Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, sa duhet të paguajmë në bashki
Laureta Rryçi
Bashkia e Tiranës përcakton mënyrën e përllogaritjes së taksës së pasurisë së paluajtshme. Specialistët i kanë ndarë objektet për të cilat do të paguhet taksa në dy kategori; në ndërtesa banimi dhe subjekte që mund të përdoren për veprimtari private. Në varësi të deklarimit të qytetarëve se përse u shërben pasuria e paluajtshme do të bëhet dhe pagesa e taksave. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën e plotë si ndahen banesat për pagesën e taksës dhe si përllogaritet shuma që duhet të paguajë çdo banor i Tiranës.
Taksa mbi ndërtesën
Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metra katrorë e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi.
Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi ndërtesën është si vijon. Në nënkategorinë e dytë përfshihen:
Ndërtesa për shërbime tregtare, administrative. Në këtë kategori përfshihen të gjitha ndërtesat si hotele, motele, stabiliment turistike, shtëpi pritje, turizëm familje, qendra biznesi, pika karburanti, magazina, depo, bankat, zyrat, njësi tregtare dhe shërbimi të çdo lloji. Ndërtesa për shërbime shëndetësore, artizanale, social kulturore, arsimore e shkencore. Janë të gjitha ndërtesat si farmaci, klinika, spitale, maternitete, qendra shëndetësore të të gjitha specialiteteve dhe njësitë e shërbimit artizanal si marangoz, këpucar, orëndreqës. Shkollat, kopshtet, çerdhe, qendra kulturore, qendra sociale, stadiume, komplekse sportive si palestra, fitnes, pishina të hapura e të mbyllura, ndërtesa shkencore si institute kërkimore, qendra kërkimore, interneti, sallat e koncerteve, videoteka.
Ndërtesa prodhimi
Do të kuptojmë të gjitha ndërtesat në të cilat ushtrohet aktivitet prodhues si përpunim duralumini, metalesh, druri, tapicerie, letre, kartoni, plasmasi, tulla, tjegulla, blloqe banimi, furra gëlqereje, prodhime ushqimore, prodhim
konfeksionesh, prodhim dhe përpunim vajrash, nafte etj, shtypshkronja, prodhim dhe përpunim produktesh farmaceutike dhe të ngjashme me to. Ndërtesat në pronësi të organizatave jofitimprurëse, fondacioneve: do të përfshihen pronat që përdoren nga organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, zyrat e përfaqësimit të organizmave ndërkombëtare, ambasadat të njohura ose të regjistruara si të tilla në gjykatë.
Objektet shtetërore
Objekte të amortizuara, të dëmtuara dhe jashtë funksionit kur janë objekte të ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të privatizuara ku nuk zhvillohet aktivitet. Janë objektet që janë kapital i ndërmarrjeve shtetërore
dhe kanë qenë kapital i ish-ndërmarrjeve shtetërore. Kur është objekt i ndërmarrjeve shtetërore ekzistuese, të cilat janë
tërësisht të amortizuara, vlera e amortizimit mbi 80% e vlerës fillestare dhe ndryshimeve përkatëse sipas pasqyrave kontabël ose kur objekti është i dëmtuar pavarësisht nga vlera e amortizimit. Për këto dy lloj objektesh duhet të plotësohet kushti që ato janë jashtë funksionit dhe në to nuk ushtrohet asnjë veprimtari tjetër. Kur ka qenë objekt i ish-ndërmarrjeve shtetërore, të cilat janë privatizuar tërësisht ose pjesërisht, ndërmarrja ose vetë objekti dhe është tërësisht i amortizuar, vlera e amortizimit mbi 80% e vlerës fillestare dhe ndryshimeve përkatëse sipas pasqyrave kontabël ose kur objekti është i
dëmtuar pavarësisht nga vlera e amortizimit. Për këto dy lloj objektesh duhet të plotësohet kushti që ato janë jashtë funksionit dhe në to nuk ushtrohet asnjë veprimtari tjetër.
Subjektet tregtare
Për ato kategori ndërtesash banimi, të cilat janë të regjistruara si seli të subjekteve tregtare, taksa e pasurisë përllogaritet dhe paguhet si kategoria II, ndërtesa të tjera sipas rastit të ushtrimit të veprimtarisë duke u përjashtuar nga kategoria e parë, ndërtesa banimi. Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor. Ky detyrim ndahet në dy këste të barabarta. Kësti i parë për kategorinë “Ndërtesa banimi” paguhet brenda datës 30 qershor
të vitit, ndërsa për kategorinë “Ndërtesa të tjera” brenda datës 31 mars të vitit. Kësti i dytë për kategorinë “Ndërtesa banimi” paguhet brenda datës 30 shtator të vitit, ndërsa kësti i dytë për kategorinë “Ndërtesa të tjera” brenda datës 30 qershor të vitit. Taksapaguesit, për kategorinë dhe nënkategorinë e pikës I dhe II, të cilët paguajnë të gjithë vlerën e detyrimit tatimor vjetor brenda datës 31 mars të vitit, përfitojnë si kusht lehtësues reduktimin në masën prej 10 % të vlerës së detyrimit. Agjent tatimor për vjeljen e taksës mbi ndërtesën për kategorinë e parë “Ndërtesa banimi” është “Njësia Bashkiake”, duke përfituar 10% të shumës së arkëtuar. Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksës mbi ndërtesat për kategorinë
“Ndërtesa të tjera” është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës.
BOC
Taksa mbi pasuritë e paluajtshme
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përbëhet nga:
a.1 Taksa mbi ndërtesat
a.2 Taksa mbi tokën bujqësore
BOC
Taksa mbi tokën bujqësore
Taksa mbi tokën bujqësore është një detyrim vjetor. Detyrimi vjetor i taksës ndahet në këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 31 mars të vitit dhe kësti i dytë brenda datës 30 Shtator të vitit. Taksapaguesit që paguajnë të gjithë vlerën e detyrimit tatimor vjetor brenda datës 31 mars të vitit, përfitojnë si kusht lehtësues, reduktimin në masën prej 10% të vlerës së detyrimit. Struktura e ngarkuar për mbledhjen e taksës mbi tokën bujqësore janë Njësitë Bashkiake duke përfituar 20% të vlerës së arkëtuar.
Kategoritë e tokës bujqësore Lekë/ ha / vit
I 4.000
II 3.500
III 3.000
IV 2.600
V 2.100
VI 1.700
VII X 1.300
28 Janar 2010