Prokuroria; Hetim bashkëpunëtorëve të drogës së ardhur me postë nga Argjentina
Pas caktimit të masës së arrestit për dy të pandehurit e arrestuar për drogën e ardhur me postë nga Argjentina, tashmë hetimet janë fokusuar në zbulimin e pjesëtarëve të tjerë të rrjetit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, hetuesit e çështjes kanë hedhur një sërë dyshimesh lidhur me këtë veprimtari ilegale të trafikut të drogës, madje duke dyshuar edhe për implikimin e personave të tjerë në këtë rrjet kriminal. Dy shtetasve të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Asta la vista” u janë sekuestruar telefonat celularë, me anë të të cilave mendohet të arrihet tek emra të tjera të përfshirë, gjithashtu janë duke u verifikuar tabulatet e përgjimeve telefonike, si dhe identitetin e personit që postoi drogën nga Argjentina për llogari të dy shqiptarëve. Hetimet për këtë çështje morën shkas nga arrestimi disa ditë më parë i shtetasve Eglant Muka, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Eduart Smajli, 41 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Këta persona u kapën në kushtet e flagrancës duke trafikuar një sasi prej 560 gramësh lëndë narkotike, e llojit kokainë. Sipas të dhënave hetimore, lënda narkotike, e sekuestruar me cilësinë e provës materiale nga forcat e Policisë së Shtetit, kishte mbërritur në Tiranë përmes një dërgese postare nga Argjentina.