Reforma e mësuesve, vala e largimeve më e madhe në rrethe
Largimet dhe emërimet e mësuesve që aktualisht punojnë në shkollat parauniversitare, do të jenë më të ndjeshme në qytete të vogla, atje ku ka shkolla me pak klasa e me pak nxënës. Numri i vogël i nxënësve, mundësitë e limituara për të mbushur orët e programit, që kërkohet të jetë pjesë e axhendës së arsimtarit brenda një jave, janë më të vështira për t’u kompensuar në shkolla të vogla se në ato të mëdha. Program ky i cili mbushet nëpërmjet orëve të kaluara me klasat kujdestare, ekskursione, veprimtari edukuese, artistike, orët e bibliotekave, orëve suplementare, apo kritere të tjera të vendosura për punën jashtë orëve të mësimit.
Kështu sipas drejtorive arsimore, të paktën qytetet e mëdha nuk pritet të ketë reformë të thellë, largime dhe emërime të njëpasnjëshme dhe të shumta në numër. Pjesa dërrmuese e të larguarve do të jenë në qytete të vogla. Po ashtu pritet që deri në muajin gusht të jenë mbyllur edhe sugjerimet, emërimet, zëvendësimet e mësuesve, drejtorëve të shkollave, nëndrejtorëve apo personel tjetër profesional apo mbështetës. Sakaq, pjesa më e madhe e shqyrtimeve të dokumenteve dhe të dhënave, për mësuesit e shkollave 9-vjeçare pothuajse ka përfunduar dhe janë në proces dosjet e mësuesve të cilët aktualisht japin mësim në shkollat parauniversitare.
Drejtoria Arsimore e kryeqytetit sakaq, ka përfunduar inspektimin e kualifikimeve dhe studimeve për secilin nga arsimtarët që jep mësim në njërën prej shkollave 9-vjeçare në Tiranë. Askush nga mësuesit që do të japin mësim në vitin shkollor 2010-2011 nuk do të ketë mbaruar një profil ndryshe nga lënda që jep. Kjo do të thotë se mësuesit, që të mbajnë vendin e punës, duhet me patjetër të kenë mbaruar në sektorin ku ata kontribuojnë. Mësuesit janë seleksionuar në mënyrë të tillë, duke marrë për bazë arsimimin, kualifikimin, saktësinë e lëndës që japin, në përputhje me formimin universitar, përmbushja e normës, programit të kërkuar nga Drejtoria Arsimore, si dhe përvojën në punë. Eksperienca është një tjetër tregues dhe faktor ndikues në përzgjedhje.
Deri në fund të muajit gusht, atëherë kur pritet të nisë puna për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të ketë përfunduar puna në tri faza: inspektim për mësuesit që japin mësim në shkollat e mesme, profesionale apo të karakterit artistik, do të jetë mbyllur faza e largimeve dhe zëvendësimeve me emërime të reja. Po ashtu pjesë e fundit është edhe sistemimi i normës dhe programit të punës për secilin mësues.
#