtë vendit të tij.
#