Kriza serbe - nacionalizmi, kriza greke - borxhi, dhe radikalët
Rastësisht, Serbia dhe Greqia, i patën zgjedhjet në të njëjtën ditë, më 6 maj 2012. Greqia, e diktuar nga kriza e vet e çmendur e borxheve, dha rezultat politik të papritur, sa la pa mend Bashkimin Europian. Serbia, e nënshtruar nga nacionalizmi i saj i skajshëm, nuk dha rezultat të papritur për Bashkimin Europian. Partia Demokratike e Boris Tadiç pësoi rënie të lirë, nga 38 në 22.09 përqind, ndërsa Pasok i Elefteros Venizellos, nga qënia në pushtet, u vidhis në vend të tretë me 13.2 përqind, e sfiduar nga të majtët radikalë të Syriza me 16.78 përqind dhe futja në parlament e neo-nazistëve të “Agimi i Artë”, me 6.97 përqind. Greqia, me krizën e trefishtë mbi shpinën e kërrusur - borxhet, sociale dhe politike - po përshkon rrugën e mundimeve për kah “Golgotha”. Athina nuk e formoi dot qeverinë e koalicionit. Ajo u detyrua të çapitet e rraskapitur drejt përsëritjes së zgjedhjeve më 17 qershor, dhe me lepur në bark: po sikur rezultatet të përsëdyten ngjashëm dhe prapë të mos arrihet në koalicion qeverisës? Kurse Serbia shkon në balotazh më 20 maj, me Boris Tadiç president i mundshëm për t’u përsëtretur, i cilësuar properëndimor, dhe Tomislav Nikoliç president rishtar në mundësi, një nacionalist i ashpër, prirur kah Rusia. Përfundimi më domethënës i zgjedhjeve serbe, nuk është të dihet, kush do të bëhet president? Ajo që merret me mend e gati nuk dyshohet, është kryeministri. Kryeministër pritet të jetë kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, ish- zëvendës i Sllobodan Millosheviç, që gjatë mandatit të mëparshëm shërbeu me dyfish pushtet: zëvendëskryeministër dhe ministër i brendshëm. Partia e tij mori vrik përpjetë me 15 përqind, e treta për nga rezultati, sipas shpalljes së komisionit zgjedhor republikan, me fuqi përcaktuese për koalicion të mundshëm me të dy partitë, të Nikoliç që fitoi me 25.5 përqind (Ivica Daçiç është radikal po aq sa ai), dhe të Tadiç që zbriti në 22.09 pëqind (Ivica Daçiç vetshitet perëndimor po si ai). Me dy mundësitë e barabarta për koalicion, Daçiç e hodhi dorezën e sfidës menjëherë, duke bërë trysni të drejtpërdrejtë: “Dëshiroj që bashkëpunimi të vazhdojë dhe në këtë aspekt jam i gatshëm të mbështes Tadiç në vendin e dytë”, si dhe, “nëse kandidati që ne e mbështesim fiton, është absolutisht logjike që ai ta propozojë kandidatin tonë për postin e kryeministrit”, tha Daçiç për Blic. Tadiç nuk ishte fitues. Fitues është partia e Millosheviçit.
Në Greqi dhe Serbi, partitë e mëdha u tkurrën dramatikisht, kurse partitë radikale u rritën frikshëm aq sa ato përcaktojnë fatin e koalicioneve për qeverisjen e vendit. Por edhe me një ndryshim thelbësor: partitë proeuropiane greke, Demokracia e Re dhe Pasok, gjenden të ngjeshura për mur nga radikalët e majtë e të djathtë, kundërshtarë të paepur ndaj masave shtrënguese që ka detyruar Bashkimi Europian; por partia proeuropiane e Tadiç i gëzohet radikalëve, sepse ajo i ka si parzmore në gjoksin e vet përballë Brukselit, duke i përsëritur Bashkimit Europian: po nuk i bëre lëshime Serbië, ja ku është partia e Nikoliç, menjëherë vjen në pushtet bashkë me të tjerat. Në këtë lojë politike, Beogradi ka dhe lojtarin e dymbëdhjetë: ai është ambasadori rus, Aleksandër Konuzin, i cili foli nga sipër: “Ne kemi interesa të njëjta dhe do të mbrojmë vendin tuaj pavarësisht interesave të disa serbëve që dëshirojnë ta fusin vendin tuaj nën ndikimin e të huajve”. Sipas thënies së tij, ata që Serbinë e duan në Bashkimin Europian, janë vetëm disa serbë. Fjala “disa” jep kuptim të zvogëluar, le të themi sa gishtat e të dy duarve. Ai i paralajmëroi politikanët e lartë dhe gjithë serbët se rrezikohen të vihen “nën ndikimin e të huajve”, dhe, i huaj është Bashkimi Europian. Serbia ka përqindjen më të lartë, në të gjithë rajonin, të atyre që nuk i mbështesin proceset integruese.
Lupa e shqiptarëve, natyrisht është më e sakta dhe më e qarta, le të themi, e gjykimit të katër formacioneve politike që kryesojnë Nikoliç, Tadiç, Daçiç, Koshtunica. Ajo i sheh ata pa ndryshime: ndaj BE kanë ndonjë diferencë, kundër Kosovës sillen njëlloj. Nikoiliç, gjatë fushatës tha se, e mbështet antarësimin e Serbisë në BE, por ai nuk e ka tërhequr thirrjen e tij që, më mirë Serbia të jetë krahinë e Rusisë se sa anëtare e Bashkimit Europian. Duke e ditur që, mbështetja serbe për në BE është shumë e shumë më pak se gjysma, Tomislav Nikoliç dhe partia e tij, për t’u bërë president dhe qenë shumicë në parlament, u duheshin të merrnin vota edhe prej tyre. Më pas, gjatë mandatit të pushtetit, marrëdhëniet e BE me Serbinë do të ishin si karroca nëpër kalldrëm, siç edhe koalicioni i Tadiç ecë po nëpër kalldrëm. Partia e Daçiç vështirë të ketë marrë vota nga Nikoliç, por është e sigurtë se ka rrëmbyer nga partia e Tadiç. Edhe nëse koalicioni do të vazhdojë, Tadiç nuk do të mund të luaj aq lehtë properëndimorin, sepse kryeministri i pritshëm Daçiç, i cili është shprehur ndaj Kosovës ekstremisht ashpër, do të ketë një zë të fuqishëm në legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe sikur Tadiç të shkojë në presidencë përsëri, dhe gjasat janë të shkojë, Bashkimit Europian do të dëgjojë në të ardhen tri zëra: të shtirur - të Tadiç, të ashpër - të Daçiç, radikal - të Nikoliç.
Të dy vendet mike, Greqia dhe Serbia, me rezultate zgjedhore të ngjashme, do të jenë sfitduese të Bashkimit Europian: Greqia e radikalëve për të zhbërë masat kundër falimentimit, me një zemërim absurd ndaj Gjermanisë, Serbia e radikalëve për të penguar Kosovën, me një zemërim disi të kontrolluar ndaj Berlinit. Të dy këto vende dhanë një kumt për shtetet e Ballkanit: nacionalizmi radikal dhe kriza radikale janë armiq ende të panënshtruar.