FBI-ja kap edhe një tjetër të kërkuar të “Shqiponja e zezë”
TORONTO – Edhe një tjetër shqiptar i shumëkërkuar nga Drejtësia amerikane për trafik ndërkombëtar droge ka rënë në pranga dy ditë më parë. Burimet zyrtare të FBI-së bëjnë të ditur se ditën e martë është arrestuar në Toronto të Kanadasë shtetasi Myfit Dika, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shqiponja e zezë”. Ndaj Dikës dhe 25 personave të tjerë ishin prerë fletë-arrestet, ku deri tani kanë rënë në pranga 22 persona. I fundit ishte Gazmir Gjoka, i cili u arrestua në Shqipëri falë bashkëpunimit të agjentëve të FBI-së dhe strukturave policore të vendit tonë. Tashmë, shërbimet amerikane janë përqendruar në arrestimin e Kujtim Likës, i cili bashkë me Myfit Kikën dhe Gazmir Gjokën konsideroheshin si drejtuesit e grupit që tentoi të trafikojë 100 kilogramë heroinë në Shtetet e Bashkuara.
Arrestimi
Pasi është asgjësuar grupi i tij, Myfit Dika është larguar nga Nju Xhersi, duke u fshehur në Toronto të Kanadasë, fare pranë kufirit amerikan. Ndaj tij dhe anëtarëve të grupit shqiptar, të shpallur në kërkim, strukturat policore kishin nisur një fushatë mediatike publike për marrjen e informacioneve. Madje, në muajin nëntor, Fox News paraqiti të dhënat personale me pamje, ku iu bëhej thirrje qytetarëve për të informuar FBI-në në rast se personat “wanted”, Kujtim Lika dhe Myfit Dika do të shiheshin në mjedise publike. Por, hetimet u shtrinë përtej kufijve të SHBA-ve. Pikërisht, dy ditë më parë, agjentët e policisë, në bashkëpunim me autoritetet kanadeze, identifikuan 44-vjeçarin Dika, i cili strehohej në Toronto. Në njoftimin zyrtar thuhet se FBI-ja kishte kërkuar ndihëm e disa agjencive antikrim në shumë vende të botës, si Kanada, Holandë, Shqipëri. Agjenti i këtij institucioni thotë se është e vështirë të fshihesh kur kërkohesh në mënyrë virtuale në të gjithë botën”. Task-Forca për kapjen e të kërkuarve në Toronto e ka parë Dikën teksa ndodhej në makinë në një lagje ku strehohej dhe ka bërë menjëherë arrestimin e tij. Ai figuronte në listat e FBI-së së Nju Xhersit bashkë me dy shqiptarë të tjerë, si persona të shumëkërkuar.
Gazmir Gjoka, anëtari i grupit kriminal, u kap në Shqipëri teksa ndodhej në një lokal në Tiranë. Rreth një muaj pas tij u kap edhe Rodan Kote, i cili po udhëtonte nga Shqipëria në SHBA. Atij iu vunë prangat teksa ndodhej në aeroportin “Newark Liberty”. Burimet zyrtare të FBI-së pohojnë se vëmendja është përqendruar në arrestimin e Kujtim Likës, një nga kapot e grupit kriminal.
“Shqiponja e zezë”
Në fillimin e marsit të vitit 2009, strukturat speciale amerikane të luftës kundër krimit organizuan operacionin e koduar me emrin “Shqiponja e zezë”. Në përfundim të tij u arrestuan disa persona, si dhe u sekuestruan 500 mijë dollarë, dy avionë të vegjël që përdoreshin për transportimin e lëndëve narkotike dhe një sasi heroine. Gjatë hetimeve të bëra rezultoi se kapo të këtij rrjeti ndërkombëtar, që mendohej se e merrte heroinën në Afganistan, ishin shtetasit shqiptarë; Kujtim Lika, Gazmir Lika dhe Myfit Dika. Ata konsiderohen si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal në Ballkan, që merren me trafik droge, pastrimin e parave dhe shumë aktivitete të tjera të paligjshme. Për realizimin e operacionit “Shqiponja e zezë”, janë përfshirë agjencitë antikrim të disa vendeve.
Dënohen tre shqiptarët, pjesë e grupit kriminal të Ndragetës
KATANZARO - Ka përfunduar gjykimi për të arrestuarit në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Shkodër”, i cili solli më pas shkatërrimin e një organizate të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Sipas hetuesve, trafiku drejtohej nga të dyshuar si eksponentë të grupit mafioz “Ndrageta Kosentinase”. Gjykata e Katanzaros dha vendimin dje, duke dënuar me burg 12 shtetas, mes tyre edhe tre shqiptarë, italianë dhe moldavë. Mes shqiptarëve të dënuar janë Alberto Mesiti, 29 vjeç, Elvis Metvelaj, 25 vjec, të cilët u dënuan me nga 8 vjet e 4 muaj burg dhe Rodon Rexhepi, 28 vjeç, i dënuar me 8 vjet burg. Mediat italiane kanë pasqyruar dje gjithë procesin gjyqësor dhe historinë e hetimeve, përfshirë edhe operacionin e drejtuar nga Guardia di Financa, të koduar me emrin “Shkodër”. Ky aksion policor nisi në vitin 2005 dhe përfundoi në tetor të 2008-s. Gjatë operacioneve të policisë u sekuestruan gati 500 kg kokainë, heroinë dhe marijuanë. Sipas medias italiane, në këtë trafik merrnin pjesë elemente të kriminalitetit shqiptar, rumun dhe kalabrez, të cilët kontrollin fluksin e lëndëve narkotike. Ata kishin arritur të mbanin nën kontroll rrjetin e trafikut të drogës dhe nuk kalonin ngarkesa nga Lindja në tregun kalabrez, ka qenë ata pjesëtar të grupit, i cili ndodhej në Altomonte, në qytezën vogël ku banda kishte krijuar një qendër të vërtetë të mbledhjes dhe përpunimit të drogës që vinte nga Shqipëria.
“Sporti i vjetër”, kapen tre shpërndarës heroine nëpër lokale
ELBASAN – Tre shpërndarës heroine kanë rënë në pranga gjatë një operacioni të koduar me emrin “Sporti i vjetër”, organizuar nga forcat e policisë së Elbasanit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në orët e vona të së martës janë ndaluar shtetasit: Gerti Hysenbelliu, 21 vjeç, Klevis Gjini, 19 vjeç dhe Renato Bakalli, 21 vjeç, që të tre lindur e banues në qytetin e Elbasanit. Operacioni nisi pas informacioneve të marra në rrugë operative se Gerti Hysenbelliu merrej me shpërndarje të lëndës narkotike, konkretisht në mjediset e lokalit në pronësi të një gruaje me inicialet D. R., së bashku me dy shokët e tij, Klevis Gjini dhe Renato Bakalli. Nga ana e policisë këtyre personave iu ushtrua një kontroll i imtësishëm duke iu gjetur 9 qese të vogla plasmani, brenda së cilës gjendej një mase pluhuri me ngjyrë të kuqërremtë, e ngjashme me heroinën, me peshë prej 1.6 gramë.
Burimet policore thonë se po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Arrestohet banda e vjedhjes dhe çmontimit të makinave
TIRANË – Tre persona, ku njëri prej tyre ishte pronar i një pike servisi të makinave, kanë rënë në pranga pasi ishin autorë të grabitjeve të mjeteve dhe shitjes së tyre si pjesë këmbimi. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të martën, shërbimet e Hetimit të Krimit në Komisariatin Nr......................... të Policisë së Tiranës ndaluan shtetasit Lulzim Ajazi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për shitje lëndësh narkotike; Erjon Qelibari, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Adnand Berami, 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe moskallëzim krimi. Zëdhënësja e policore thotë se “nga puna hetimore e kryer ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së një automjeti, mjet të cilin më pas e kanë fshehur, tjetërsuar dhe shitur pjesë-pjesë në servisin në pronësi të shtetasit Adnand Berami, i cili ndodhet në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Policia thotë se është bërë sekuestrimi i të gjitha provave dhe sendeve materiale të gjetura në servisin e këtij shtetasi. “Materialet e përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të ‘vjedhjes’ në bashkëpunim”, - thotë zëdhënësja e Policisë.
Vijon “Mesnata”, arrestohet edhe një tjetër anëtar i grupit të vjedhjeve
TIRANË – Edhe një anëtar tjetër i bandës së grabitjeve në Tiranë, i asgjësuar në operacionin “Mesnata”, është arrestuar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ditën e martë është arrestuar shtetasi Durim Morina, 18 vjeç, lindur në Has dhe banues në Kamzë, i proceduar disa herë për vjedhje dhe vjedhje me dhunë. Nga veprimet e kryera rezultoi, se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit Erjon Fejzullari, Valter Vladi, Simon Thanas dhe Ilir Shehu (të arrestuar më datë 22 janar 2010), dyshohen të jenë edhe autorë të vjedhjes së lokalit Euroloto, i ndodhur në Rrugën e Durrësit, pranë gjimnazit “Qemal Stafa”, në pronësi të një shtetasi, thonë burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit. Ky shtetas ka qenë shpallur në kërkim më datë 23 janar 2010.
28 Janar 2010