Patentat false; Dosja e 5 të pandehurve mbërrin për gjykim në gjykatë
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë dosjen penale në ngarkim të pesë personave. Të pestë personat, dy prej tyre ish-punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor akuzohen për afera korruptive në dhënien e lejeve për drejtim të mjeteve. Dosja është dërguar në gjykatë ditët e fundit, ndërkohë burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pohojnë se së shpejti do të nisë procesi gjyqësor për këtë çështje. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Kadri Dajçi, pronar i autoshkollës "Univers Vip", instruktorët e kësaj autoshkolle, Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi, si dhe 2 ish-punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës, Emiljano Kahu dhe Sokol Breça. Personat e lartpërmendur janë arrestuar disa muaj më parë në kuadër të operacionit "Gërshërët e Ligjit", të organizuar nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Gjatë operacionit policor, atyre iu sekuestruan edhe shumë dokumente të falsifikuara. Të pandehurit dyshohen se janë përfshirë në veprimtari abuzive, duke pajisur me leje drejtimi mjetesh disa individë në shkelje të ligjit.