E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abetarja e përbashkët, Berisha: Nuk kemi qenë kurrë më të bashkuar

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi

Në Prizren po mbahet ceremonia e inaugurimit të abetares së përbashkët, me të cilën fëmijët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë do të mësojnë gjuhën shqipe.

Kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij se zgjedhja e Prizrenit si qyteti ku promovohet abetarja e përbashkët ka një simbolikë të dyfishtë.

Zgjodhëm kryeqytetin e bashkimit të shqiptarëve për promovimin e abetares. Rruga e dijes është rruga e dritës për të cilën kanë më shumë nevojë shqiptarët. Përgëzoj ata që e kanë ilustruar, ajo mban ëndrrën e dhjetëra qindra gjenerata të shqiptarëve. Abetarja juaj shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës së tyre, tha Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se abetarja e përbashkët mban në vetvete historinë e shqiptarëve dhe përpjekjet në shekuj për liri.

Të dashur fëmijë, abetarja nuk duhet të harroni kurrë se ka jo vetëm ëndrrën, por me qindra mijëra jetë të flijuara që ne të jemi të lirë. Krenarë me qëndresën tonë, të vendosur në të ardhmen tonë evropiane. Kombi ynë kurrë nuk ka qenë më i bashkuar dhe më i sigurt në të ardhmen e tij, tha Berisha.

Inaugurohet abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Inaugurohet abetarja e përbashkët për klasat e para të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe për fëmijët shqiptarë të diasporës.

Inaugurimi i abetares u mbajt në Qendrën Sportive “Sezai Surroi, ku përveç kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, janë të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi.

Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë u përzgjodh nga komisioni vlerësues në 24 prill. Abetarja ka si bashkë autorë, Shezai Rrokajn, Mimoza Gjokutajn dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova Pozhegun.

Abetare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, do t`u ofrohet edhe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporë.

Ministria e Arsimit ka theksuar se unifikimi i teksteve shkollore është një nismë mes dy ministrive dhe do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›