Abortet, gjatë vitit 2009, vetëm në dy maternitetet e kryeqytetit janë kryer 610 aborte
Eljona Lata
Numri i aborteve në vendin tonë vazhdon të mbetet i lartë, megjithëse shifrat që raportohen nga autoritetet shëndetësore janë të ulëta. Vetëm gjatë vitit që sapo lamë pas, në dy maternitetet e kryeqytetit “Mbretëresha Geraldin” dhe “Koço Glozheni” janë kryer 610 aborte. Kjo shifër është konfirmuar edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT). Por kjo është vetëm shifra zyrtare e numrit të aborteve që kryhen në vendin tonë, dhe shumë larg asaj reales, e cila duhet të jetë disa herë më e lartë, po të kemi parasysh faktin se një pjesë e mirë e aborteve që kryhen në klinikat private nuk raportohen. Situata e mësipërme, ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të marri masa për të ndaluar shërbimin e aborteve në klinikat private. Ky urdhër është marrë së fundi kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili, sipas të cilit, abortet duhet të kryhen vetëm në shtet.
Vendimi
Burime zyrtare bëjnë të ditur se shkak për marrjen e këtij vendimi, që i cenon jo pak ekonomikisht klinikat private, kjo jo vetëm për faktin se ky shërbim preferohet që të kryhet më shumë në privat se sa në shtet, por se kushton edhe më shtrenjtë se në spital, është bërë mosraportimi i shifrave nga klinikat për numrin e plotë të aborteve që kryejnë gjatë një viti. Kjo ka bërë që situata për numrin e saktë të aborteve që kryhen në vendin tonë të dalë jashtë kontrollit të autoriteteve shëndetësore, të cilat, megjithë mbledhjen e shifrave për këtë shërbim në shtet, pranojnë se për abortet në vend, deri më sot, nuk ka pasur një shifër të saktë. Në këtë mënyrë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), që janë i vetmi institucion përgjegjës për raportimin e shifrave zyrtare lidhur me statistikat shëndetësore në vend e kanë pasur të pamundur të nxjerrin konkluzione përfundimtare për abortet. Por ndërsa deri më parë, kjo statistikë nuk ka qenë fort e rëndësishme për autoritetet tona shëndetësore, pasi nëse do të ekzistonte e kundërta do të ishin marrë që më parë masat, tashmë situata qëndron krejt ndryshe. Vendit tonë tani më shumë se kurrë i duhet që të ketë një shifër të saktë për numrin e aborteve që kryhen në vend, pasi kjo shifër përfshin disa pyetje në Pyetësorin e Bashkimit Europian, që ka mbërritur tani në duart e qeverisë tonë. Specialistët e ISHP-së shpjegojnë se numri aborteve që ka vendi ynë është një shifër që ne duhet ta deklarojmë në pyetësor. Sipas tyre, duke e kaluar shërbimin e aborteve vetëm në institucionet shtetërore, grumbullimi dhe raportimi i shifrave do të jetë i saktë, ndryshe nga raportimet që kanë bërë klinikat private, të cilat janë të prirura të mos i deklarojnë të gjitha rastet.
Për këtë arsye, kreu i dikasterit të Shëndetësisë ka vendosur që të ndryshojë edhe mënyrën e licencimit të tyre, duke e kaluar këtë proces brenda këtij dikasteri. Deri tani nuk dihet ende nëse zbatimi i urdhrit të Vasilit do të jetë selektivë, apo i njëjtë për të gjithë, por ajo që konfirmohet është fakti se tashmë do të jetë vetë Ministria e Shëndetësisë, autoriteti që do të përcaktojë shërbimet që do të ofrojnë klinikat private.
Klinikat
Vazhdimisht Ministria e Shëndetësisë ka pasur mungesë në monitorimin e plotë të aktivitetit e klinikave private për abortet. Jo vetëm që klinikat private nuk kanë raportuar të plota rastet e aborteve që kryhen në ambientet e tyre, por mjaft prej tyre e kanë ushtruar aktivitetin edhe pa licencën e MSH-së. Ndërkohë që sipërmarrja e mjekëve për kryerjen e aborteve në këto klinika, në disa raste rrezikon në shfaqjen e problemeve tepër të rënda për femrat, për shkak të komplikacioneve të ndryshme që mund të ndodhin. Lidhur me problemet që shfaqen me abortet dhe planifikimin familjar, është kryer një studim nga Qendra Shqiptare për Popullsinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik, të cilët bënë dhe analizën e të dhënave. Vitin e kaluar në vendin tonë numëruan rreth 9000 aborte, të cilat i përkasin vetëm disa materniteteve. Në këtë shifër janë përfshirë një pjesë materniteteve në rrethe, ku bën pjesë ato të kryeqytetit si dhe katër maternitete të tjera. Të dhënat e studimit treguan se nuk njihet plotësisht aktiviteti që kryhet në klinikat private nga ana e mjekëve. Njëkohësisht, stafi mjekësor ka mungesë njohurish për metodat e reja, pasi mungojnë trajnimet dhe njohja me metodat bashkëkohore. Sipas studimit, 44 % e mjekëve të intervistuar në sektorin privat dhe 73.3 % e mjekëve të intervistuar në sektorin publik, e konsiderojnë abortin si një metodë të planifikimit familjar. Koordinatorja e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, pohon se nga studimi vihet re se një pjesë e mjekëve të intervistuar, 29 % prej tyre, pohojnë se ligji i abortit ka mangësi dhe kjo është dëshmi që duhet ndërhyrë në legjislacion. Sipas saj, mungojnë protokollet e shkruara për të mbajtur një radhë pune dhe sugjerimet në lidhje me kryerjen e aborteve, për parandalimin e infeksioneve apo magazinimin e mjeteve dhe mbetjeve.
Procedurat ligjore për ndërprerjen e shtatzënisë
Për të ndërprerë shtatzëninë, duhet që të gjitha femrat t’i nënshtrohen disa rregullave ligjore. Po kështu, edhe mjekët që do të marrin përsipër ndërhyrjen. Sipas ligjit në fuqi, ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë bëhet vetëm nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore shtetërore e private që plotësojnë kushtet. Mjeku, të cilit i kërkohet ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë për shtatzënitë e ardhshme, si dhe problemet biologjike të ndërhyrjes mjekësore. Në rast se gruaja, pas marrjes së informacionit të përmendur përsërit kërkesën e saj për ndërprerjen e shtatzënisë, mjeku kërkon konfirmimin me shkrim të kërkesës. Ky konfirmim kërkohet pasi të kenë kaluar të paktën 7 ditë nga kërkesa e parë. Kur është e mundur, në këshillimin dhe marrjen e vendimit për ndërprerjen e shtatzënisë, merr pjesë edhe bashkëshorti ose prindi. Në rast se afati prej 7 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të jetë të paktën 2 ditë. Institucioni shtetëror apo privat ku pranohet gruaja, duhet të përfshijë në kartelën e saj kërkesën dhe vërtetimin për respektimin e procedurave.
Ndërlikimet që mund të shfaqen pas një aborti
Rreth 2-3 për qind e pacientëve që bëjnë abort vuajnë nga çarja e mitrës. Shumë dëmtime mbeten të padiagnostikuara në momentin e abortit dhe shihen me vonesë në një situatë dhimbjesh. Rreziku i çarjes së mitrës është më i lartë tek gratë që kanë lindur apo që përdorin anestezi të plotë për të kryer abortin. Në shumë raste, pas çarjes së mitrës, duhet bërë heqja e saj, pasi dëmtimi është më i madh dhe shoqërohet me hemorragji të madhe dhe dhimbje të forta barku. Ky ndërlikim mund të shoqërohet edhe me vdekjen e gruas. Dëmtimi i qafës së mitrës, që shoqërohet me qepjen e saj, është 1 për qind në abortet e tremujorit të parë. Këto dëmtime mund të shoqërohen me ulje të aftësisë riprodhuese të gruas. Po ashtu, këto dëmtime e bëjnë qafën e mitrës të paaftë për të çuar një shtatzëni në fund, ndaj këto gra rrezikojnë lindjen para kohe me gjithë ndërlikimet e saj. Dëmtimet e qafës së mitrës mund të bëhen burim i infeksioneve kronike të qafës së mitrës, të cilat shoqërohen me sekrecione të shumta dhe që përsëriten herë pas here. Abortet e përsëritura rrisin mundësinë për vendosje jonormale të shtratit (placenta) që ushqen beben. Kjo sëmundje e shtatzënisë shoqërohet me hemorragji gjatë shtatzënisë dhe ka me vete rrezikun e lindjes para kohe. Në këto raste, lindja duhet të bëhet me operacion për të shmangur hemorragjitë e mëdha, që janë pasojë e vendosjes jonormale të placentës.
Konferenca e parë e Fizioterapisë
Ilir Dashi: Infermierët do të specializohen në vendet europiane
Është mbajtur dje, konferenca e parë e Fizioterapisë në vendin tonë. Kjo konferencë është zhvilluar në qendrën spitalore “Nën Tereza”, duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky personel në aktivitetin dhe punën e përditshme të kësaj qendre terciare. “Infermierët janë pjesë e rëndësishme e sistemit shëndetësor, por tashmë me ndërtimin e fakultetit janë edhe pjesë e ambientit, duke bërë që edhe këta studentë të ndiejnë tashmë suksesin dhe punën e QSUT-së. Sot, 40 % e punonjësve në QSUT-së janë infermierë dhe për ne ju jeni trupi kryesor për realizimin e detyrave tona. Spitali i ri është një sfidë për ne, por kënaqësia ime do të jetë me emërimet e reja që do të bëhen në këtë spital, pikërisht nga studentët të cilët sot janë në këta auditorë”,- është shprehur drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi. Sipas këtij të fundit, specializimi i infermierëve në vendet e zhvilluara europiane përbën një avantazh, pasi me rikthimin e tyre në atdhe vendi ynë do të ketë ekspertët më të mirë në fushën e Fizioterapisë. Ilir Dashi ka nënvizuar edhe faktin e përfitimeve që do të ketë stafi i infermierëve nga reformat që do të kryhen në vazhdim si hartimi i protokolleve të mjekimit etj. Sipas Dashit, kjo metodë do të sjellë një punë më komode për infermierët, pasi çdo pacient do të trajtohet sipas protokolleve të përcaktuara të një diagnoze.
28 Janar 2010