Radhë të ngjeshura për librezë shëndetësore
Për të marrë një librezë shëndeti duhet të jesh i fortë dhe i durueshëm... Të papunët e pasiguruar nuk do të pajisen me librezë shëndeti. Në Drejtorinë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor Fier, prej javësh ka një fluks të madh qytetarësh, të cilët qëndrojnë në radhë. Janë me dhjetëra qytetarë që mbajnë radhën për orë dhe ditë të tëra. Radhët mbahen pranë sportelit të vetëm të kësaj drejtorie. Personat tregojnë se kanë zënë radhën, për t’u pajisur me librezë shëndeti, që në orët e para të mëngjesit dhe nuk kanë shpresa që ta marrin brenda ditës.
Rritja e këtij fluksi vjen si rezultat i një sporteli të vetëm që u shërben jo vetëm qytetarëve të rrethit Fier, por edhe të zonave të tjera. Qytetarët ankohen se nuk gjejnë një shërbim të shpejtë ashtu si thuhet shpeshherë nga drejtuesit kryesorë të këtij institucioni. Ata që janë të siguruar mund të përfundojnë punë për disa orë ose më shumë, kurse kategoria e të papunëve dhe të pasiguruarave që njihen si të tillë prej vitesh edhe nga zyra e punës nuk u lejohet të marrin këtë librezë shëndeti. Sipas një udhëzimi të gjithë të papunët, me përjashtim të atyre që marrin ndihma ekonomike apo të papunëve në asistencë, nuk quhen më të tillë për të siguruar një librezë shëndetësore. Ata edhe pse të papunë duhet të derdhin një kontribut prej 1500 lekë të reja në vit për të siguruar një librezë shëndeti. Ky udhëzim, shto këtu edhe një sportel, ka shkaktuar një kaos të vërtetë jo vetëm pranë këtij institucioni, por edhe te zyrat e punës. “Në rast fluksi të personave që kërkojnë të pajisen me librezë shëndeti të merren masa për organizimin e punës nga DRSKSH me qëllim angazhimin e punonjësve të tjerë për të punuar me orar të kufizuar me qëllim për të ndihmuar në shpërndarjen e librezave të shëndetit”, thuhet në urdhrin e lëshuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
#