Abetarja e njësuar, margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Pavarësisë

Përurohet në Prizren Abetarja e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës
Nga qyteti i Prizrenit, qyteti i ideologjisë së bashkimit kombëtar, kryeministri Berisha u bëri thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia me skena terrori si në Preshevë, të cilat, siç tha kreu i qeverisë shqiptare, i kthejnë fqinjët tanë në skutat e primitivizmit
Pranë Shtëpisë së Lidhjes në Prizren, nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar dhe më pas atij kosovar, nisi në prani të dy kryeministrave Sali Berisha dhe Hashim Thaçi si dhe presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, ceremonia zyrtare e promovimit të abetares së përbashkët. Të dy kryeministrat e kanë quajtur këtë hapin e parë të bashkimit kombëtar.
Më 24 prill u përzgjodh teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Teksti i përzgjedhur ka si bashkëautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi. Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha tha se kjo abetare mbart idealin e përjetësisë kombëtare dhe shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës së tyre dhe vjen si margaritari i kurorës së 100 vjetorit të pavarësisë, ndërsa u bëri thirrje nënave shqiptare kudo në botë që krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe për fëmijët e tyre.
“Kjo abetare mbart idealin e bashkimit të shqiptarëve idealin e përjetësisë kombëtare. Abetarja shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin kulturës së tyre, u shpreh Berisha ndërsa shtoi se, Abetarja nuk duhet të harroni kurrë se ka, jo vetëm ëndrrën e shqiptarëve, por qindra mijëra jetë të flijuara që ne të jemi të lirë e të ndërtojmë të ardhmen tonë që meritojmë”.
Më tej ai theksoi se, “Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin. Ju bëj thirrje nënave shqiptare anembanë botës , që krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe për fëmijët e tyre”.
Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur kryevepër të dijes abetaren që i dhuruan katër autorët Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Pozhegu.
“Abetarja vjen në këtë qytet si një bukuri e rrallë e shqiptarëve për të ardhur tek ju bijtë e shqiptarëve të cilët janë rrekur ndër shekuj. Një falënderim për ju që realizuat me përkushtim abetaren e parë këtij libri të të gjithë librave, të këtij teksti të të gjithë teksteve, ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shqiptar të idealit të bashkimit të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Rruga e dijes është rruga e dritës abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare po mbart ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave shqiptare, vijoi më tej kryeministri, të cilët donin të kishin një abetare të përbashkët.
“Abetarja mbart sakrificat e të gjithë shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut dhe deri në luftërat për çlirimin e Kosovës dhe Maqedonisë dhe ju dorëzohet juve pas 160 vjet përpjekjesh për liri njerëzore”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij kryeministri shqiptar shprehu vendosmërinë për të punuar për bashkimin kombëtar, ku bëri thirrje për tekste të të tjera të reja në mënyrë që energjitë e reja të shtyjnë kombin drejt horizonteve të reja, pasi ai tha ai nuk ka gjë më të bukur se gjuha jonë amtare. “Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tone, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. Nga Prizreni, dua tu themi fqinjëve tanë, çlirojuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmin të trashëguar tuajin. Shqiptarët janë një komb, që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se jemi akoma shumë prej jush në stadet primitive”, deklaroi kryeministri Berisha.
Kryeministri Thaçi
Nga ana e tij edhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi e cilësoi këtë ditë historike dhe Prizrenin qytetin e mesazhit historik të bashkimit të shqiptarëve.
“Sot është një ditë e madhe historike për kombin dhe kulturën. Sot po implementojmë për herë të parë abetaren e përbashkët. Kjo është një arritje historike”, u shpreh kryeministri kosovar, ndërsa shtoi se kjo është abetarja e parë e përbashkët nga Shqipëria dhe Kosova e hartuar nga 4 autorë.
Thaçi deklaroi se jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb, ndërsa promovohet në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot të gjithë shqiptarët ku jetojnë, janë me ne, janë me abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në qytetin mes kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Sot në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet po promovojnë librin e përbashkët. Kjo është abetarja e kombit, kjo është arritje për të gjithë shqiptarët. Këtë mund ta bëjë një shtet i lirë dhe sovran”, u shpreh kryeministri kosovar. Thaçi deklaroi se fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve, dhe falë përpjekjeve shekullore tashmë shqiptarët do keni një gjuhë dhe një flamur.
Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja
Kurse, ministri Arsimit, Ramë Buja duke uruar qytetarët shqiptarë, tha se promovimi i Abetares unike, do të jetë fillim i shumë projekteve të reja të përbashkëta, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, këto projekte të të dyja shtetet do t’i forcojnë kombëtarisht.
Ai gjithashtu për realizimin e këtij projekti, ka falënderuar edhe zyrtarët shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë. “Ishte ëndërr e bukur dikur dhe vështir të imagjinohej se kjo ëndërr mund të shndërrohej një ditë në realitet komod, e të pa penguar nga dy shtetet shqiptare, nga dy ministritë homologe të arsimit. Abetarja u bë. Atë po e promovojmë sot me shumë madhështi, respekt, konsideratë dhe dashuri dhe me besimin epa lëkundur se do të jetojë gjatë”, ka thënë Buja.