Mënyrat teknike do të vërtetojnë përgjigjet e individëve
25/01/2010 Ministri Pollo sqaron verifikimin e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare
Ministri i Shtetit Genc Pollo, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, deklaron se çdokush që do të mundohet të manipulojë përkatësinë e tij etnike apo fetare, do ta ketë të kotë. Reagimi vjen pas dyshimeve të hedhura mbi vlefshmërinë që do të ketë vetëdeklarimi i popullsisë mbi përkatësinë etnike dhe fetare gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Ministri Pollo deklaroi gjatë një interviste televizive se ka mënyra teknike për të vërtetuar përgjigjet e dhëna. “Ideja se dikush mund të tentojë të manipulojë individët nuk ka më atë bazë që mund të kish pasur 20 vjet më parë. Ka mënyra teknike për të parë në qoftë se ka përgjigje të cilat janë të paarsyeshme, pavarësisht se janë përgjigje të individit. Ka metoda statistikore dhe për ti baraspeshuar ato, dhe për tiu afruar një shifre reale”, theksoi ai. Por nuk ka dhënë asnjë detaj mbi këto teknika, të cilat do të mund të zbulojnë vetëdeklarimet që mund të jenë të gënjeshtërta. Ndërkohë drejtuesi i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave bën të ditur se qytetarët do të kenë të drejtën e tyre legjitime të mos shprehen mbi përkatësinë etnike dhe fetare. “Gjithkush që është i pasigurt, është i paqartë ose nuk do tia deklarojë përfaqësuesve të Institutit të Statistikave, ka të drejtën, dhe është një pyetje më vete në kuadratin që i përket gjuhës amtare, përkatësisë fetare dhe asaj etnike, të mos e deklarojë. Është një e drejtë kushtetuese, që mund ta ushtrojë”, theksoi Pollo. Gjithashtu, ministri i Shtetit tregon se regjistrimi i popullsisë do të paraqesë një tablo të plotë të situatës demografike dhe social-ekonomike në vend. “Do pyetet për situatën social-ekonomike, do pyetet për të ardhurat, do pyetet për arsimimin, do pyetet për kushtet e shtëpisë deri në detaje të tilla, nëse shtëpia ka internet, deri tek të dhënat e formimit të përgjithshëm kulturor”. Ministri i Shtetit gjatë shpjegimit që i bën procesit të regjistrimit të popullsisë, thotë se ky proces është shumë i rëndësishëm, pasi do të ndihmojë në modernizimin e shtetit dhe pritet ti hapë rrugë çeljes së fondeve prej dhjetëra miliona eurosh për vendin tonë nga komuniteti evropian. Ai thekson se kryerja e këtij regjistrimi është edhe një kusht për të avancuar më tej në rrugën e integrimit evropian. I gjithë procesi pritet të fillojë dhe të përfundojë brenda vitit 2011.
Vlera
I gjithë procesi i regjistrimit do të kushtojë rreth 15 milionë euro. Qeveria shqiptare do të financojë 5 milionë euro, ndërsa pjesën tjetër të fondeve do ta japin institucione të komunitetit evropian. Mësohet se është rëndë dakord për të akorduar shumat e parave që do të mundësojnë procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave në Shqipëri.
Zbatimi
Procesi i regjistrimit do të kryhet nga INSTAT dhe me mbështetje të ekspertëve nga Bashkimi Evropian dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Ky regjistrim i popullsisë në vendin tonë nga pikëpamja teknike sjell si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, i cili konsiderohet si një nga teknikat me moderne për regjistrimet e të dhënave.
Qëndrimi i PS
“Centrali bërthamor me konsultim publik”
“I madh e i vogël e di se Sali Ahmadinexhat përbën rrezik po të ndezë dhe një shkrepëse, jo më një central bërthamor, që nuk është si digat e hidrocentraleve të Priftit, që hapen me sms e mbyllen me përmbytje katastrofike”. Ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga Partia Socialiste lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore. Deputeti i kësaj partie, Saimir Tahiri, gjatë një deklarate për shtyp në emër të PS, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që “ti lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i militantit të radhës si Drejtor i Agjencisë Kombëtare Bërthamore, por fillimisht ti japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, e më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do tabëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor”.
Reagimi i PD-së
Paragjykimi dhe denoncimi, një qëndrim atavist
Partia Demokratike ka vlerësuar si antiglobal kryetarin e Partisë Socialiste dhe njerëzit e tij më të afërt. Zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli, në reagimin ndaj deklaratës së socialistit Saimir Tahiri, deklaroi se PS-ja u ngri kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e integrimit të saj euroatlantik. “Paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historikë e biologjikë, por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme. Agjencia Kombëtare Bërthamore ka si mision shumë të rëndësishëm përgatitjen e një kuadri modern ligjor për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë nga të gjitha format e rrezatimit bërthamor”, tha Mëhilli. Ndërsa për sa i përket kërcënimit për referendum, ajo tha se PD-ja e njeh si legjitim dhe mjet demokratik referendumin. “Por sa mund ta thërrasin atë ata të cilët provuan referendumin në partinë e tyre, por që siç u pa përfundoi si kokoshi një thelë”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.
Partia Republikane
Deklarata e ushtrimit të dhunës, turp i PS
Partia Republikane thekson se deklarata e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për marrjen e pushtetit me dhunë, është e papërgjegjshme. Sekretari i Marrëdhënieve më Jashtë në PR, Artur Hasanbelliu, ka theksuar se kthimi i grupit parlamentar të PS-së në Parlament është domosdoshmëri dhe se deputetët nuk mund të ngelen peng i kurrkujt, qoftë dhe të zotit Rama. “Deklarata të tilla të marrjes së pushtetit me dhunë nga rruga për një vend të NATO-s si Shqipëria janë të turpshme dhe nuk kanë efekt në shoqërinë shqiptare, por tregojnë krizën e thellë të lidershipit të Partisë Socialiste. Ne kemi bindjen që dialogu politik është domosdoshmëri, por ai nuk duhet bazuar në dëshira apo kushtëzuar nga interesa të individëve të veçantë, por duhet bërë për interesa të së ardhmes europiane të shqiptarëve”, tha Hasanbelliu. Në këtë deklaratë, zyrtari i lartë republikan shprehet se Shqipëria ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të integrimit dhe në këtë rrugë opozita ka dhe duhet të zërë vendin e saj, vend të cilin e ka merituar me votat e shqiptarëve, por që deri më sot ajo i ka mohuar. “PR-ja i bën thirrje asaj pjese të ndërgjegjshme të PS-së, si dhe atyre deputetëve të rinj, të cilët në bazë të formimit të tyre kanë filozofinë demokratike perëndimore, të distancohen nga kjo mënyrë destruktive e të bërit politikë”, tha Hasanbelliu. Ai ka deklaruar se vendi i opozitës është në Parlament dhe atje ajo duhet të japë kontributin e saj në funksion të integrimit të vendin në Bashkimin Evropian.