E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abonetë e studentit, kërkohet menaxhimi nga Ministria e Arsimit

Abonetë e studentëve shumë shpejt mund të menaxhohen nga Ministria e Arsimit, nëse kjo e fundit miraton propozimin e bërë nga Shoqata e Transportit Urban në Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kujtim Hyka, shpjegon për “standard” se vetëm nëse MASH-i merr përsipër t’i menaxhojë abonetë për kategorinë e studentëve, mund të marrë fund dukuria e abuzimeve me to.

Kërkesa

Abuzimi me abonetë e studentëve është një serial që vazhdon prej kohësh, në rolin kryesor të tij janë studentët, “viktima” të personazheve të tjera, siç janë SHKTQ, MPPTT dhe Bashkia e Tiranës. Duke vazhduar seritë në vazhdimësi, nuk mbahen përgjegjësitë përkatëse, ndërkohë që së fundmi po kërkohet zgjerimi i stafit, duke i deleguar një kompetencë një tjetër institucioni. E radhës është Ministria e Arsimit.

MASH-i është shpresa e fundit për t’i dhënë fund abuzimit me abonetë. Kështu, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kujtim Hyka, shprehet se “i kemi dërguar një shkresë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ku i kërkohet Ministrisë së Arsimit të bëjë administrimin e aboneve të studentit. Sipas nevojave të dalë numri i saktë i studentëve që përdorin transportin urban dhe në bazë të kësaj të bëhet edhe shitja”.

Ndërkohë, Hyka vijon më tej, duke theksuar se është e domosdoshme edhe subvencionimi i tyre nga ana e shtetit, pasi çmimi i saj është i vogël. “Aboneja e studentit shitet me gjysmë çmimi, 600 lekë të reja, dhe për këtë ulje çmimi duhet bërë subvencionimi nga shteti”, - thekson Kujtim Hyka.

Abuzimi

Nga sot, në të gjitha dispeçeritë e kryeqytetit duhet të kishin dalë në shitje të gjitha llojet e aboneve, përfshi këtu edhe të studentëve. Nga një vëzhgim i kryer dje nga gazeta “standard” në disa dispeçeri mbi daljen në treg të aboneve të studentit, dispeçerët shpreheshin se akoma nuk kanë dalë. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Transporteve të Qytetas, Kujtim Hyka, pohon të kundërtën: “Absolutisht po që në datën 29 shtator të gjitha dispeçeritë janë pajisur me abone dhe në mënyrë të veçantë dy-tri pika me abone studenti”.

Ndonëse SHKTQ-së i rezultojnë në treg këto lloj abonesh, e vërteta është krejt tjetër, duke paraqitur një panoramë tejet të zymtë. Ata studentë që udhëtojnë në linjat brenda qytetit, detyrohen të blejnë abone të përgjithshme, të cilat mbajnë dyfishin e çmimit të asaj të studentit ose edhe të blejnë vetëm të linjës. Ndërkohë që me abone studenti pajisen të tjerë që vetëm emrin nuk e kanë të tillë.

Hyka pranon se ka abuzime me abonetë e studentit, por kjo nuk vjen për faj të shoqatës, por të dispeçerëve: “nuk e dimë, ne merremi vetëm me shpërndarjen nëpër pika dhe këto të fundit e kanë në dorë t’i menaxhojnë sipas dëshirave. Nga ana tjetër, ne kemi kapur tek disqeçeria njerëz që abonetë e studentit i kanë nxjerrë më shtrenjtë. Po me këta persona është marrë policia dhe janë penalizuar”, - pohon ai.

Për këtë muaj, por edhe për sa kohë nuk dihet akoma, abonetë për studentët do të shiten në tregun e zi apo me çmim më të lartë nga vetë dispeçerët. Ndërsa nuk dihet nëse Ministria e Arsimit do të pranojë kërkesën për menaxhimin e aboneve të studentit.

ASAG: Të “rinojmë” moshën e tretë

“Shoqëria shqiptare ka akoma për të mësuar dhe pranuar se të moshuarit nuk janë thjesht marrës pasivë të shërbimeve sociale, por ata janë qytetarë aktivë me një rol vital”, - cilësohet në një deklaratë për shtyp të Shoqërisë Shqiptare për të Gjitha Moshat (ASAG), shpërndarë në kuadër të 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar.

Për këtë vit, tema e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, e shpallur si e tillë nga OKB-ja, është "Të drejtat e të moshuarve". Kjo temë është zgjedhur në kuadër të 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

"Pavarësia, pjesëmarrja dhe dinjiteti i personave të moshuar ka qenë në axhendën kryesore të OKB-së, duke ngulmuar në zbatimin e Planit Ndërkombëtar për Veprim mbi Moshimin si një zotim i të gjitha shteteve anëtare për të 'eliminuar diskriminimin moshor'", - thuhet në deklaratën e ASAG, një shoqatë që drejtohet nga Mira Pirdeni.

Siç citohet në deklaratë, rrjeti i të moshuarve ka luajtur një rol të rëndësishëm në dialogun mbi rolin e tyre, në shkëmbimin e ideve, eksperiencave, konsultimet ndërkombëtare dhe kërkimin, duke inkurajuar politikëbërësit t’u përgjigjen ndryshimeve demografike.

ASAG, Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat, me iniciativat e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e kësaj moshe. Në këtë 1 Tetor, siç thuhet në deklaratë, "ASAG vjen me rezultate të rëndësishme, si përgatitja e Strategjisë dhe Planit Kombëtar mbi Moshimin, përgatitja e standardeve të shërbimeve sociale për të moshuarit, ndërsa është në pritje të miratimit të projektligjit në favor të të moshuarve, në kuadër të luftës kundër varfërisë dhe miratimit të kërkesës për ngritjen e strukturës shtetërore dhe forcimin e kapaciteteve të saj".

"Zhvillime të tilla do t'i lejojnë të moshuarit të kontribuojnë në mënyrë më të dukshme në shoqëri dhe të parandalojnë përjashtimin e tyre nga komunitetet tona dhe nga mirëqenia ekonomike", - përfundon deklarata e ASAG.

Një sërë aktivitetesh

Sot, Dita Ndërkombëtare për Moshën e Tretë

Sot është Dita Ndërkombëtare për Moshën e Tretë. Në kuadër të kësaj dite, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe strukturat në varësi të saj, kanë programuar për sot një sërë aktivitetesh për të moshuarit që trajtohen në shtatë shtëpitë e të moshuarve që ndodhen në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Kamëz.

Në kryeqytet aktivitetet me parullën “Jeta s’ka moshë”, nisin në orën 11:00 të ditës së sotshme, me përurimin e shtëpisë së saporindërtuar të të moshuarve në Tiranë. Më pas të moshuarit do të asistojnë në një drekë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.

Ndërkohë, edhe Qendra Ditore për të moshuarit në Kamëz do të organizojë aktivitete festive për 35 të moshuarit me probleme sociale.

1 Tetori, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Në kuadër të kësaj dite shtete të ndryshme do zbatojnë programe, të cilat synojnë evidentimin dhe trajtimin e problemeve të moshës së tretë.

“Një problem aktual shqetësues për Shqipërinë është ai i gjendjes së familjes shqiptare, e cila si pasojë e ndryshimeve social-ekonomike, është reduktuar, pasi fëmijët kanë prirje për të jetuar më vete, një pjesë e tyre kanë emigruar, ndërkohë që gjendja e të moshuarve rëndohet”, - shprehet Shërbimi Social Shtetëror.

Të anketuarit e raportit "Dhuna në Familje - Paraqitja e Situatës Aktuale" shprehen se dëshirojnë që pleqërinë ta kalonin në familje, së bashku me fëmijët e tyre. Ky fakt tregon se vazhdon të ruhet ende tradita e jetesës së brezave brenda një kulmi, sepse aty shprehet ndihma dhe bashkëpunimi reciprok, që sipas specialistëve, është me vlera emocionale për të moshuarit, pasi mban gjallë interesin e tyre për jetën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›