Mësuesit me kontratë të përkohshme, qeveria përcakton numrin për vitin 2010
Jonida Tashi
Përcaktohet numri i mësuesve me kontratë për përkohshme që do të japin mësim në shkollat e vendit deri në datën 30 qershor 2010. Ditën e djeshme, në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Ministrave, ka miratuar vendimin për përcaktimin e numrit të punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për periudhën 1 janar-30 qershor 2010, për Ministrinë e Arsimit. Kështu, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave vendosi që numri i punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2009-2010, për muajin janar 2010, të jetë 2011 veta dhe, për periudhën 1 shkurt-30 qershor 2010, të jetë 704 punonjës.
Shkurtimet
Duke filluar nga dita e parë e muajit shkurt e deri më 30 qershor 2010, numri i arsimtarëve me kontratë të përkohshme në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar të jetë do të jetë tepër i reduktuar. Vendimi i djeshëm i qeverisë i ka hapur rrugën shkurtimeve të mëdha në arsim, të parashikuara për këtë vit shkollor. Kështu, nëse gjatë këtij muaji kanë punuar në arsim plot 2011 punonjës me kontratë të përkohshme, nga shkurti deri në qershor, 1307 prej tyre nuk do ta kenë më këtë mundësi. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, gjatë periudhës shkurt-qershor 2010, numri i mësuesve me kontratë të përkohshme do të jetë vetëm 704 punonjës për të gjitha shkollat e vendit. Reduktimi i numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme në arsim nisi që në ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas. Më konkretisht, në datën 31 dhjetor të vitit 2009 përfundoi afati i kontratës së përkohshme të punës për 2243 arsimtarë në të gjithë vendin. Pra, vetëm nëpërmjet një veprimi të thjeshtë matematikorë, mësohet se vetëm gjatë këtij muaji janë larguar nga puna 232 mësues me kontratë të përkohshme.
Kontrata
Deri tani nuk dihet se si do të pritet vendimi i djeshëm i qeverisë nga sindikatat e arsimit, si dhe nga vetë arsimtarët. Aktualisht pritet nënshkrimi i kontratës së re të punës për punonjësit arsimorë, që ka nisur të hartohet që në fillim të vitit shkollor 2009-2010. Ndonëse baza e kontratës kolektive do jetë ajo e vjetra, në të do të përfshihen edhe disa ndryshime të propozuara jo vetëm nga Sindikata e Arsimit, por edhe nga vetë Ministria e Arsimit. Ndër pikat kryesore që janë diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës, është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të jetë për katër vjet. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. Po ashtu, një pikë tjetër që Sindikata e Arsimtarëve do t’i japë tepër prioritet për t’u përfshirë në kontratën e re do të jetë edhe lëvizja e mësuesve, për të frenuar lëvizjen e vazhdueshme të arsimtarëve sa nga një shkolla në një tjetër, për mungesë të emërimeve definitive. Më tej, një kërkesë tjetër, jo pak e dëshiruar nga arsimtarët në vend, që Sindikata e Arsimit do t’i parashtrojë Ministrisë së Arsimit është edhe rritja e pagave të mësuesve.
Reagimi
MASH: Nuk ka ndryshim të sistemit të vlerësimit në shkollat e mesme
Sistemi i vlerësimit në shkollat e mesme të vendit nuk do të ndryshojë. Sërish arsimtarët do t’i vlerësojnë nxënësit duke nxjerrë një rezultat përfundimtar, ashtu si është vepruar edhe gjatë viteve të mëparshme në bazë të mesatares aritmetike. Kështu ka deklaruar dje, Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit. “Sistemi i vlerësimit është kompetencë vetëm e Ministrisë së Arsimit. Nuk ka asnjë urdhër të Ministrisë së Arsimit për të futur një sistem vlerësimi të ndryshëm nga ai tradicional. Këtu bëhet fjalë vetëm për lëndët me zgjedhje që kanë një përqindje jashtëzakonisht të vogël në programin mësimor. Edhe lëndët me zgjedhje do të vlerësohen njësoj si lëndët bazë të klasë së dhjetë”,- tha Jovan Kristiqi. Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit shprehen se nuk janë kundër futjes së këtij sistemi të ri vlerësimi, por ende sipas tyre, nuk është diskutuar dhe projektuar një sistem i ri, në bashkëpunim dhe me aktorët e tjerë të interesit. “Deri tani nuk ka një projekt të tillë. Ajo është një metodë që ndoshta ndonjë mësues edhe mund ta përdorë, por nuk mund të futet në sistemin masiv të shkollës”,- tha Kristiqi. Ndërkohë këshilltari për Arsimin në MASH thotë se edhe përsa i përket frekuentimit asgjë nuk ka ndryshuar në shkollat e mesme. Sipas tij, në fuqi mbetet 20% i mungesave që nxënësi duhet të shlyejë. Një ditë më parë drejtuesit e shkollave të mesme në Tiranë u shprehen se ndoshta ka ardhur koha për të ndryshuar sistemin e vlerësimit të nxënësve dhe ai të bëhet në baze të gjitha notave dhe të arrihet në rezultatin përfundimtar në bazë të mesatares së ponderuar. Por ky sistem vlerësimi nuk është pranuar nga mjaft të rinj, një pjesë e të cilëve madje patën guximin edhe të protestonin para dyerve të Ministrisë së Arsim it për këtë çështje.
Zonat e përmbytura, futen në skemën e ndihmës ekonomike 936 familje
Inspektorët e Shërbimit Social Shtetëror kanë tashmë gati numrin përfundimtar të familjeve në komunat e përmbytura të qarkut të Shkodrës, të cilët do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, ka deklaruar se zyrtarisht janë 936 familje të cilat kanë nevojë për ndihmë ekonomike. “Nga të dhënat tona operative në terren, zyrtarisht në skemën e ndihmës ekonomike do të futen 936 familje të reja nga komunat e përmbytura, shifër kjo që i shtohet listës së 16 mijë familjeve gjithsej që marrin ndihmë ekonomike në qarkun e Shkodrës”,- u shpreh Strazimiri. Sipas Shërbimit Social, kjo ndihmë ekonomike do të vijojë deri në marrjen e kompensimit që qeveria do t’i akordojë familjeve të përmbytura. Nga ana e saj Ministria e Punës po inspekton komunat e qarkut të Nënshkodrës që u përmbytën nga ujërat e hidrocentralit të Fierzës, për të përcaktuar familjet më të varfra për t’u shpërndarë më pas atyre dhe paketën ushqimore.
28 Janar 2010