E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i mediave: Rasti “Tema” po përdoret edhe ndaj mediave të tjera

Ne, gazetarët e Shqipërisë, të grupuar në organizatat më të mëdha profesionale në vend, shprehim keqardhjen dhe njëkohësisht shqetësimin tonë për mbylljen e një prej gazetave më të rëndësishme të shtypit shqiptar.

Shprehim keqardhjen, sepse ndalimi i botimit të gazetës “Tema” është një shenjë e qartë e thellimit të ngushtimit të hapësirës së lirisë për shtypin dhe mediat në Shqipëri. Ky akt i rëndë është një mundësi më pak për të gjithë ata që besojnë ende në vlerat e lirisë së shprehjes dhe në gazetarinë e padeformuar nga interesat e ulëta dhe fuqia e pushtetit.

Mbyllja e gazetës “Tema” është një dëshpërim i madh për ata gazetarë që përpiqen të ruajnë integritetin e tyre profesional në këto kohë të vështira për mediat dhe shtypin në Shqipëri. Është një mundësi më pak, një dritare e mbyllur dhe një zë i fikur për të parë dhe për të thënë të vërtetën. Është një betejë e humbur për të gjithë ne, në luftën e vazhdueshme mes lirisë së shtypit dhe pushtetit.

Kjo humbje nuk shkakton vetëm dëshpërim, ajo përbën një shqetësim të madh për ne, anëtarët e organizatave të gazetarëve në Shqipëri. Mbyllja e gazetës “Tema” nuk erdhi si pasojë e rregullave normale të konkurrencës në treg. Ajo erdhi si pasojë e presioneve të ndryshme, materiale, financiare dhe fizike ndaj redaksisë modeste të kësaj të përditshme. Gazetarët e “Tema”-s u nxorën forcërisht nga zyrat e tyre dhe shtypshkronja e gazetës u nxor jashtë përdorimit për më shumë se një vit me një vendim të njëanshëm të qeverisë shqiptare dhe pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor. Botuesi i “Tema”-s, Mero Baze, u sulmua fizikisht dhe u dëmtua materialisht duke i shtuar kështu vështirësitë në mbajtjen gjallë të gazetës në kushte të tilla presioni fizik e psikologjik. E po t’u shtosh këtyre kontrollet financiare dhe mungesën e qëllimshme të reklamës, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të botuesit, misioni i “Tema”-s u bë një mision i pamundur.

Ne, gazetarët e Shqipërisë ngremë sot zërin fort dhe jemi të alarmuar nga mënyra se si u veprua me një nga gazetat kryesore dhe me traditë disavjeçare në shtypin shqiptar. Ne solidarizohemi me gazetarët e “Tema”-s, që sot janë të papunë dhe protestojmë ndaj qeverisë jo vetëm për metodat e ndjekura ndaj një gazete, por edhe për përpjekjet që rastin e “Tema”-s ta përdorë si kërcënim për ata që nuk i shkojnë për shtat interesave të pushtetit.

Ne, gazetarët e Shqipërisë kërkojmë, sa nuk është vonë, që për këtë rast të sensibilizohen dhe të bashkohen me ne të gjitha organizatat e mbrojtjes së gazetarëve dhe shtypit të lirë në botë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend dhe shoqëria civile. Lufta jonë për më shumë liri dhe hapësirë demokratike duhet të vazhdojë.

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Unioni i Gazetareve shqiptare
Forumi Shqiptar i Mediave të Lira

Muzeomania

Arben RATKOCERI

Projekti qeveritar për Muzeun e VMRO-së, që në thelb, sipas projektueseve parasheh t’i grumbullojë në një vend të gjitha personalitetet, qoftë negative, qoftë pozitive që kanë kontribuar për këtë shtet përmes statujave, është shembulli më i mirë i politikës maqedonase, që, thënë shkurt, nuk ka as ide, as di se çka të bëjë me shqiptarët.
Kur e do nevoja e momentit, shqiptarët, nga ana e autoriteteve, as si figura negative nuk lejohen që të jenë pjesë e një institucioni siç është ky muze; e nga ana tjetër, nuk lejon që shqiptarët të formojnë muzetë e tyre seriozë apo hesht për disa kasolle që vetëquhen muze të shqiptarëve.

Të ishte puna vetëm e muzeut, ndoshta, si shumë çështje tjera, shqiptarët do t'i kishin mbyllur sytë, por çështja është se e gjithë shoqëria e dirigjuar nga politika, me dashje apo pa të, po shkon drejt ndarjes. Shkollat e çerdhet i kemi ndarë, universitetet po, mediat gjithashtu, e çka jo tjetër… E vetmja që ka mbetur e që duket se po funksionon bashkërisht, deri diku, është qeverisja qendrore, ku duket se vetëm aty bashkohen shqiptarë e maqedonas për shkak të tenderëve, korrupsionit, kriminalitetit…
Por, edhe kjo ka rrezik të përfundojë në ndarje, sepse përqindja e ndarjes së parave të tenderëve njërës palë mund t’i duket pak dhe shkakun e vërtetë do ta kamuflojë në mënyrë të mrekullueshme përmes hegjemonizmit dhe nacionalizmit.
Ideja e muzeve ka ndryshuar shumë nga muzetë e parë që datojnë rreth viteve 1700. Aso kohe ato ishin të rezervuar vetëm për dhomat e pak zotërinjve të pasur që mund t'i lejonin vetes luksin e mbledhjes dhe konservimit të disa objekteve me vlerë.
Atëherë, mund t'i shijonin vetëm ata, por me Revolucionin Francez, ideja e muzeut ndryshoi, duke e bërë atë më të hapur për popullin, duke qenë didaktik dhe duke u dhënë akses të gjithëve. Në këtë aspekt, muzeu duhet të integrohet, duke bërë që pasuria e trashëgimisë kulturore të jetë një rrotull zhvillimi për vendin. Thelbësisht, të transmetohet "shpirti" i atyre njerëzve që kanë jetuar në këtë territor, i cili është një "shpirt" i ndryshëm nga popujt e tjerë, për shkak të karakteristikave në të cilat është zhvilluar. Vetëm ata që e kanë jetuar, që e kanë dashur dhe që e kanë zhvilluar në kohë dhe hapësirë këtë "shpirt", mund të jenë në gjendje ta transmetojnë atë. Shpreh bindjen se kjo tokë është shumë e pasur në aspektin kulturor, ndaj është thelbësore që këto elemente të transmetohen te publiku, duke "lexuar" në mënyrë korrekte dhe duke zbërthyer të gjitha detajet që vijnë nga e kaluara.

Edhe pse jemi në shekullin 21 dhe flasim për integrime në vlerat europiane, e çka jo tjetër, projekti qeveritar i Muzeut të VMRO-së karshi shqiptarëve nuk dallon fare nga ideja e muzeve të shekujve 16 e 17 që i përmendëm më lart.
Deri tani dihet se në këtë muze nuk do të ketë vend vetëm për personalitete shqiptare, që si të tillë i konsideron edhe historiografia maqedonase, por edhe për ata që konsiderohen si negativë e që më bollëk janë po në këtë histori.
Thuhet do të ketë shtatore të personaliteteve bullgare, turq, vlleh, e sidomos serb, të cilët "sagllam" për disa centimetra ka rrezik të qëndrojnë edhe mbi vetë maqedonasit. Kjo flet mjaft. Nuk do të ndalemi për vendin e merituar që duhet të kenë në këtë muze personalitetet shqiptare, të cilët kanë flijuar edhe jetën për këtë vend; flas vetëm për ata që në këtë mënyrë i trajton historiografia maqedonase, sepse tek ajo shqiptare janë me shumicë. Është e pashpjegueshme se si nuk është gjetur ndonjë skutë, p.sh. për Ibe Palikuqin, Bajram Shabanin apo Liman Kabën, që kanë edhe statusin e heronjve kombëtarë, ose pjesëmarrësit shqiptarë në Republikën e Krushevës apo ASNOM-it, si Qemal Agolli, të cilit as varri nuk i dihet. Në rregull janë edhe shqiptarët që kanë flijuar për Maqedoni dhe kjo, sipas projektuesve, nuk duhet të potencohet. Ama, nëse koncepti i këtij muzeu parasheh që vende të posaçme do të ketë edhe për personalitete negative që kanë dëmtuar Maqedoninë, pse atëherë të paktën nuk është gjendur ndonjë vend për Xhemë Gostivarin, Mefailin e Zajazit apo shumë e shumë të tjerë që nëpër librat e historisë maqedonase janë më shumicë? Që ky projekt tendencioz të duket edhe më banal, vend për shqiptarë nuk do të ketë as në pavijonin e rezervuar për antikomunistët. Është fat i madh që kjo periudhë është më e re dhe të gjithë jemi dëshmitarë se që nga viti ‘44 e deri te viti ‘90 burgjet maqedonase kanë qenë plot me shqiptarë antikomunistë. Shoqata e të burgosurve politikë shqiptarë numëron rreth 24 mijë të tillë e disa qindra të ekzekutuar.
Përmes këtij rasti të muzeut, shihet qartë se shqiptarët në Maqedoni janë në hall. Ata vazhdojnë edhe më tutje të jenë në dilemën; të jenë të integruar, madje edhe përmes "pavijonit të figurave negative", apo t’i krijojnë muzetë e tyre? Në rastin e dytë akuzat për separatizëm nuk do të mungonin; ama, duket se dikush në elitat politike, mediatike apo edhe intelektuale maqedonase, ndoshta edhe e dëshiron. Tjetër shpjegim kjo nuk ka.
Të dashur miq në pushtet, ose duhet të na pranoni me të mirat e të këqijat që i kemi, ashtu si gjithë të tjerët, ose na lejoni t’i bëjmë edhe ne muzetë tona, se ndryshe s'ka kuptim.

28 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›