Abdyl Kajanaku, mësuesi që mbajti leksionin e parë
25/01/2010 Rrugëtimi i arsimtarit të njohur nga Normalja tek “Zhan Zhak Ruso” në Gjenevë
INSTITUTI I LARTË PEDAGOGJIK
Flet i biri Fation Kajanaku: Babai im u nderua nga Presidenti me medaljen “Naim Frashëri i Artë”
ELBASAN- Historia e jetës së Abdyl Kajanakut është historia klasike e një njeriu që ju përkushtua arsimit, dha gjithçka për zhvillimin e tij dhe kaloi shkollat më të mira për formimin e tij pedagogjik. Së fundi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nderuar këtë emër të arsimit me urdhrin “Naim Frashësi i Artë” për kontributin e tij të çmuar. Në motivimin e kësaj medalje thuhet shprehimisht: I jepet ky urdhër personalitetit të nderuar të arsimit kombëtar që me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuoi në zhvillimin dhe pasurimin e tij me vlera didaktike dhe ide pedagogjike moderne dhe progresive. Mjaft i lumtur për këtë vlerësim, i biri Fatjon Kajanaku thotë se më në fund ai kontribut, ajo histori jete kushtuar arsimit u vlerësua. “Ndjehem mirë kur është Presidenti ai që nëpërmjet këtij vlerësimi rikthen edhe një herë në vëmendje kontributin dhe vlerat e Abdyl Kajanakut kushtuar arsimit shqiptar. Janë këto vlera që duhen ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi”. Teksa ka marrë titullin nga dora e Kryeministrit, Fationi tregon se është ndjerë dyfish i emocionuar jo vetëm për titullin, por edhe për sfondin e 100-vjetorit të Normales.
Kush ishte Abdyl Kajanaku
Abdyl Kajanaku është një personalitet që ka zhvilluar një karrierë të suksesshme në profesionin e mësuesisë e mësimdhënies dhe krijues në didaktikën e psikologjisë. U lind në Elbasan, kur në vendlindjen e tij Kongresi Arsimor vendosi çeljen e shkollës Normale, me të cilën profesori lidhi jetën. Ai, si nxënës e respektoi atë, ndërsa si mësues, si normalist e pedagog me punën e bërë, e nderoi dhe e lartësoi emrin e Normales. Ai e fillon karrierën e mësuesisë në Durrës. Shpejt ndjeu fisnikërinë e profesionit dhe iu dha plotësisht atij. Mori pjesë aktive në lëvizjen teatrore e muzikore të qytetit të Elbasanit, ku dhe u dallua. Bënte pjesë në orkestrën e mandolinave të shkollës, ku u interpretua me sukses pjesa "Lulja e kujtimit" e F. Postolit, krahas Faik Haxhiymerit, Bukurosh Sejdinit, Met Bodinit dhe Vasil Llapushit. Në 1935-n, Abdyl Kajanaku fillon studimet në shkollën e lartë dhe për këtë zgjodhi Zvicrën, institutin "Zhan Zhak Russo" të Gjenevës, ku studentët diplomoheshin në shkencat pedagogjike e psikologjike. Ky institut ishte bërë i njohur në Evropë dhe më tej, nga pedagogë të tillë si Piazhe, Klaparedi, Bove etj. Intelektuali i sapoformuar, Abdyl Kajanaku, kthehet në Shqipëri më 1939-n, jo vetëm i diplomuar, por edhe i pajisur me kulturë perëndimore e në veçanti nga shkolla e lartë Filozofike Pedagogjike Franceze, që përfaqësonte bashkëkohoren shkollore, e që ishte ndërtuar sipas ideve pedagogjike të "Edukatës së Re".
Kontributi
Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, e emëron inspektor të lartë pranë kësaj ministrie për arsimin fillor. Një vend pune i favorshëm, që A. Kajanaku të vinte në shërbim të shkollës shqiptare potencialin e vet intelektual pedagogjik që kishte marrë. Ai, në rolin e inspektorit e drejtorit, vëzhgonte nëpër shkolla, nxirrte konkluzione, udhëzonte, organizonte biseda. Ligjëronte vetë tema nga didaktika në kurset e verës së vitit 1940 në Tiranë, ku merrnin pjesë një masë e madhe mësuesish. Punoi në Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe më pas përsëri kthehet në Elbasanin e tij të dashur, plot dituri e përvojë e si pedagog jep mësim në Pedagogjiken, tashmë të konsoliduar të këtij qyteti deri në vitin 1975. Në një karakteristikë të drejtorisë së Shkollës Pedagogjike të Elbasanit, më 24 qershor të vitit 1948, sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit, për profesor Kajanakun, veç të tjerave, thuhet: "Është udhëheqësi kryesor i pedagogjisë praktike, ka përgatitjen më të lartë pedagogjike, pasi studion gjerë e gjatë pedagogjinë e metodikat, njeh mirë problemet e shkollës fillore e të mesme, ka punuar mjaft për të futur në shkollat ushtrimore koncepte e metoda të reja. Kandidatët kanë gjetur tek ai një udhëheqës të sigurt". Kajanaku mbetet gjithashtu një figurë e shquar edhe në arsimin e lartë. Më 1957, ai ngarkohet të mbajë leksionin e parë në përurimin e Institutit të Lartë Pedagogjik më 1 shtator 1957 në Shkodër dhe po kështu pas shumë viteve kur u hap ai i Elbasanit.
Studiuesi
A. Kajanaku ka qenë një studiues i palodhur në fushën e dialektikës së psikologjisë së re moderne. Ai bëhet bashkëpunëtor i rregullt i shumë revistave pedagogjike si "Normalisti", "Edukata e re", "Shkolla shqiptare" etj. Në vitin 1939, ai mbron në Gjenevë diplomën me temë studimore "Aftësia praktike e nxënësve", studim i udhëhequr nga shefi i katedrës, prof. Mesli. Bën objekt të punës së tij studimore 120 nxënës të shkollës së Gryklit, në Gjenevë, të nacionalistëve italianë, gjermanë e francezë. Autorit i interesojnë problemet psikologjike të nxënësve, duke i trajtuar ato me kulturë profesionale. Në studimet e botuara në revistat pedagogjike, ai bën objekt veset e prirjet imagjinare të nxënësve. Në studime të tilla si "Higjiena mendore te fëmijët" dhe "Mithomania te fëmijët" objekt janë vjedhja dhe gënjeshtra. Këto dukuri, profesor Kajanaku i trajton në planin psikologjik, zbulon shkaqet e rrugët se si mund të shmangen në procesin e edukimit nga shkolla e familja. Ndër shkaqet profesori evidenton edukatën e keqe, shkaqet efektive, sëmundjet dhe ato të debilitetit mendor. Në rrafshin psikologjik veçon dhe mithomaninë. Interesante është dhe tema e parë që u trajtua disa herë në vitet 30, po këndvështrimi i profesor Kajanakut është disi i ngrohtë në trajtim dhe në shpjegim. Ai nënvizoi me guxim konformizmin e plotë dialektik në shkollën e vendeve të lindjes. Studimet dhe konkluzionet e profesor A. Kajanakut bëjnë pjesë në fillesat e trajtimit të këtyre problemeve në shtypin tonë pedagogjik. Ai mbetet një nga figurat më të nderuara të arsimit tonë, sepse krijoi vlera didaktike. Vazhdimisht u karakterizua nga një motiv i fortë shërbimi dhe dedikimi profesional i mbështetur nga një kapacitet demonstrues tërësor ndaj profesionit me një nivel të lartë të besimit publik.